Kur rrugëve të emigrimit takoj poezinë dhe artin e vendit tim

0

 

Studiuesi dhe kritiku i artit, Miho Gjini sjell copëza të artit shqiptar nga Greqia. Mes emrave të njohur të kulturës dhe artit, ai ndalet tek poetja Brikena Qako, të cilën ai e përshkruan si një shkrimtare me shpirt “luftarak” dhe me një ndjeshmëri si ajo e aktorëve të mirë

Miho Gjini

Në një klimë të mirë, në Qendër të Athinës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe  e Artistëve Shqiptarë në Greqi (Litter-Art) , organizoi promovimin e librit poetik të Brikena Qamas  “Dëshirat e mia mbarojnë çdo mbrëmje”  me anëtarët e saj, si edhe me shumë lexues, krijues, miq e intelektual të Komunitetit tonë në vendin fqinjë. Duke  qenë edhe në marrëdhënie të ngrohta me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe atë të Artistëve Grek, gjatë 15 vjetëve të veprimtarisë së vet, me aktivitetet e saj të rregullta, cilësore e të vazhdueshme, ka përballuar edhe mjaft evente kulturore, letrare e artistike, për të mos u ndjerë sa duhet mungesa e Qendrës Kulturore Shqiptare, e premtuar dhe e miratuar në Parlamentin Shqiptar qysh prej 10 vitesh, gjë që s’ka si mos ta ndjejnë mijëra emigrantët e këtushëm. Të shpërndara sikundër janë, Shoqatat Kulturore-Atdhetare , Lidhjet e Shkrimtarëve  e të Artistëve, si edhe një grupim instrumentistësh të inkuadruar  nëpër formacione  të rregullta të Shtetit Grek, sidomos në “Megaro Muziqi”, apo edhe  individë profesionistësh të artit që dëshirojnë të krijojnë  të veçuar, kanë dhënë një panoramë të vlerave tona, të cilat shumë herë nuk përmenden në Shqipëri, veç kur kthehen aty ndonjë ditë të bukur e ja bëjnë “BUM”!, si në rastin e talenteve të spikatura që u shfaqën në Festivalin e fundit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, midis të cilëve edhe aktori i talentuar Viktor Zhusti, që shkëlqeu me performancën e tij të aktrimit, apo edhe artistë të tjerë të rikthyer aty, si aktorët Laert Vasili, Karafil Shena, Bruno Shllaku, Merita Dabulla, Myzafer Zylfa, regjisori Bujar Limani, kompozitori Spartak Tili, (me bashkëshorten këngëtare Anthulla Tili), piktori kubist Leonidha Bullgari, pianistët Sandër Çefa (Muzikologu i ndjerë) e Lefter Liço, shkrimtarët, poetët e studiuesit e letërsisë Mihallaq Qilleri, Pirro Loli, Hyqmet  Meçaj, Astrit Hajdini ( i ndjerë), Primo Shllaku, Thodhori Babe, vëllezërit Dionis e Spiro Qirixidhi dhe shumë e shumë të tjerë që harrohen kur ikin dhe pastaj “bien në sy” kur kthehen dhe duken si të rënë nga “qielli i pastër”. Po kryefjalën e kemi për poeten Brikena Qama që ka ardhur këtu fare e vogël dhe   jeton e punon në Athinë qysh prej 30 vitesh dhe as që njihet fare në Shqipëri . Por Shqipëria është në zemrën e saj dhe njihet këtu si një veprimtare shoqërore mjaft e zonja, e palodhur dhe e kudondodhur, e cila ka përcjellë si prezantuese, moderatore  e aktore, në këtë organizëm artistiko-letrar cilësor (Litter-Art), shumicën e programeve  e të veprimtarive dhe pas 3 librave të saj me poezi, paraqet librin e katërt. Ç’farë ka të veçantë kjo emigrante? Titullin e kopertinës “Dëshirat e mia mbarojnë çdo mbrëmje”, që gjithsesi fshehin e zbulojnë  pa reshtur një jetë njerëzore, apo një trill poetik nga “Bota e Gruas” ?  Kur “Bota Poetike” është gjithmonë e më e gjerë dhe e pafundme…Por ajo, sikundër e thotë vet, përpiqet me modesti të hyjë “nën lëkurën e saj”, të shprehë atë që i ndjen e ja thotë zemra. E  brishtë dhe e këndshme në bisedë, sikundër është edhe në natyrën e saj njerëzore, ajo është “vetvetja”, me një plan të brendshëm lirik. Ka aty, si ta themi më mirë, nënshtresat e veta. Dhe e nisë ligjërimin e vargut me vetminë e beftë, kur njeriut i ndodh që të jetë ndryshe, kur jeta përreth shpesh bëhet edhe më dramatike, kur ajo “ecën”, por edhe komplikohet brenda shpirtit, duke u përballur edhe me pasojat e vetmisë: rënien psikologjike, mërzinë, pesimizmin ndaj realitetit, pastaj edhe vuajtjen e shpirtit, Se poezia prej këndej sikur buron më tepër, ngacmohet e ndizet flakë. “Vetminë e qava pa ardhur!”, shkruan ajo. E është këtu pa “grim” në fytyrë, pa “të kuq buzësh” e pa “Zot e Djall”. Po asnjëherë nuk do që ta vrasë zemrën e vet. “Kam menduar njerëzit në të”, -thotë ajo, edhe pse i quan ata të futur në një “vorbull marjonetash!”, midis të cilëve mundet edhe të zgjedh dikë e të mbahet. Megjithatë, ajo “diku mbahet e dikujt tjetri i tund shaminë”. Poetja ndodhet tashmë në përditshmërinë konkrete të jetës, të një realiteti “zik-zak” dhe qenia e saj në frymëzimin poetik sikur “thërrmohet” në “segmente që këputen e koklaviten mes tyre” e jo pak herë, është e “rrethuar nga nata!”, duke u përpjekur “të shqyej konturet e këtij realiteti të mbrapsht me egon e saj (në kuptimin më të mirë të kësaj fjale!), që të mundet “të qëndis arnat”, jashtë “dekoreve” që ngrihen kudo e ngado përball syve te saj. Sepse metafora e përdorur ka të bëjë me “teatrin artificial” që luhet gjithandej me aktorë hipokritë, që s’dinë as të interpretojnë e të mbulojnë artificialitetin e tyre.

PËRGJIGJU