“RTV Presheva” në rrezik, i kërkohet mbështetje kryeministrit Edi Rama

0

 

Nisma për mbylljen e “RTV Preshevës” ka nxitur reagime ku po bëhet thirrje për ruajtjen e televizionit.

Nexhat Behluli, pronari i mediave “Spektër” në Luginën e Preshevës i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të ndihmojë “Tv Preshevën”, që të mos mbyllet, pasi po përjeton ditët më të vështira në 20 vitet e fundit.

Ai ka thënë se kjo media është ngritur në kohë të vështira nga Komuna e Preshevës, ndërkohë aktualisht ka mbetur pa përkrahje.

Sipas Behlulit, “Tv Presheva” ka gazetarë të përgatitur dhe të pasionuar, por prej një viti nuk paguhen. “Radio Televizioni i parë shqip në Luginën e Preshevës po përballet me sfidën më të vështirë që nga themelimi i para dy dekadave. RTP, “të jetë apo të mos jetë” është buzë mbylljes, Puntorët e këtij mediumi ka 12 muaj që nuk kanë marrë pagat mujore. Në Shqipëri dhe Kosovë ka filluar të ngritet zëri dhe ka reagime kundër mbylljes të RTP-së” , është shprehur Behluli.

Ai lë mënjanë konkurencën mediatike dhe të bërit biznes, duke kërkuar nga Tirana zyrtare ndihmë konkrete që ky televizion të vijojë aktivitetin e tij.

Sipas tij në Luginë të Preshevës po mbretëron heshtja, kurse Behluli ka thënë se; “borxhlinjtë më të mëdhenj moral të RTP-së janë puntorët e arsimit, shëndetësisë, artit dhe kulturës, sportistët, bashkësitë islame, hoxhallarët e shumtë, organizata e Veteranëve të Luftës që dolën nga UÇPMB-ja, shoqëria civile dhe shumë të tjerëve,  të cilëve RTP u ka përcjellur, transmetuar dhe promovuar aktivitetet e tyre njëzet vitet e fundit”.

Behluli ka theksuar se ata që aktualisht po heshtin në Luginën e Preshevës do ta kërkojnë përsëri ekranin e “Tv Preshevës”.

Ndërsa, Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginë të Preshevës, e  sheh negative nismën për mbylljen e këtij televizioni nga ana e pushtetit lokal.

Mustafa ka deklaruar veç tjerash se “RTV Presheva”-së po i kanoset mbyllja për shkak të mosgatishmërisë së pushtetit lokal për të financuar atë.

Ai ka kujtuar se “RTV Presheva” si institucion publik i informimit të gjerë në gjuhën shqipe nisi në vitin 2002 dhe me një mund shumë të madh dhe buxhet fare të vogla të komunës së Preshevës kishte arritur t’i mbijetonte të gjitha pushteteve.

PËRGJIGJU