Kosova ka nevojë për investime të huaja

0

 

Me gjithë deklarimet e zyrtarëve të qeverisë se thithja e investimeve të huaja do të jetë njëri nga prioritetet e rëndësishme gjatë këtij viti, të dhënat tregojnë se trendi i investimeve është në rënie.

Ekspertët thonë se promovimi më i mirë për joshjen e investitorëve është përmirësimi i kushteve të të bërit biznes. Në radhë të parë sigurimi i energjisë së mjaftueshme, eliminimi i burokracisë, luftimi i korrupsionit dhe efikasiteti i gjyqësorit.

Kosova ka dështuar në tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Kështu vlerëson kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, duke theksuar se investimet kanë qenë të larta pas shpalljes së pavarësisë, por ato janë zbehur, sidomos në vitet e fundit. Zeka thotë se ajo se në çfarë duhet të përqendrohet tash e tutje Kosova është në vazhdimin e reformave, që garantojnë një mjedis të mirë për të bërë biznes, rritje të sigurisë për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm si dhe vazhdimin e reformave fiskale.

“Disa vite të fundit kemi pasur vazhdimisht masa të reja fiskale, të cilat megjithatë duhet të kenë efekte pozitive në ekonominë e vendit. Sidomos për fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë, i cili pastaj, me kapacitete të reja do të garantojë apo mundësojë edhe zëvendësimin e importeve, por edhe krijimin e vendeve të punës, dhe në një të ardhme edhe rritjen e eksporteve, dhe përmirësimin e deficitit tregtar, apo përmirësimin e bilancit tregtar në përgjithësi.”

Ndërkohë, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se ekonomia e vendit ka pasur ngritje dhe ulje varësisht prej periudhave dhe qeverisjes, ndërsa, investimet nuk kanë qenë në nivelin e kënaqshëm, me gjithë vizitat që ka pasur nga korporata të mëdha për të investuar.

“Fokusimi i gjithë politikës vendore është drejt dialogut me Serbinë, drejt Gjykatës Speciale dhe kjo e ka bërë që vendi ynë të mos jetë atraktiv për investitorë. Neve na nevojiten investimet dhe ato vetëm një vit më herët nga investitorët e huaj që kanë ardhur, mbi 94 për qind të tyre kanë ikur nga Kosova, si pasojë që nuk kanë gjetur mundësi për të investuar në vend.”

Shahini përmend faktin se para dy vitesh, ishte planifikuar investimi më i madh në Brezovicë, dhe pikërisht, sipas tij, janë këto arsyet që nuk ka ndodh një gjë e tillë.
Sipas njohësve të ekonomisë, sektori energjetik, minierat, industria përpunuese, bujqësia dhe turizmi janë vetëm disa nga sektorët potencialë në të cilët investitorët ndërkombëtarë do të mundë të investonin në Kosovë.

PËRGJIGJU