Një vdekje e çuditshme

0

 

Shkelzen Halimi

Një ditë para se ta humbte vetëdijen, ajo më tha: nëse vdes, mos më varrosni pa qenë prezent (Kostan)DINI dhe (Dorun)TINA. I thash se do ta mbaj fjalën. Të nesërmen mora lajmin e keq: ajo humbi vetëdijen. Po të njëjtën ditë mori një mot i lig, me borë e acar të trishtueshëm. Mora Dinin në telefon dhe ia tregova lajmin e rëndë. Do të vij, ndonëse të gjitha rrugët janë të pakalueshme, tha ai. Gjallë a vdekur do të jemi aty, bashkë me Tinën.
Po e mbajmë në jetë, më tha mjeku kujdestar, por sa do të zgjasë kjo gjendje nuk e di.
Pas shtatë ditë udhëtimi, të rraskapitur sa s’ mund të përshkruhet, Dini dhe Tina mbërritën në shtëpi. Pikë gjaku s’ kishte mbetur në fytyrat e tyre. As folën e as futën gjë në gojë. Lajmet edhe më tej njoftonin për rrugët e pakalueshme.
Si arritët deri këtu, i pyeta rrugës drejt klinikës. Nuk mora përgjigje.
Bashkë me mjekun u futëm në dhomën e vogël. Pashë se Tinës i rrëshqiti në faqe një pikë loti, kurse Dini ia përkëdheli ballin. Ata dolën, ndërkaq unë mbeta me mjekun.
Gjendja e saj nuk premton shumë, më tha ai.
Mendova se Dini e Tina po më pritnin jashtë, por nuk ishin. Pastaj shkova në shtëpi, i bindur se do t’i takoj aty. Nuk i gjeta. Nuk erdhën as në mbrëmje, as të nesërmen kur në mesditë mjeku më njoftoi se jeta e saj ishte shuar. E varrosëm, por mendjen e kisha te zhdukja e papritur e Dinit dhe Tinës. Çuditërisht askush nga të pranishmit, ndonëse të gjithë i kishin parë, nuk e zunë në gojë mungesën e tyre. Diçka kishte ndodhur, por ja që s’ mundesha ta gjej fillin.
Në mbrëmjen e të njëjtës ditë, pak para mesit të natës, cingëroi telefoni. Dëgjova zërin e Dinit. Po dëneste. Ishte e pamundur të vijmë, më tha ai dhe e uli receptorin.
Kurrë më nuk u paraqitën, as Dini e as Tina. I kam kërkuar gjithandej. U zhdukën pa lënë gjurmë.
Ishte një vdekje e çuditshme, më tha mjeku ditën kur ma kumtoi lajmin e kobshme. Pak para se gjithçka të merrte fund, ajo i kishte thënë mjekut: po shkoj me Dinin dhe Tinën. I kishte mbyllur sytë, duke buzëqeshur…
Nuk e di…ndoshta kishin qenë aty…nuk e di…

PËRGJIGJU