Komuna e Vitisë dhe Let’s do it Kosova, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, për zhvillim të shumë aktiviteteve, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit jetësor, si dhe sensibilizimin e shoqërisë sonë, për çështje mjedisore. Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin që çështja ambientale të institucionalizohet edhe në institucionet edukativo-arsimore, nëpërmjet programeve trajnuese për nxënës, si hap fillestar.
Në vazhdën e këtij bashkëpunimi, do të përfshihen 20 shkolla të komunës së Vitisë.
Let’s do it Kosova është duke zhvilluar produktin e trajnimeve për nxënës të shkollave fillore, të mesme të ulëta me titull: “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve në fushën e mjedisit jetësor dhe rivitalizimin e hapësirave shkollore”.
Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi me përfaqësuesit e Let’s do it Kosova, kryetari Sokol Haliti ka theksuar se ne si institucione kemi qenë në vazhdimësi të angazhuar sa i përket çështjeve ambientale e mjedisore, e gjithashtu edhe në krijimin e hapësirave gjelbëruese në komunën e Vitisë.
Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe drejtoresha e Arsimit Fatbardha Emini, drejtori i Shërbimeve Publike, Nexhmedin Jakupi , si dhe ai i Urbanizimit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Ajet Sallahu./GJILANI.INFO/