Financat, investimet bien 11% në dymujorin e parë

0

 

Ndonëse krahasuar me janar-shkurtin 2018 të ardhurat në buxhet rezultojnë 1.7% më të larta, realizimi i zërave kryesorë buxhetorë paraqitet me luhatje të ndjeshme dymujorin e parë të këtij viti. TVSH-ja dhe akcizat paraqiten me shifra më të ulta nga një vit më parë, përkatësisht 1.6% dge 1.8%. Në të kundërt, tatimi mbi të ardhurat personale ka sjellë 9.9% më shumë të ardhura nga vjet.

Edhe tatimi mbi fitimin solli 14.3% më shumë të ardhura. Pushteti vendor ka grumbulluar mëse 40 për qind të ardhura, por taksa mbi pasurinë solli 12.7% më pak lekë në arkën e bashkive. Biznesi i vogël ka paguar 75% më pak detyrime nga vjet pranë pushtetit vendor, kurse taksat lokale kanë tejkaluar 56.6% shifrën e dymujorit të vjetshëm.

Sa u takon shpenzimeve, janë paguar 52 për qind më shumë fonde për papunësinë, 23.2 për qind më shumë për ndihmë ekonomike, por investimet publike kanë shënuar një shifër 11.1% më të ulta nga një vit më parë.

Bën përshtypje rritja e vazhdueshme e interesave të borxhit publik, që në janar-shkurt 2019 ishin 13.1% më të larta se një vit më parë. Kompensimi për ish-të përndjekurit ka qenë 4.7 herë më i madh, ndërkohë që për pronarët janë paguar 790 milionë lekë, nga zero një vit më parë.

PËRGJIGJU