Prodhuesit serbë të Kosovës ankohen për mungesë tregu

0

 

Prodhuesit serbë të Kosovës janë ankuar se asnjë produkt i vetëm i prodhuar nga ndonjë biznes serb në Kosovë nuk vihet nëpër marketet tregtare në Kosovë për t’u shitur, shkruan Gazeta Zëri.

Rreth 20 biznesmenë serbë të Kosovës, të cilët merren kryesisht me prodhime të produkteve të ndryshme, janë ankuar se prodhimet e tyre nuk mund të gjejnë vend në tregun kosovar dhe për këtë problem të tyre fajësojnë edhe qeverinë e Serbisë, por edhe atë të Kosovës. Portali serb “Kossev” në veri të Mitrovicës ka realizuar një bisedë me disa nga biznesmenët serbë në veri të Mitrovicës, por edhe me disa nga ata në jug, të cilët kanë treguar për problemet që kanë me plasimin e prodhimeve në treg. Sipas tij, rreth 20 biznese serbe në Kosovë kanë regjistrim të dyfishtë, të Serbisë dhe të Kosovës, u janë përgjegjës dy sistemeve tatimore, derisa kanë qasje vetëm në pjesën e ngushtuar të tregut të Kosovës, në mjediset serbe. Përvoja e tyre e deritashme, siç kanë thënë biznesmenët serbë, është se edhe prodhimet lokale kanë “nacionalitet”, andaj hipermarketet e mëdha të Kosovës “mallrat e prodhuesve serbë nuk i marrin për t’i vendosur në rafte për shitje”. Në anën tjetër, ata janë të detyruar, sipas një vendim të qeverisë së Serbisë për shkak të procesit të Brukselit, që në Serbi të paraqitën si ‘infurnizues’ dhe në këtë mënyrë përballen me shumë barriera burokratike, ndërsa qasja në institucionet serbe në Kosovë, siç është Qendra Studentore, është e kufizuar.   Sasha Stojkoviq, prodhues i bonboneve “zhele” dhe llokumit, ka thënë se lëndën e parë e merr nga shqiptarët pa asnjë problem, por ka 14 vjet që “nuk ka arritur prodhimet e tij t’i plasojë në rrjetin e marketeve ETC”. “Me të gjithë kemi pasur kontakte, me shtëpitë e mëdha tregtare dhe me rrjetin e marketeve duke filluar nga ETC-ja, ‘Viva Fresh’, ‘Emona’, ‘Interex’. Fillimisht na thonë se nuk dinë serbisht, kur e sjell përkthyesin na thonë që t’ua dërgojmë mostrat, çmimet e prodhimeve, pastaj na thonë se ‘ju lajmërojmë’. Herën e fundit kemi kërkuar të futemi në katër objekte, sepse kapacitetet tona nuk janë të tilla që të mundë ta furnizojmë ETC-në. Kemi kërkuar që objektet të jenë atje ku janë serbët, në ETC në Mitrovicë, në Gjilan, në Lipjan dhe në Viti. Por qe 14 vjet marrin përgjigjen ‘Jo”, thotë ai.

Radomir Veliçkoviq, pronar i thertores “Lesak – Com” nga Leshaku, thotë se nuk mund t’i përmbushë kapacitetet prodhuese në mungesë të punëtorëve, ndërsa prodhimet e tij i plason edhe te shqiptarët, në mjediset e krishtera. Ai thotë se tani e ka goditur taksa prej 100 për qind në importin e produkteve serbe, pasi bagëtinë i merr nga Serbia. Sipas tij, atë e ka goditur edhe konkurrenca jolojale, sepse taksa tatimore në bagëti në Serbi është 10 për qind, ndërsa në Kosovë 18 për qind.

 Veliçkoviq: Prodhimet e mia i blenë edhe shqiptarët

“Për këtë arsye shumëkush detyrohet të kontrabandojë dhe si rezultat kemi çmim më të ulët për atë 8 për qind. Te myslimanët është vështirë të shiten produktet e mishit, ndërsa te të krishterët mallrat e mia shkojnë menjëherë. Në ato mjedise ku ka të krishterë kam shitur gjithë prodhimet, siç është Vitia, Klina, Gjakova. Më duhet ta pranoj se më kanë ndihmuar edhe disa myslimanë, të cilët i njoh dhe nuk kam pasur problem me plasmanin e prodhimeve nga thertorja ime”, ka thënë Veliçkoviq, i cili ka shtuar se ka të punësuar 27 punëtorë, por ka hapësirë edhe për të paktën 50 punëtorë. Sipas tij, mungon fuqia punëtore e kualifikuar dhe ky është një nga problemet me të cilin përballet. Në veri të Kosovës ekziston edhe problem me kreditë nga bankat për biznese, që është specifike në këtë pjesë. Derisa në veri limiti për tërheqje të kredisë për biznese është 50 mijë euro, në jug mund të merren kredi deri në 100 mijë euro.

 Veliçkoviq: Deri në 20 mijë euro kredi

“Bankat nuk janë të gatshme të na përcjellin me kredi aq sa neve na janë të nevojshme dhe të cilat i kemi që ta mbulojmë kredinë. Firma ime mund të vlejë edhe 1 milion euro, por banka nuk mund të japë kredi më të lartë se 20 mijë euro”, ka konstatuar ai.

Probleme kanë edhe bletarët. Një prej tyre Novica Vlashkoviq nga Mitrovica, thotë se problemi i plasimit të produkteve nuk është ai kryesor, ndonëse nga të ardhurat e fundit ende nuk ka mundur t’i shesë edhe 300 kilogramë mjaltë, nga 900 kilogramë sa i ka prodhuar. Sipas tij, bletarët serbë nuk shesin mjaltë në jug të Ibrit sepse ka probleme edhe me mjaltin e falsifikuar, i cili shitet me çmim të ulët. Ai thotë se prodhimet e tij i shet në shitoret e “Novitet”-it dhe në Verbas të Serbisë, shkruan Gazeta Zëri.

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar se për shkak të taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 100 për qind në importin e produkteve të Serbisë për 80 ditë janë plasuar në Kosovë rreth 90 milionë euro më pak mallra sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por ministri serb ka konstatuar se produkte të prodhuesve të Serbisë ka në gjithë Kosovën, që kanë hyrë dhe që hyjë përmes rrugëve ilegale – kontrabandës./Zëri/

PËRGJIGJU