Ekipi për dialog s’ka peshë unifikuese dhe negociuese

0

 

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar se dialogu me Serbinë është në kaos total për shkak të kërkesës së BE-së për heqjen e taksës dhe insistimit të Kosovës për ta mbajtur taksën deri në njohjen nga Serbia.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se mosinkuadrimi i dy partive më të mëdha në dialog ka bërë që ekipi negociator mos ta ketë peshën unifikuese dhe negociuese.

Deputetja Kusari-Lila ka deklaruar se nuk do të mund të ketë vazhdim të dialogut në këto rrethana dhe me këtë përbërje të ekipit negociator.

Sipas saj, zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë dhe për kaosin institucional janë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kohën e organizimit të të cilave duhen marrë vesh partitë mes vete

“Epoka e re”: Znj. Kusari-Lila, Kosova tashmë ka arritur ta ketë një ekip negociator për dialogun me Serbinë. Si e shihni mandatin e këtij ekipi dhe pse Alternativa nuk është pjesë e tij?
Kusari-Lila: Miratimi i rezolutës për dialog në Kuvend në formatin se si është bërë, gjegjësisht me mosinkuadrimin e dy partive më të mëdha opozitare, bën që ekipi për dialog nuk mund ta ketë peshën unifikuese dhe forcën negociuese. Situata politike në Kosovë kërkon domosdoshmërisht uljen në një tavolinë të të gjitha partive politike shqiptare për t’i diskutuar afatet kohore qoftë edhe për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të reja, në mënyrë që të kemi një agjendë të mirëfilltë. Dialogu me Serbinë është në kaos total për arsye se në njërën anë kemi kërkesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për heqjen e taksës, në anën tjetër qëndrimin e Kosovës për mbetjen e taksës deri në njohjen nga Serbia. Si do të dialogojë Kosova dhe a do të mbetet ky delegacion vetëm si delegacion shëtitës në diskutimet me BE-në, kjo mbetet të shihet. Megjithatë, fillimi nuk është premtues. Alternativa nuk është pjesë e ekipit për shkak se tashmë nuk mund të ketë ndonjë rezultat konkret dhe ajo që është shkaktuar deri më tani me procesin e dialogut nuk mund të rregullohet. Alternativa me një vendim gati unanim të kryesisë së saj ka vendosur që para se të ngutemi që të kemi ekipin ta trajtojmë situatën e brendshme politike në Kosovë, të kemi një konsensus të partive politike dhe vetëm pasi të arrihet ky konsensus të jemi pjesë e procesit të dialogut.

“Epoka e re”: Është e vërtetë se çështja e përfshirjes në këtë ekip ka ndikuar në përçarjen e Alternativës, përkatësisht në prishjen e raporteve tuaja me deputetin Ilir Deda?
Kusari-Lila: Mund t’i karakterizoj si mendime ndryshe, por jo përçarje, sepse Alternativa është e unifikuar dhe votimi në kryesi ka qenë unik. Propozimi i Ilirit për pjesëmarrje në ekip apo edhe për përfshirjen e Alternativës në ekip ka qenë në kohën kur është menduar se mund të ketë ndonjë ndryshim të ekipit në kuadër të procesit, por tash po e shohim se shanset janë minimale që të ketë vendime pozitive për Kosovën dhe dialogun.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh zhvillimet në Kosovë dhe në BE, prisni vazhdim të dialogut?
Kusari-Lila: Kosova duhet t’i ketë të përcaktuara vendimet dhe përfitimet. Në qoftë se mbahet taksa atëherë duhet të përcaktohet afati dhe qëllimet e taksës. Nëse thuhet se taksën do ta mbajmë për të na njohur Serbia atëherë nuk kemi nevojë të shkojmë fare në dialog, të formojmë ekip dhe të ndajmë mjete pasi që synimi i dialogut është njohja nga Serbia. Përderisa kryeministri thotë se taksa nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia atëherë nuk ka nevojë që të humbim kohë dhe energji në dialog, por duhet ta presim efektin e taksës. Dyshoj se mbajtja e taksës do ta bëjë Serbinë që të njohë Kosovën. Në të kundërtën, do të ishin disa objektiva më të prekshme. Kryeministri për heqjen e taksës duhet të vendosë disa kërkesa për zbatimin e marrëveshjeve të parealizuara siç janë marrëveshja për energjinë, për lëvizjen e lirë, për menaxhimin e kufijve e të tjera të cilat shkelen nga Serbia në mënyrë eklatante. Nëse vazhdohet kështu, Serbia do të gjejë forma të tjera të zhvillimit të saj ekonomik jashtë Kosovës, ndërsa Kosova do të mbetet e izoluar dhe pa ndonjë perspektivë në raport me integrimin.

“Epoka e re”: Do ta përballojë Kosova presionin ndërkombëtar për heqjen e taksës?
Kusari-Lila: Kosova do të mund të vepronte shumë më mençur. Qeveria Haradinaj nuk sjell as vendime të mençura dhe as strategjike. Sikur t’i kishte objektivat e veta të qarta dhe të matshme nuk do të kishte nevojë që presioni të bëhet vetëm mbi Kosovën, por presioni do të kthehej nga Serbia që t’i realizonte kërkesat e Kosovës siç është zbatimi i marrëveshjes për energjinë, ta zëmë brenda disa jave apo një muaji, zbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, lirimi i urës në Mitrovicë, zbatimi i marrëveshjes së kufijve dhe zbatimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave. Të gjitha këto pastaj do të bënin që faktori ndërkombëtar ta shtojë presionin ndaj Serbisë që t’i zbatojë marrëveshjet që i ka nënshkruar. Në këtë formë faktori ndërkombëtar është duke i bërë presion vetëm Kosovës pa marrë parasysh se Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet dhe të bëjë probleme serioze për Kosovën dhe qytetarët e saj. Rastin e fundit e kemi maltretimin që po u bëhet mërgimtarëve tanë në kufi. Askush nuk e ngre zërin për atë çështje nga faktori ndërkombëtar, të gjithë e ngrehin zërin për taksën. Ky veprim i Qeverisë Haradinaj është i pamatur dhe i pamenduar mirë. Është një sharllantizëm politik në formën e vet se si është shpërfaqur që të insistohet se mbajtja e taksës deri në njohjen e Serbisë. Serbia nuk do të na njohë dhe taksës mund t’i humbë efekti pas një kohe dhe në fund nuk kemi arritur asgjë me këtë proces.

“Epoka e re”: Nuk mendoni se taksa mund ta fuqizojë pozicionin e Kosovës në dialog?
Kusari-Lila: Jo. Unë jam që të mbahet taksa por, gjithashtu, jam që të vendosen disa kushte të tjera për heqjen e saj. Të kuptohemi drejt: jam që taksës t’i vendosen objektivat e matshme. Do të thotë taksa mbahet derisa Serbia nuk fillon respektimin e marrëveshjes për energjinë, për lëvizjen e lirë, për menaxhimin e kufijve apo edhe derisa nuk hyjmë në negociata për lirimin e hapësirës ajrore, sepse kemi problem serioze të kostos së fluturimeve në Kosovë për faktin se asnjë avion që vjen nga vendet e tjera nuk mund të fluturojë mbi Serbinë, por duhet të shkojë përreth me çka edhe rritet kostoja e udhëtarëve. Taksa të mbahet, por duhet të jetë një kusht tjetër, dhe jo kushti i njohjes. Në të kundërtën, Kosova publikisht duhet të thotë se tërhiqet nga dialogu me Serbinë dhe forma e vetme që pret për ta  njohur Serbia është përmes taksës.

“Epoka e re”: Këtë vit prisni lëvizje pozitive sa i përket procesit të integrimeve evropiane për Kosovën apo do të mbesim të varur nga dialogu?
Kusari-Lila: Përderisa e kemi Qeverinë Haradinaj në pushtet Kosova nuk do të ketë zhvillime pozitive as në raport me integrimet e as në raport me zhvillimet e brendshme. Kjo Qeveri nuk i ka sjellë të mira Kosovës dhe nuk do t’i sjellë sepse nuk mendon strategjikisht dhe as në të mirë të vendit. Deri në momentin kur të ndërrohet kjo Qeveri, Kosova do të jetë e bllokuar dhe e izoluar ashtu siç është sot.

“Epoka e re”: Së shpejti pritet të fillojë sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës. Do të ketë Kuvendi një rol më të madh korrigjues dhe mbikëqyrës ndaj kësaj qeverie?
Kusari-Lila: Kuvendi duhet ta ketë rolin e tij dhe të gjithë deputetët pa përjashtim, pozitë dhe opozitë, duhet t’i marrin seriozisht detyrat e veta. Deri më tani ka pasur probleme serioze në mbarëvajtje të seancave dhe mungesë së kuorumit, por shpresoj se në këtë vit Kuvendi të ketë një aktivitet të shtuar monitorues dhe korrigjues ndaj Qeverisë Haradinaj, pse jo edhe rrëzimin e saj.

“Epoka e re”: Pajtoheni me konstatimin e LDK-së dhe të Vetëvendosjes, se zgjidhja më e mirë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme?
Kusari-Lila: Absolutisht se zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë dhe për kaosin institucional janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, për kohën e organizimit të të cilave duhen marrë vesh partitë mes vete. Qëndrimi ynë dallon me ata sepse ne mendojmë se duhet të ketë një qëndrim mes partive politike. Qeverisja Haradinaj nuk e ka potencialin dhe mundësinë që të bëjë zhvillime pozitive për Kosovën, prandaj vetëm po e degradon shtetin.

“Epoka e re”: Nëse nuk do të ketë dakordim për shkuarje në zgjedhje si e shihni ecurinë e proceseve, përkatësisht vazhdimin e dialogut? Prisni arritjen e një marrëveshje të dobishme për Kosovën?
Kusari-Lila: Shanset janë minimale që të arrihet çfarëdo marrëveshje. Nuk besoj se do të kemi vazhdim të dialogut në këto rrethana dhe me këtë përbërje të ekipit.

Shqipe HETEMI

PËRGJIGJU