Mosuniteti dobëson pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë

0

 

Profesori universitar i negocimit ndërkombëtar në Paris, Valon Murtezaj, ka ftuar spektrin politik për unitet në çështjen e dialogut me Serbinë.

Ai ka bërë me dije se pa unitet pozita e Republikës së Kosovë në këtë proces do të jetë më e dobët.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Murtezaj ka vlerësuar se edhe platforma për bisedime me Serbinë, e miratuar në Kuvend, nuk e ka peshën e saj pa votat e dy partive më të mëdha opozitare.

“Një gjë duhet ta kuptojë i gjithë spektri politik përfundimisht, kur bëhet fjalë për interesat nacionale të Republikës së Kosovës, siç është rasti me dialogun me Serbinë, sa herë që nuk ka unitet në reprezentim, pozita e Kosovës në tavolina të bisedimeve dobësohet. Prandaj, platforma, përveç aspekteve të përplasjes me Kushtetutën që duhet konsultuar, pa votat e opozitës nuk e ka peshën e nevojshme që duhet ta ketë në këtë fazë”, ka thënë Murtezaj.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme në mandatin e kaluar qeverisës ka treguar se votimet me shumicë të thjeshtë nuk do të duhej të ishin praktikë në këto raste.

Sipas tij, uniteti në këtë çështje ka të bëjë edhe me zbatimin e marrëveshjeve në të ardhmen.

“Pa unitetin nacional të veprimit proceset e vështira negociatore nuk ecin përpara. Uniteti duhet të gjendet në kapacitetin për t’i tejkaluar egot protagoniste dhe duke u bazuar në kushtetutshmërinë e veprimeve”, është shprehur ai.

Murtezaj ka ftuar institucionet e Kosovës të jenë të kujdesshme sidomos në raportet me ShBA-në. Ai ka deklaruar se Kosova duhet të sillet si partnere serioze në marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Tanimë u theksua qartë nga z. David Hale, se Shtetet e Bashkuara e përkrahin Kosovën dhe kështu do të vazhdojë. Natyrisht, Kosova duhet të sillet si partnere serioze në këtë marrëdhënie të shkëlqyer të përhershme me Shtetet e Bashkuara, ta marrë përgjegjësinë dhe ta ofrojë kontributin e vet me pjekuri maksimale”, është shprehur Murtezaj.

Profesori universitar i negocimit ndërkombëtar në Paris ka shprehur optimizëm se zgjidhja për daljen nga kjo situatë do të vijë shumë shpejt.

“Gjatë javëve në vijim kam besim që gjërat do të marrin rrjedhën e duhur për Kosovën, sepse kështu po humbet shumë kohë dhe ka stagnim. Nëse nuk tejkalohet nyja e krijuar atëherë zgjedhjet e reja, apo qeveria gjithëpërfshirëse, me përfaqësim fer dhe të drejtë sipas fuqisë politike të forcave politike, mbetet opsioni tjetër”, ka thënë Murtezaj

“Epoka e re”: Z. Murtezaj, Kuvendi i Kosovës ka arritur ta miratojë ligjin dhe platformën për dialogun me Serbinë, por pa dy subjektet më të mëdha opozitare. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Murtezaj: Një gjë duhet ta kuptojë i gjithë spektri politik përfundimisht, kur bëhet fjalë për interesat nacionale të Republikës së Kosovës, siç është rasti me dialogun me Serbinë, sa herë që nuk ka unitet në reprezentim, pozita e Kosovës në tavolina të bisedimeve dobësohet. Prandaj, platforma, përveç aspekteve të përplasjes me Kushtetutën që duhet konsultuar, pa votat e opozitës nuk e ka peshën e nevojshme që duhet ta ketë në këtë fazë.

“Epoka e re”: Shumëkush vlerëson se një proces kaq i rëndësishëm për Kosovën, siç është dialogu me Serbinë, nuk mund të zhvillohet pa opozitën. Si duhet të arrihet deri te një konsensus nacional për këtë çështje?
Murtezaj: Ashtu është, sepse po flasim për një proces që ka të bëjë me aspekte të rëndësisë supreme për Kosovën dhe shtetësinë e saj. Votimet me shumicë të thjeshtë nuk do të duhej të ishin praktikë në raste të këtilla. Për shkak se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë nuk janë të bindur në përfaqësim adekuat dhe, po ashtu, kjo lidhet me zbatimin e marrëveshjeve në të ardhmen. Pa unitetin nacional të veprimit, proceset e vështira negociatore nuk ecin përpara. Uniteti duhet të gjendet në kapacitetin për t’i tejkaluar egot protagoniste dhe duke u bazuar në kushtetutshmërinë e veprimeve.

“Epoka e re”: Sipas asaj që po shohim, ky proces nuk mund të fillojë pa ndodhur pezullimi i taksës ndaj mallrave serbe. Thirrjet për suspendim të kësaj takse janë të vazhdueshme nga zyrtarët më të lartë amerikanë. Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për të dalë nga kjo situatë?
Murtezaj: Besoj se tani kemi hyrë në një fazë të konsultimeve intensive me partnerët kryesorë të Kosovës. Vizitat intensive në javët e fundit nga Shtetet e Bashkuara, si partner kryesor i Kosovës, si dhe takimet më të deleguar nga Gjermania këtë javë dhe Britania e Madhe, do të ofrojnë një mundësi të mirë për të krijuar një potencial të mirë për ta tejkaluar nyjën e krijuar dhe për të ecur përpara. Kjo ka të bëjë me tarifën, me procesin e dialogut në përgjithësi, por dhe me qasjen e gjithëmbarshme ndaj proceseve. Qeveria e Serbisë po tregohet destruktive si në sjellje, po ashtu edhe në retorikë. Dhe, kjo duhet të merret parasysh në gjithë diskutimet që po ngjajnë.

“Epoka e re”: Mosrespektimi i këshillës amerikane për suspendim të taksës a mund të ndikojë në ftohjen e raporteve Kosovë – ShBA?
Murtezaj: Tanimë u theksua qartë nga z. David Hale, se Shtetet e Bashkuara e përkrahin Kosovën dhe kështu do të vazhdojë. Natyrisht, Kosova duhet të sillet si partnere serioze në këtë marrëdhënie të shkëlqyer të përhershme me Shtetet e Bashkuara, ta marrë përgjegjësinë dhe ta ofrojë kontributin e vet me pjekuri maksimale.

“Epoka e re”: Si opsione për daljen nga situata aktuale janë përmendur zgjedhjet e reja ose qeveria gjithëpërfshirëse. Cila do të ishte alternativa më e mirë për Kosovën?
Murtezaj: Gjatë javëve në vijim kam besim se gjërat do ta marrin rrjedhën e duhur për Kosovën, sepse kështu po humbet shumë kohë dhe ka ngecje. Nëse nuk tejkalohet nyja e krijuar, atëherë zgjedhjet e reja apo qeveria gjithëpërfshirëse me përfaqësim fer dhe të drejtë sipas fuqisë politike të forcave politike mbetet opsioni tjetër.

Muhamet KOCI

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakIntelektuali i mesëm
Artikulli tjetërBarnat bimore për zemër

PËRGJIGJU