Sela drejtor i Agjencisë për zbatimin e ligjit në përdorimin e gjuhëve

0

 

Ylber Sela është emëruar drejtori i Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ai u përzgjodh nga 19 kandidatë të paraqitur në konkursin publik të shpallur nga Qeveria, që 4 vitet e ardhshme të ushtrojë këtë post.

Sela tha se bashkë me emërimin, vjen edhe përgjegjësia. Në Ligjin për përdorimin e gjuhëve thuhet se është drejtori ai i cili do të bëjë organizimin e brendshëm, pra edhe përzgjedhjen e ekipit. Sela thotë se për këtë duhet të përzgjidhen më të mirët.

“Unë mendoj që duhet të marrim më të mirët, sepse është një punë e ndjeshme. Është një institucion shumë i ndjeshëm që kërkon shumë përgjegjësi. Unë jam i mendimit që në vendin tonë ka njerëz të aftë. Të rinj dhe të reja që kanë diplomuar, magjistruar, por edhe doktoruar në këto fusha. Nga ana tjetër gjithashtu kemi kuadër që janë në pension, që kanë një përvojë të madhe të cilët duhet të konsultohen”, tha Ylber Sela, Drejtor i Agjencisë për zbatimin e ligjit për gjuhët.

Duke komentuar emërimin në këtë post të një jo gjuhëtari, profesori Vebi Bexheti pas këtij akti të kryer, shpreson se të paktën Agjencia do të ketë një ekip profesionistësh të sferës së gjuhës.

“Ky post ka përgjegjësi dhe realizimi me sukses i kësaj përgjegjësie do të varet shumë nga përzgjedhja e ekipit që Ylber Sela duhet të bëjë. Nëse do të krijojë një ekip profesionistësh, atëherë puna do të jetë me e suksesshme”, u shpreh Vebi Bexheti, Profesor.

Megjithatë, sa i takon pjesës tjetër të kuadrit që do të përbëjë këtë Agjenci, muaj më parë nga Qeveria thanë se punësime të reja nuk do të ketë, por se do të shfrytëzohen të punësuarit aktual në administratë.

“Nuk do të ketë nevojë për punësime të reja pasi që siç kemi thënë edhe më herët, mendojmë se administrata publike ka mjaftë kapacitete dhe njerëz të cilët duhet të shfrytëzohen në mënyrë adekuate”, tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.

Pas Agjencisë, duhet të themelohet edhe Inspektorati për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, për themelimin e të cilës Ministria e Drejtësisë duhet të dorëzojë propozim-ligj të posaçëm. Më 20 shkurt qeveria obligoi të gjitha ministritë që në afat prej 7 ditësh deri te Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë gjegjësisht deri te Grupi punues ndër-resorësh të dorëzojnë listë të ligjeve të cilët përmbajnë dispozita nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa gjithashtu obligon Ministrin e Drejtësisë që në afat prej 15 ditësh të dorëzoj Propozim – ligj për themelimin e Inspektoratit për përdorimin e gjuhëve.

Ndryshe, Ylber Sela ka diplomuar në Austri për shkenca politike që nga fakulteti e deri në studimet posdiplomike. Ylber Sela një kohë ishte këshilltar i Talat Xhaferit derisa ky i fundit ishte ministër i mbrojtjes.

PËRGJIGJU