Dekodimi i kërcënimeve të Vuçiqit dhe çmimi i paqes në Ballkan

0

 

Faton Abdullahu

Serbia e Vuçiqit po i kërcënohet botës perëndimore, me prishjen e paqes në Ballkan. Që kjo të duket përnjëmend kërcënuese, Serbia ka plan dhe qëllim se çka dëshiron të arrijë. Në këtë strategji, Serbia së pari viktimizohet. Ky është roli që mendësia politike serb e ka luajtur shpesh dhe djallëzisht. Por, tash është larg më e sofistikuar dhe ka prirjen që t’i përshtatet shumë më mirë rrethanave gjeopolitike.

Viktimizimi i Serbisë së Vuçiqit fillon me serbët e Kosovës. Sipas kësaj strategjie, serbët janë të ekspozuar ndaj diskriminimit institucional në Kosovë, sidomos nga Policia e Kosovës. Në këtë drejtim, gënjeshtrat dhe trillimet përpunohen dhe plasohen mbi baza ditore nga politika dhe mediat e Serbisë. Në përpjekjen për ta paraqitur se krejt kjo nuk është as shaka as trillim, por rrezik i madh për paqen rajonale, arkitekti i kësaj strategjie, Vuçiqi, e paraqet Kosovën si kërcënuese për sigurinë Serbisë. Kështu, kohëve të fundit përmendet se Serbia po u rrezikuaka edhe nga Ushtria e porsa themeluar e Kosovës, nga tarifa për prodhimet serbe, nga Statuti i ri për Trepçën etj. Për më shumë, hiç më larg se dje Vuçiqi deklaroi se “kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është i involvual me bashkëpunëtorët e tij që me protesta në Beograd ta rrëzojë atë nga pushteti”!

Kështu, sipas projektit të Vuçiqit, shteti serb “duhet” të bëjë diçka kundër këtyre sulmeve. Prandaj, Ushtria e Serbisë vihet në gjendje gatishmërie me sqarimin se nëse NATO nuk i mbron serbët e Kosovës dhe Serbinë, dikush duhet t’i mbroj ata, e për rrjedhojë edhe Serbinë nga Kosova.

Këtu fillon të japë rezultat strategjia e Beogradit zyrtar. Sepse, tek domosdoja e Serbisë për t’u mbrojtur nga Kosova, qëndron kërcënimi i pashmangshëm i paqes në rajon. Më pas, kur kërcënohet paqja në Ballkan, reagojnë perëndimorët dhe natyrisht edhe Federata e Rusisë.

Sipas Serbisë, një pjesë e Kosovës “duhet” t’i jepet asaj. Sa më i madh kërcënimi i Serbisë që determinohet nga “nevoja” për t’i mbrojtur serbët e Kosovës, aq më i domosdoshëm involvimi i ndërkombëtarëve për zgjidhje. Thënë ndryshe, sa më i madh kërcënimi i paqes në Ballkan, aq më i domosdoshëm korrigjimi i kufirit Kosovë-Serbi për ta ruajtur paqen. Krejt kjo strategji kuptohet më së miri me atë që po e plason Vuçiqi se ‘Kosova nuk mund të fitojë çdo gjë e ne t’i humbim të gjitha”.

Se këtë nuk po e kupton mirë Haradinaj dhe kabineti i tij, u pa dje kur për kërcënimet e përsëritura të Vuçiqit deklaroi para gazetarëve: “Kjo është primitive. Para se të harxhojë para Serbia për armatim nga Rusia, bën mirë të përpiqet të hyjë në BE”. “Kë do ta sulmojë Serbia?”, pyet Haradinaj, për të shtuar se të gjitha vendet përreth saj janë anëtare të NATO-s. Por, strategjia e Vuçiqit dhe rezultati që mëton Serbia ta arrijë është nga kërcënimi e jo sulmi që mund t’ia bëjë NATO-s.

Koalicioni PAN nuk ka kundërpërgjigje ndaj kësaj strategjie. Për më keq, pushtetarët janë të përçarë, sidomos për atë se për çfarë duhet dialoguar. Kjo është brengosëse kur e mendon se çfarë reagime urgjente imponojnë rrethanat aktuale. Tani duhet të jemi shumë unikë, sepse Serbia nuk është e sëmura e Ballkanit si në kohën e Millosheviqi. Nëse nuk ka strategji kundër Vuçiqit, duhet të ketë strategji të daljes nga kjo situatë në të cilën gjendet Kosova. Sa më shpejtë, aq më mirë.

PËRGJIGJU