Gratë përkrahin propozimin që Valdete Hotit t`i jepet çmimi “Gruaja e Vitit”

0

 

Propozimi që humanistes Valdete Hoti Selimi t`i jepet çmimi “Gruaja e Vitit” në komunitetin shqiptar të Zvicrës, është përqafuar nga një numër i madh grashë aktiviste në Cyrih

Një nismë e bërë nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, gjegjësisht nga konsullja Shukrije Ramadani, që humanistja Valdete Hoti Selimi të propozohet për çmimin “Gruaja e Vitit” në komunitetin shqiptar të Zvicrës, është përqafuar nga një numër i madh grashë aktiviste.

Ato janë tubuar të dielën në ambientet e qendrës “Parandalo”, të udhëhequr nga zonja Hoti, duke i përgatitur njëherësh asaj befasinë e propozimit për çmimin në fjalë, shkruan albinfo.ch. Propozimi i përkrahur njëzëri, do t`i kalojë ambasadores së Kosovës në Bernë për ta bërë zgjedhjen, ka sqaruar zonja Ramadani.

Një tufë me lule i është dhuruar Valdetes nga konsullja tjetër në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, Ajmane Veseli, duke bërë kështu të njohur vendimin për propozimin e përmendur.

Konsullja Ramadani, në një prezantim të shkurtër ka vlerësuar lartë kontributin e madh që Valdete Hoti Selimi ka dhënë gjatë këtyre njëzet viteve në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Një kapitull me peshë të veçantë në këtë periudhë ka qenë gjithsesi angazhimi i saj në projektin “Shpresa”, të cilin e ka udhëhequr për rreth 10 vite së bashku me humanisten zvicerane, Analies Schneller dhe me zonjën Ramnadani. Në kuadër të këtij projekti humanitar janë trajtuar, rehabilituar dhe shëruar me dhjetëra invalidë nga të tri luftërat që u zhvilluan në peridhën 199-2001 në trojet shqiptare.

Pas përfunndimit të projektit “Shpresa”, Valdetja, edhe pse gjithnjë në gjendje të rëndë shëndetësore – e lidhur për karrocën e invalidit dhe e varur nga aparati për oksigjen – nuk ka qëndruar duarkryq. Nga viti 2011 ajo ka themeluar dhe udhëheq qendrën “Parandalo”. Kjo qendër, siç e tregon dhe emri, merret me parandalimin përmes punës praktike, këshillimeve, ligjëratave  etj. të dukurive negative në komunitetin shqiptar të Zvicrës.

Vullneti i fortë i Valdetes është dëshmuar shumë herë gjatë këtyre dy dekadave, kur ajo ka sfiduar me një fuqi të habitshme karakteri vështirësitë e mëdha të jetës. Ajo, para afër 20 vitesh, ka mbaruar Shkollën e Lartë të Dizajnit në Cyrih. Zonja Ramadani ka evokuar një sërë kujtimesh për bashkëpunimin me zonjën Hoti Selimi, përmes të cilave ka vënë në dukje vizionin dhe fuqinë e vullnetit që karakterizon këtë grua të veçantë.

Një kolege nga shoqata “Parandalo” dhe mike tjetër e Valdetes, Drita Shabani Ibrahimi, ka përgatitur befasinë e radhës për të propozuarën për t`u zgjedhur “Gruaja e Vitit” në Zvicër. Ajo ka shfaqur një videoprojeksion me fotografi dhe filmime të shkurtra, përmes të cilave e ka përvijuar portretin unik të Valdete Hotit Selimit. Edhe zonja Shabani Ibrahimi ka vlerësuar lartë kontributin e Valdetes të dhënë jo vetëm në “Parandalo” por edhe në të gjitha aktivitetet ku ajo është angazhuar deri më tash.

Në këtë veprimtari, kujtimet e saj rreth njohjes dhe bashkëpunimit me Valdeten i ka evokuar edhe mikja e saj dhe bashkëthemeluesja e projektit “Shpresa”, Annalies Schneller. Ajo, me tone të ngrohta ka përshkruar njohjen para rreth 20 vitesh me vajzën e atëhershme të re, Valdeten, e cila e kishte befasuar me fuqinë e vullnetit dhe të karakterit. Së bashku me të dhe me zonjën Ramadani, ato kanë meritat për sjelljen në Zvicër dhe kurimin e dhjetëra ish luftëtarëve nga Kosova dhe Maqedonia. Ndërkaq, znj. Schnemller ka thënë se pa kompetencën dhe këmbënguljen e Valdetes nuk do të arrihej të bëheshinm të gjitha ato punë që u bënë asokohe. Ka qenë Valdetja ajo që ka bërë kontaktimin me spitalet, qendrat e rehabilitimit dhe që ka lidhur marrëveshjet me to për pranimin e trajtimin e luftëtarëve shqiptarë.

Në këtë aktivitet u vlerësua edhe roli i nënës së Valdetes, e cila, e goditur nga barra për të rritur tre fëmijë me probleme të rënda shëndetësore, ka arritur t`ua përcjellë atyre një edukatë shembullore dhe një dashuri për njerëzit. Është vlerësuar po ashtu edhe bashkëshorti i Valdetes, Xhemal Selimi, ish luftëtar i UÇK-së në Maqedoni, i cili, duke qenë edhe  vetë me një shkallë invaliditeti të shkaktuar nga lufta, është vënë në dispozicion për të ndihmuar Valdeten në punët e përditshme dhe në organizimin e shoqatës “Parandalo”.

Gjatë këtij aktiviteti ka pasur edhe një debat mes grave të pranishme me ç`rast janë dhënë propozime të ndryshme rreth organizimit të gruas shqiptare në Zvicër.

Në përmbyllje të aktivitetit, disa poezi të tyre i kanë lexuar krijeuset: Miradije Maliqi, Shqipe Bytyqi dhe Hava Kurti Krasniqi.

PËRGJIGJU