Shtrati (evropian) i Prokustit

0

 

Milaim Shefkiu

Prokusti ka qenë një personash mitologjik në antikën greke që njihet për shtretërit e tij të famshëm. Ai kishte dy shtretër, një të madh e një të vogël, në të cilët shtriheshin për të “pushuar” kalimtarët e zakonshëm. Prokusti nuk kishte han (hotel) pushimi, por një stacion vdekjeje për të gjithë ata që zinte nata aty. Ata që shtriheshin kalonin nëpër purgator deri në ferr.

Njerëzit e mëdhenj Prokusti i shtrinte në shtratin e vogël dhe sapo i zinte gjumi këmbët që u dilnin jashtë shtratit ua thyente me një çekan farkëtari ose ua ka amputonte me sëpatë. Ndërsa personat shtatshkurtër i shtrinte në shtratin e madh dhe i sfiliste derisa ua këputke këmbët e duart.
E përmenda këtë figurë mitike për të ngritur një analogji me situatën aktuale politike, refleksionet dhe zhvillimet në rajon.

Bashkimi Evropian periudhën e fundit është kthyer në një shtrat mitik për neve shqiptarëve. Kjo për faktin se po sillen si një njerkë sadiste kundër një “kopili”, ose thënë ndryshe si një xhandar kundër një recidivisti me dosje të trasha kriminale.

Nëse ia bëjmë një autobiologji vetes edhe ne nuk jemi “ujë për abdes”, por duke u krahasuar me disa shtete që e kanë marrë dritën e gjelbër të integrimit jemi një gradë më lart.

Krahasimi i Prokustit me Bashkimin Evropian mund të doket jorealist, johumanist, hiperbolizues e madje jofalënderues për një bashkësi shtetesh që na i kanë dhënë krahët dhe shpirt lirie. Por, a qëndron diçka ndërmjet shtretërve të Prokustit dhe politikës së BE-së? Duke e zbërthyer në realitet ka shumë gjëra aproksimative.

BE-ja po luan me neve shqiptarëve të Kosovës si karambol. Në jemi shtrirë si zvarranikë dhe gjatë gjithë lojës ia hamë goditjet herë me sfonde e herë direkt. BE-ja na kushtëzon neve, jo popujt tjerë, me dhjetëra kritere shtesë, me demarkacion e me ligje, me krime e me korrupsion, me Gjykatë Speciale e me dreq të mallkuar. E kur krejt i plotësojmë del një kushte shtesë – migracioni. Kjo normalisht nuk do të kishte qenë diagnozë e saktë e një mjeku për një pacient me sëmundje organike.

Rrezikun nga migrimi BE-ja është dashur ta nuhasë nga Ukraina, e cila ka një territor të okupuar sa tri herë Kosova, me sovranitet të thyer dhe me popull depersiv nga frika e luftës. BE-ja është dashur të ketë frikë nga migrimi i moladavëve, nga refugjatët e lindjes së mesme, nga kolumbianët e të tjerë. Prandaj gjithë këto lëshime nuk u bëjnë përshtypje vendimmarrësve të BE-së, por e kushtëzojnë Kosovën me armen e refugjatit. Ndërsa i kthyer në realitetin objektiv, krejt Kosova ka njerëz sa një paralagje e Parisit, e Berlinit ose e Romës.

Nuk janë vetëm vizat që BE-ja e ka futur Kosovën në geto, por edhe politika e saj e çakorduar dhe jofleksibile e ka kthyer këtë fuqi në Prokust me çekan.

Sapo Kosova e tregoi veten se është shtet sovran, duke vendosur masa ekonomike 100 për qind ndaj produkteve serbe, e gjithë BE-ja kaloi në trans. Hapi tjetër – formimi i Ushtrisë i trazoi gjysmën e shteteve evropiane. Disa u shprehën hapur se ky hap është i ngutshëm. Gjithë këto reagime erdhën me justifikimin “mos me prish jaraninë me Serbinë”. E ndërkaq kur kjo e fundit po e sfidon Kosovën me secilin hap, UNESCO, INTERPOL, OKB, asnjë reagim nga BE-ja.

Si popull që jetojmë me shumë optimizëm shpresojmë në një këndellje të BE-së në relacion me kosovarët në vitin 2019. Qasje me proaktive për vizat e për MSA-në, për integrim dhe për zhvillim ekonomik. E veçanërisht një paanshmëri në ndarjen e pazarit të madh në bisedimet finale me Serbinë. Me shpresën që BE-ja nuk do ta luajë rolin e Prokustit, që të na shtrijë në shtratin ku këmbët na mbesin jashtë.

Me shumë pesimizëm e me pak shpresë. Urime Kosovës vitin 2019. Gëzuar!

(Autori është gazetar)

PËRGJIGJU