Viti: 50 mësimdhënës do të jenë pjesë e trajnimit “Këshillime për studime në SHBA dhe bursa”

0

 

Është zyrtarizuar sot Marrëveshja e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit mes komunës së Vitisë dhe American Advising Center (AAC), themeluar nga Departamenti i Shtetit Amerikan nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Kosovë, që parasheh programin e trajnimit për Mësimdhënësit e Komunës së Vitisë – të akredituar nga MASHT për Zhvillim Profesional dhe Licencim.

Në bazë të kësaj marrëveshje, AAC do të ofrojë trajnimin e lartpërmendur për zhvillimin profesional dhe licencimin e 50 mësimdhënësve të Komunës së Vitisë – të ndarë në dy – 2 – grupe.

Trajnimi “Këshillimi për studime në SHBA dhe bursa” është program trajnues plotësues për mësimdhënësit e shkollave të mesme të larta, gjimnazeve dhe shkollave profesionale. Qëllimi kryesor i trajnimit është që të aftësojë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës në ofrimin e informatave dhe përgatitjeve të nxënësve për studime në SHBA /ose botë, me bursa.

Marrëveshja e Mirëkuptimit është bërë mes kryetarit të komunës, Sokol Haliti dhe Liri Sylaj Kadriu nga American Advising Center (AAC).

Pas përfundimit të trajnimit “Këshillimi për studime në SHBA dhe bursa”, mësimdhënësit do të aftësohen për këshillim të nxënësve të shkollës apo komunitetit rreth mundësive për studime në SHBA, ndihmë nxënësve në procesin e konkurrimit për studime dhe bursa në SHBA, përgatitje të nxënësve për testet standardizuese TOEFL dhe SAT, krijimin e një strukture për mësimdhënien, në shkollë e komunitet, që nxit te menduarit , për të shërbyer si burim përvoje dhe njohurish për mësimdhënësit, drejtorët, prindërit dhe nxënësit e tjerë./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU