Zaevi pranoi kërkesën e Selës për statusin kushtetues të shqiptarëve – ASH do t’i votojë amendamentet

0

Aleanca për Shqiptarët do të votojë pro ndryshimeve kushtetuese, pasi që kryeministri Zoran Zaev pranoi amendamentin për ndryshime në preambulë.

Kryetari i Aleancës Ziadin Sela pas takimit ka deklaruar para mediave se ka qenë një takim i frytshëm ku ka pasur kompromis.

“Me kënaqësi ju informoj se prej sot nuk ka më dy kategori qytetarësh,sot patëm një takim shumë të frytshëm me Kryeministrin Zaev me ç’rast biseduam rreth kërkesave tona sa u takon ndryshimeve kushtetuese dhe arritëm një kompromis sa i takon preambulës e cila në të ardhmen nuk do të bëjë më ndarjen e qytetarëve në dy kategori. Gjithashtu biseduam dhe u dakorduam që anëtarësimi i vendit në NATO është interes jetik dhe i përbashkët i të gjithë qytetarëve, prandaj është momenti historik që të sjellim vendime të rëndësishme për vendin dhe të ardhmen e rajonit në përgjithë si”, theksoi Sela, raporton INA.

Lajmin për arritjen e kompromisit e ka bërë të ditur edhe kryeministri Zoran Zaev.

“Do të hiqet pjesa “të cilët jetojnë në kufijtë”, që të mos lihet përshtypje se shqiptarët, turqit dhe të tjerët janë vetëm përkohësisht këtu, tha Zaev.

Gjithashtu edhe për çështjen e diasporës kanë arritur marrëveshje, gjegjësisht që të mos thuhet se shteti kujdeset vetëm për diasporën maqedonase, por për të gjitha etnitetet që jetojnë në të.

Në lidhje me çështjen e riemërimit të gjuhës shqipe nga “gjuha që e flasin 20% e popullatës” në gjuhën shqipe, Sela tha se këtë do ta shqyrtojnë në të ardhmen.

Për të njëjtën gjë, Zaev deklaroi se nuk ka mundësi formale që tani të realizohet, por se edhe ai nuk dëshiron që ndonjë gjuhë të thirret me përqindje.

 

PËRGJIGJU