Havolli: Në të gjitha nivelet ka korrupsion në Kosovë

0

 

“Ka korrupsion. Në të gjitha nivelet ka korrupsion. Por, edhe nuk mund të themi se gjithçka ka stagnuar. Rastet më të shpeshta janë tek tenderat. Ka edhe abuzime të ndryshme, kryesisht ku janë fondet publike. Ndonëse krejt janë gati marrje e dhënie ryshfeti, prap dallojnë për nga forma e kryerjes. Por, si fenomen, ka korrupsion dhe atë në të gjitha nivelet”. Kështu ka thënë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Havolli flet edhe për procesin e deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë, për disa kompetenca shtesë që do t’i marrë Agjencia Kundër Korrupsionit e për disa çështje të tjera.

Z. Shaip Havolli, Agjencia Kundër Korrupsionit po pret këto ditë deklarimet e pasurisë nga ana e zyrëtarëve të lartë publikë. Brenda këtij muaji duhet të përfundojë ky proces. Sa zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë deri tani? 

Shaip Havolli: Në bazë të ligjit për deklarimin dhe prejardhje të pasurisë, afati për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik,  ka filluar më 1 mars dhe  do të zgjasë deri më 31 mars. Deri tash kanë deklaruar një numër shumë i vogël, në krahasim me subjektet deklaruese. Deri më tani kanë deklaruar 498 zyrtarë, nga totali që është 4839 zyrtarë. Presim që në ditët në vijim të kemi më shumë zyrtarë që e deklarojnë pasurinë. Për fat të keq, shumica e zyrtarëve e deklarojnë në fund pasurinë, e kjo na shkakton vështirësi shumë, sepse, pa qenë formularët në rregull ne nuk i pranojmë. Por, zakonisht në javën e fundit i sjellin këto deklarime, kështu që na pamundësojnë për me i kontrolluar disa gabime ose lëshime teknike.

Pastaj ju keni një fazë tjetër të verifikimit?

Shaip Havolli: Pas kësaj, të gjitha këto deklarime të pasurisë – formularë,  ne duhet t’i fusim në databazat tona. Kjo merr kohë përafërsisht dy muaj, sepse është një numër i madh i zyrëtarëve dhe të gjitha këto të dhëna në mënyrë manuale futen në databazë. Por, dua të theksoj se tash me ligjin e ri, deklarimi pritet të jetë online. Jemi duke punuar në një projekt të UNDP-s dhe jemi gati në fazën fillestare të përgatitjes së aplikacionit për deklarim online, që në të ardhmen zyrtarët e lartë nga zyrat e veta do të mund ta bëjnë deklarimin e pasurisë.

z. Havolli a keni bërë përmirësime, apo ndryshime në përmbajtjen e aplikacionit, në krahasim me vitet e më hershme?

Shaip Havolli:  Po të gjitha ato shqetësime që janë paraqitur nga zyrtarët e lartë por edhe shqetësimet që janë marrë nga vetë divizioni që merret me deklarimin e pasurisë, do t’i paraqesim në aplikacionin e ri. Kështu që do të shtohen disa rubrika. Do të jetë ky aplikacion më i detajizuar dhe më i lehtë për t’u plotësuar. Sepse, shpesh, ka pasur raste kur zyrëtarë të lartë bëjnë gabime gjatë deklarimit të pasurisë, por poashtu ka pasur raste kur edhe Agjencia ka gabuar, gjatë futjes së të dhënave në sistem. Ka pas raste kur dikë e kemi bërë milioner, edhe pa qenë fare?

Sa është numri total i zyrtarëve të lartë publikë që duhet të deklarojnë pasurinë dhe të cilave institucione janë?

Shaip Havolli:  Janë 4839 zyrtarë të lartë, të të gjitha institucioneve, duke filluar nga presidenca, kuvendi, qeveria, gjykatat, prokuroritë, një pjesë e policisë, doganës, administratës tatimore, kompanitë publike, bordet e ndërmarrjeve publike menagjerët e prokurimit, këshilltarë të lartë politikë etj. Ata që kanë qasje ose menaxhojnë me paranë publike.

Kohëve të fundit është thënë se edhe zyrëtarët policorë, mësimëdhënësit e edhe mjekët duhet të hyjnë në deklarimin e pasurisë?

Shaip Havolli: Është bërë një analizë dhjetëvjeçare e funksionimit të Agjencisë dhe ligjeve në fuqi, të cilat i zbaton Agjencia Kundër Korrupsionit. Po ashtu kanë dalë edhe disa rekomandime nga Zyra e BE-së, raporti i progresit, por edhe nga vetë agjencia, që të zgjerohet baza deklaruese e zyrtarëve. Kjo bëhet me qëllim që të shikohet se, cilët janë ata zyrtarë, edhe në nivelet tjera, që nuk janë zyrtarë të lartë, të cilët janë të ekspozuar në raport me korrupsionin.Domethënë kanë pozita të ndryshme që mund të jenë pre e korrupsionit, ose menaxhojnë me fonde të ndryshme publike. Dhe kemi ardhur deri te një propozim, duke e parë të rrugës që pasurinë, në të ardhmen, ta deklarojnë edhe të gjithë inspektorët, zyrtarët e prokurimit, profesorët, mjekët, policët, doganierët e zyrtarë të administratës tatimore. Dhe është një propozim që këshilltarët komunalë të hiqen nga lista e deklarimit të pasurisë. Këto janë propozime. Por, në këtë fazë është duke u bërë një vlerësim për të gjitha këto pozita. Mund të ndodhë këta të mos quhen zyrtarë të lartë, por këta do të jenë zyrtarë publikë, që do të deklarojnë pasurinë, bazuar në një vlerësim paraprak që është bërë.  Ne kemi pasur tashmë kontakte me shumicën e këtyre institucioneve që përmenda. Edhe këta janë të pajtimit që edhe zyrëtarët e tyre, të cilët janë të ekspozuar korrupsionit të deklarojnë pasurinë. Këtu nuk përfshihet vetëm deklarimi i pasurisë e prejardhja e tyre, por përfshihen edhe çështje të interesit. Qëllimi është që pas deklarimit të pasurisë, të shihet se ku ka interesa një zyrëtar publik.

A keni arritur ta shihni këtë dallim, në bazë të deklarimeve të deritashme të zyrëtarëve publikë. Sa ka rezultate pas procesit të deklarimit të pasurisë?

Shaip Havolli: Deklarimi i pasurisë ka anët e veta pozitive, sepse e sheh ku janë interesat e zyrëtarëve të lartë. Po ashtu, ata janë të obliguar që për hirë të transparencës të deklarojnë pasurinë. Ka pasur shumë raste kur zyrëtarët janë zënë duke deklaruar rrejshëm për pasurinë e tyre, aksionet e tyre, të hyrat e tyre. Në ato raste është ushtruar kallëzim penal në institucionet përkatëse. Mirëpo, është parë e rrugës që me ligjin e ri, Agjencia të marrë më shumë kompetenca në fushën e hetimit të prejardhjes, sepse, tash ne nuk kemi qasje në gjirollogari, sepse këto kalojnë tek masat e fshehta, bazuar në kodin e procedurës Penale, dhe këto normal kalojnë tek kompetencat penale.

Z. Havolli, Agjencia Kundër Korrupsion ka pasur telashe me komunikmin me prokurorinë e gjykatat, në rastet e kallëzimeve penale dhe identifikimin e shkeljeve që janë bërë. Si e keni gjendjen aktualisht?

Shaip Havolli: Zakonisht ka pasur këso telashe, ka pasur fërkime mes prokurorisë dhe agjencisë për hedhjen e kallëzimeve penale. Ne vazhdimisht jemi në kontakt me prokuroritë dhe kemi adresuar këto probleme, ne lidhje me hedhjen e kallëzimeve penale të agjencisë. Tash situata është më mirë dhe në shumicën e rasteve që i kemi dërguar kemi marrë informacione kthyese, ku prokurorët menjëherë kanë iniciuar procedutrën për ngritje të aktakuzës, ose i kanë proceduar në polici, ose vetë kanë marrë veprime shtesë me qëllim që të trajtohen sa më shpejtë këto kallëzime penale. Ne e kemi informatën kthyese, disa kanë aktakuza disa edhe i kanë hedhur poshtë, çka edhe kanë të drejtë nëse e vlerësojnë ata. Sepse ne bëjmë hetime administrative me dyshim të arsyeshëm. Ndërsa policia dhe prokuroria me dyshim të bazuar. Ne nuk i kemi të gjitha mjetet në dispozicion, për t’i marrë provat materiale, kështu që ne në rastet të tilla, këto raste i dergojmë në polici ose prokurori për hetime të mëtutjeshme.

A keni statistika, për shembull për vitin e kaluar, sa raste i keni dërguar?

Shaip Havolli: Po kemi statistika, shumë shpejt do të behen publike këto statistika në raportin vjetor të agjencisë. Unë për ju do t’i jap disa informacione të përafërta. Agjerncia gjatë këtij viti (2018), ka trajtuar mbi 300 informata, disa kanë qenë të bartura nga viti paraprak, nga viti 2017. Mbi 100 raste janë bartur në polici, prokurori, në administratë tatimore. Mbi dhjetra raste janë dërguar tek organet administrative, për të marrë masa ndaj zyrtarëve që kanë bërë shkelje administrative. Janë mbyllur mbi 100 raste dhe janë në shqyrtim mbi 100 raste. Po ashtu, tek çështja e prokurimit publik, kemi trajtuar mbi 100 raste dhe kemi nxjerrë mbi 100 opinione. Po ashtu rreth konfliktit të interesit kemi trajtuar mbi 100 raste, prej të cilave mbi 30 raste i janë shmangur konfliktit të interesit, mbi 20 raste janë pa konflikt të interesit. Në mbi 50 raste kemi dhënë opinione, këshilla e përgjigje të ndryshme. Mbi 4 raste i kemi dërguar në Departament të Hetimeve për hetime të mëtutjeshme dhe një rast e kemi dërguar në gjykatë për kundërvajtje.

Z. Havolli, deshta të ndalem pak më shumë tek shkalla e korrupsionit në Kosovë. Si e vlerësoni ju si agjenci, a ka korrupsion apo është më shumë perceptim?

Shaip Havolli: Nëse flasim për vitin 2018, institucionet e  zbatimit të ligjit, por edhe agjencia, ka punuar mjaft sa i përket parandalimit dhe luftimit, por barra kryesore i bie prokurorisë. Bazuar në informatat që janë publike, është ushtruar një numër i madh i kallëzimeve penale, një numër i madh i aktakuzave të profilit të lartë, shumica e të cilave janë në proces.

Domethënë ka pasur një lëvizje pozitive, nuk mund të themi që s’ka pasur lëvizje pozitive, por, zakonisht ka vend për përmirësime dhe  natyrisht edhe publiku, por edhe vetë ne si institucion nuk jemi të kënaqur me punën që është bërë. Por këto janë mundësitë dhe kapacitetet. Perceptimi vazhdimisht ka shkuar në rritje, sepse s’po luftohet dhe ka korrupsioni. Po ashtu edhe Transparency International këtë vit, nuk e ka nxjerrë Kosovën aq mirë.

Po, në raportin e Transparency International Kosova ka qenë 8 shkallë më keq se sa një vit më parë?

Shaip Havolli: Po, përceptimi ka qenë më i lartë, se korrupsioni nuk po luftohet.

Kështu që ka korrupsion dhe nuk mund të them se s’ka korrupsion. Por, nganjëherë varësisht prej situatave kur ndodh, rritet edhe perceptimi se pse nuk po luftohet korrupsioni.

Ndër faktorët kryesorë ka qenë Korrupsioni në Kosovë edhe sa i përket çështjës së vizave. Si e keni vlerësuar ju këtë kriter?

Shaip Havolli: Nëse flasim për kriterin dhe raportet që kanë ardhur, kryesisht nga Bashkimi Evropian, unë mendoj se si kritere janë të plotësuara, por ka vend ende sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit. Ka korrupsion. Në të gjitha nivelet ka korrupsion. Por, edhe nuk mund të themi se gjithçka ka stagnuar.

Z. Havolli, kur po thoni ka korrupsion po e thoni bindshëm. A na shpjegoni pak më konkretisht çfarë forma të korrupsionit keni identifikuar ju si Agjenci, qoftë prej atyre më të voglave e deri tek ato më të mëdha?

Shaip Havolli: Zakonisht manifestohen me vepra penale siç janë të ndara, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës zyrate me rastin e ushtrimit të funksionit publik. Me vendimmarrje. Forma të tjera janë edhe aspektet e tenderave, që është një prej formave që është shumë prezente, me rastin e aktiviteteve të prokurimit publik. Agjencia ka monitoruar një numër të madh të aktiviteteve të prokurimit, Në shumicën e aktiviteteve që i ka monitoruar ka dalë me opinione për shkelje. Psh. autoritete kontraktuese kanë përgatitur specifika teknike për operatorë të ndryshëm ekonomikë, dhe ne i kemi dhënë opinione që aktiviteti të ndalohet ose të ndryshohen specifikat e paracaktuara. Ka edhe abuzime të ndryshme, kryesisht ku janë fondet publike. Ndonëse krejt janë gati marrje e dhënie ryshfeti, prap dallojnë për nga forma e kryerjes. Por, si fenomen, ka korrupsion dhe atë në të gjitha nivelet.

Z. Havolli, si e shpjegon këtë mekanizmin e luftës së korrupsionit në Kosovë. Ka disa mekanizma edhe ndoshta përgjegjësi të ndara. Për shembull është Agjencia Kundër Korrupsioni, Këshilli Kombëtar  Kundër Korrupsionit, disa organizata të tjera, gjykatat, prokuroritë. Si komunikojnë ato mes veti, a është e nevojshme të ekzistojnë të gjithë?

Shaip Havolli: Unë nuk kisha me thënë se janë mekanizma shumë. Por ndoshta nuk është e nevojshme të jenë të gjitha. Këshilli Kombëtar është më shumë i karakterit informues, sepse aty nuk debatohen çështjet e hetimeve, sepse ato janë diçka konfidenciale. Por, në Këshill më shumë debatohet për atë se ku qëndorn Kosova sa i përket korrupsionit, apo edhe cilat janë nevojat legjislative që të përmirësohen. Agjencia ka mandat administrativ dhe parandalues, çka mekanizmat tjerë nuk e kanë. Nëse flasim për polici, aty janë dy mekanizma: është Task forca Antikorrupsion dhe Drejtoria për Krime Ekonomike. Edhe ata i kanë përgjegjësitë e ndara. Nuk kisha me thënë se ka mbivendosje, ndërsa sa i përket shoqërisë civile, janë 7-8 organizata që më shumë merren me çështjen e korrupsionit dhe edhe këto janë të profilizuara. Edhe shoqëria civile e ka një mekanizëm të marrjes së informacionit, të cilat natyrisht që i procedojnë në Agjenci, ose edhe institucione të tjera. Institucionet për zbatimin e ligjit nganjëherë kanë ngarkesa të mëdha, e mund të bëjë lëshime, por këto shoqërisa civile i sheh dhe nganjëherë këto rekomandime të OJQ-ve i marrim si të mirëqena. Në disa raste, gjatë hartimit të ligjeve ne kemi marrë disa opinione edhe të OJQ-se, në lidhje me mandatin e Agjencisë. Në njëfarë forme e kemi edhe një kontroll shtesë nga OJQ-të, por këtu nuk ka asgjë të keqe pse monitorojnë, unë këtë zërin kritik e mirëpres, sepse ne na ndihmon të performojmë më mirë.

Keni staf të mjaftuesëhm në Agjenci për të bërë hetime?

Shaip Havolli: Agjencia nuk ka staf të mjaftueshëm për të gjitha këto përgjegjësi që ka. Por, tash siç e dini ka hyrë në fuqi ligji për konflikt interesi, tash e kemi edhe ligjin për sinjalizues. Qeveria, gjegësisht, Ministria e Finanacave,  na ka aprovuar një buxhet shtesë për me e rritë numrin e stafit. Edhe jemi në procedurë të plotësim ndryshimit të pjesëshëm të strukturës organizative, sepse struktura organizative në detaje do të bëhet kur të plotësohet dhe ndryshohet ligji për deklarimin e pasurisë dhe ligji mbi Agjencinë. Agjencia do të marrë kompetenca shtesë në këto dy ligje. Sa i përket ligjit për agjencinë, pritet të marrë edhe disa kompetenca shtesë në aspektin administrativ. Tash përgjegjësi shtesë ka marrë edhe me ligjin për sinjalizues, ku agjencia është institucion zbatues për sinjalizuesit e jashtëm. Po ashtu, kompetencë shtesë do të ketë edhe me ligjin për financimin e partive politike, kur të bëhet auditimi i raporteve financiare. Edhe ky është draft në qeveri. Po ashtu, Agjencia në të ardhmen pritet të merret edhe me vlerësimin e rrezikut ndaj korrupsionit. Për shëmbull mund të bëjë një vlerësim në një institucion, për fushën e prokurimit, financave etj. Deri tash këto vlerësime i kanë bërë  kryesisht UNDP dhe  projekti kundër krimit ekonomik i Këshillit të Evropës. Ne jemi duke punuar më Këshillin e Evropës sa i përket hartimit të këtyre vlerësimeve, sepse në të ardhmen Kosova planifikon të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Po ashtu edhe vlerësimi i legjislacionit, kjo është dicka e re, agjencia planifikon që të bëjë vlerësimin e legjislacionit, nëse një e drejtë e tillë iu jipet, që të vlerësojë, nëse ai ligj ka elemente të mjaftueshme në parandalim të korrupsionit, në çështje të parandalimit të prokurimit të financave e tjera, me qëllim që në burim në ligj t’i aplikojmë ato masa vështirësuese në fushën e konfliktit të interesit. Po ashtu edhe monitorimi i planeve të integritetit. Sic e dini, shumë institucione kanë plane të tilla ose pretendojnë të kenë. Por, nuk ka kush t’i monitorojë këto plane të integritetit. Në të ardhmen planifikohet që agjencia të marrë rolin e monitoruesit të planit të integritetit. Këto janë disa përgjegjësi që planifikohen t’i shtohen Agjencisë, në rast se grupi punues i ligjit mendon se duhet t’i jipen këto përgjegjësi agjencisë.

Z. Havolli, po kthehemi edhe një herë tek deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.  Nëse deklarimi nuk është i saktë dhe ju verifikoni të dhënat në aplikacione, çfarë ndodhë?

Shaip Havolli: Janë tri forma me të cilat agjencia i bën gjatë trajtimit të rastit të kontrollit: Në rast se zyrtarët e lartë deklarojnë pas afatit, më 31 Mars është afati i fundit, deri në ora 12. Në rast se zyrëtarët e lartë nuk e deklarojë pasurinë sipas afatit, agjencia ushtron kallëzim penal, për deklarim pas afatit, në rast se nuk e arsyeton këtë vonesë. Në rast se arsyetohet vonesa dhe ka arsye, atëherë agjencia në bazë të dëshmisë do të marrë për bazë arsyetimin. Në rast se s’ka prova shkojmë me ushtrim të kallëzimit penal. Në rast se ka deklarim të rrejshëm, po ashtu, ushtrojmë kallëzim penal. Ka situata kur mungon edhe elementi dashje gjatë deklarimit, e në këto situata Agjencia nuk ushtron kallzim penal. Domethënë bëjmë një verifikim të të gjitha atyre deklaratave dhe në fund vijmë në një konkluzion: A ka element të deklarimi të rrejshëm, a ka element të vonesës. Por, ka edhe situata kur nuk deklarojnë hiq. Ndaj atyre menjëherë ushtrojmë kallzim penal. Pra, janë tre situata, kur ka deklarim të rrejshëm, deklarim pas afatit dhe mos deklarim.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion a duhet të bëjë deklarimin e pasurisë?

Shaip Havolli: Po, edhe unë si zyrtar i lartë kam për obligim deklarimin e pasurisë. Edhe i rri gati shumë kësaj pune.

A e keni deklaruar pasurinë për këtë vit?

Shaip Havolli: Për këtë vit ende nuk e kam deklaruar, sepse nuk kam pasur kohë, por jam në fazën finale, dhe do ta deklaroj shumë shpejt.

 

Autor: Hyrë Tejeci Murati dhe Pajtim Çuni

PËRGJIGJU