PSD-ja dallon nga binomi LDK – LV

0

 

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Socialdemokrate (PSD), Aida Dërguti, ka treguar se kjo parti brenda këtyre gjashtë muajve ka krijuar profilin politik në skenën politike të Kosovës. Ajo ka thënë se PSD-ja dallon tashmë qartazi nga partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës dhe ato të opozitës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Dërguti, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se për këto arsye ky subjekt politik është venë në thumb të kritikave nga dy subjektet e tjera opozitare. “Përpjekja dhe zhurma e dy partive të tjera opozitare për ta krijuar përshtypjen se jemi të afërt me pushtetin ka vetëm një motiv: të ndërtojnë konstruksione fiktive te zgjedhësit, sepse tashmë është e qartë se Partia Socialdemokrate ka krijuar profilin e saj politik në skenën politike të Kosovës. PSD-ja dallon tashmë qartazi nga partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës, si dhe nga binomi i momentit LDK – LV”, ka thënë Dërguti. Ajo ka përmendur disa prej veprimeve të pushtetit të cilin nuk do të ishin ndërmarrë pa presionin e kësaj partie.

Sipas Dërgutit, përqendrimi në ushtrimin e politikave zhvillimore e barazitare, si dhe jetësimi i tyre e ka vënë në siklet mazhorancën dhe dy partitë e tjera opozitare.

“Ne kemi shfrytëzuar mundësitë dhe rrethanat e sotme për ta detyruar mazhorancën që t’i mbështesë politikat tona që janë në interes të Republikës, duke i kundërshtuar ato që janë në kundërshtim me interesin e përgjithshëm. Pa Partinë Socialdemokrate nuk besoj se sot do t’i kishim sot në proces bashkimin doganor dhe heqjen e romingut Kosovë – Shqipëri, riformatizimin përmbajtjesor të dialogut me Serbinë, rritjen e pagave në sektorin publik (sidomos të shëndetësisë), reformën në sektorin e bujqësisë dhe atë pensional etj”, është shprehur ajo, duke shtuar se PSD-ja ka mbështetur edhe shumicën e iniciativave nga dy partitë e tjera opozitare, pavarësisht prej akuzave të këtyre partive ndaj PSD-së.

Pretendimet e LDK-së dhe të LV-së se kjo parti do të bëhet pjesë e Qeverisë ajo i ka quajtur absurde dhe qesharake.

Sipas Dërgutit, për vetëm gjashtë muaj prej se ekzistojnë si grup parlamentar, PSD-ja ka iniciuar pesë rezoluta nga të cilat më shumë se gjysma janë në prag të jetësimit, dy interpelanca: gjashtë debate parlamentare, 21 deklarata jashtë rendit të ditës, dy projektligje dhe 40 pyetje parlamentare.

 “Epoka e re”: Znj. Dërguti, PSD-ja gjatë vitit të kaluar vazhdimisht është kritikuar nga dy subjektet e tjera opozitare për mbështetje të pushtetit. Kjo kritikë u shtua pasi ky subjekt politik u bë pjesë e ekipit negociator të Kosovës dhe pasi votoi projektbuxhetin e Qeverisë. Cili është komenti juaj për këto kritika?
Dërguti: Kritika e dy subjekteve opozitare ishte e pritshme. Një grup i ri parlamentar si PSD-ja, që dëshmon çdo ditë e më shumë kapacitete intelektuale, politike dhe profesionale, shkakton natyrshëm shqetësim dhe panik në mesin e subjekteve të tjera politike. Përpjekja dhe zhurma e dy partive të tjera opozitare për ta krijuar përshtypjen se jemi të afërt me pushtetin ka vetëm një motiv: të ndërtojnë konstruksione fiktive te zgjedhësit sepse tashmë është e qartë se Partia Socialdemokrate ka krijuar profilin e saj politik në skenën politike të Kosovës. PSD-ja dallon tashmë qartazi nga partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës si dhe nga binomi i momentit LDK – LV.

“Epoka e re”: Çfarë e ka dalluar PSD-në në aktivitetin e saj opozitar nga dy partitë e tjera, LDK-në dhe LV-në?
Dërguti: Përqendrimi në ushtrimin e politikave zhvillimore e barazitare, si dhe në jetësimin e tyre me rezultate konkrete. Kjo e ka vënë në siklet edhe mazhorancën, edhe dy partitë e tjera opozitare. Ne kemi shfrytëzuar mundësitë dhe rrethanat e sotme për ta detyruar mazhorancën që t’i mbështesë politikat tona që janë në interes të Republikës, duke i kundërshtuar ato që janë në kundërshtim me interesin e përgjithshëm. Pa Partinë Socialdemokrate nuk besoj se sot do t’i kishim sot në proces bashkimin doganor dhe heqjen e romingut Kosovë – Shqipëri, riformatizimin përmbajtjesor të dialogut me Serbinë, rritjen e pagave në sektorin publik (sidomos të shëndetësisë), reformën në sektorin e bujqësisë dhe atë pensional etj. PSD-ja ka mbështetur edhe shumicën e iniciativave nga dy partitë e tjera opozitare, pavarësisht prej akuzave, shpifjeve dhe shpërfilljes së tyre ndaj nesh. Kjo dëshmon se nuk veprojmë me inate fëmijërore dhe që jemi një subjekt i pjekur politik, pa harruar aktivitetin intensiv brenda Kuvendit me iniciativat e ndërmarra. Për vetëm gjashtë muaj prej se ekzistojmë si grup parlamentar, PSD-ja ka iniciuar pesë rezoluta nga të cilat më shumë se gjysma janë në prag të jetësimit, dy interpelanca, gjashtë debate parlamentare, 21 deklarata jashtë rendit të ditës, dy projektligje dhe 40 pyetje parlamentare. Është e paparë në historinë e re të punës së grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës.

“Epoka e re”: Cili do të jetë raporti i PSD-së me Qeverinë gjatë vitit 2019? Kundërshtarët tuaj politikë kanë paralajmëruar se mund të bëheni pjesë e Qeverisë.
Dërguti: Aq sa është absurde, po aq është edhe qesharake që kundërshtarët tanë të flasin për përfshirjen tonë në Qeveri. Sepse këtë nuk mund të na e tregojnë ata sikurse asnjë veprim tjetër. Më mirë sesa të merren me veprimet tona do të ishte që kundërshtarët tanë të merren me veten, të tentojnë të gjejnë qëndrime të përafërta mbi proceset dhe zhvillimet brenda partive të tyre. Ne do të vazhdojmë ashtu siç kemi vepruar deri tani, duke i kundërshtuar, kritikuar dhe penguar veprimet e dëmshme dhe duke i mbështetur e shtyrë përpara ligjet e vendimet qe janë në favor të qytetarëve. Njësoj, s’do t’i përfillim aspak akuzat e ulëta e kritikat dashakeqe që na bëhen nga tabori opozitar.

“Epoka e re”: Sidomos në pjesën e dytë të këtij viti, ky subjekt politik ka hapur disa degë nëpër Kosovë. Sa jeni konsoliduar në terren gjatë këtij viti?
Dërguti: Hapjen e degëve e kemi filluar kah mesi i shtatorit. Deri më tani kemi hapur 15 degë gjithandej nëpër Kosovë. Do të vazhdojmë edhe gjatë vitit të ardhshëm me hapjen e degëve të reja dhe kjo fazë do të përmbyllet më së largu deri në mars. E konsideroj si proces mjaft të suksesshëm deri tani, marrë parasysh se puna në terren kërkon dhe merr shumë energji. Por, ne, përkundër aktivitetit të shtuar në Kuvend, ia kemi dalë të shtrihemi dhe fuqizohemi gjithandej vendit. Vërejmë se ka shumë interesim qytetar që të bashkohen krah nesh dhe ky është sinjal që në një të ardhme të afërt do ta kemi një organizatë shumë të fuqishme.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi i PSD-së për punën e deritashme të Qeverisë Haradinaj?
Dërguti: Ne nuk kemi pasur kurrfarë pritjesh nga kjo Qeveri, prandaj edhe nuk e kemi votuar. Në keqqeverisje nuk dallon nga qeveritë e tjera të pasluftës. Mirëpo, mungesa e numrave në Kuvend e detyron këtë Qeveri të jetë më bashkëpunuese me opozitën, për dallim të qeverive që kanë pasur 2/3 në Kuvend dhe kanë qeverisur me arrogancë.

“Epoka e re”: Çfarë ka bërë mirë e çfarë keq kjo Qeveri, sipas PSD-së?
Dërguti: Kjo Qeveri shquhet për nga numri i skandaleve, tashmë të njohura për publikun. Përveç tyre, ka ngecje në shumë procese integruese të vendit, por për çfarë e ndan fajin me qeveritë paraprake, që të jemi deri në fund korrekt. Mirëpo, kjo Qeveri do të mbahet mend edhe për dy vendime të rëndësishme që i ka marrë. E kam fjalën për bërjen e ushtrisë, për çfarë, fatmirësisht, kishte unitet brenda gjithë spektrit politik. Dhe, së dyti, për taksën ndaj Serbisë, që në rrethanat aktuale ishte kundërpërgjigjja më e mirë ndaj agresionit diplomatik të këtij shteti ndaj Kosovës.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU