Në Gjilan prezantohet projekti i konkurrueshmërisë dhe gatishmnërisë për eksport

0

 

Nën organizimin e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, sot është prezantuar para bizneseve gjilanase projekti i konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë, që financohet nga Grupi i Bankës Botërore dhe përfitues mund të jenë bizneset në fushën e përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe gatishmërisë së tyre për eksport të mallrave.

Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Valbona Tahiri, ka thënë se kjo është një mundësi ideale për bizneset sepse mundëson pos tjerash edhe certifikimin apo standartin e produkteve, pastaj qasjen në shërbime për zhvillimin e biznesit.

“Ky program ofron mundësinë për ISO Standarte dhe certifikim të produkteve në fushën e ngritjes së standardit, kurse në aspektin e trajnimit parashihen nivelet e paketimit, etiketimit dhe dizajnit, duke mos lënë anash as teknologjinë marketingun, hulumtimin e tregut dhe trajnimin professional të stafit”, ka thënë mes tjerash Tahiri.

Përfaqësuesit nga Ministria e Tregtisë në këtë takim kanë njoftuar të pranishmit edhe detajet tjera që parasheh ky projekt duke përfshirë edhe format e granteve për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Njëkohësisht, është bërë e ditur se vlera e granteve është nga 5 mijë euro deri në 46 mijë e 800 euro për certifikimet dhe standardet për bizneset, ndërsa grantet për trajnime si paketim, etiketim, dizajn, marketing kanë financim prej 5 mijë deri në 25 mijë euro dhe aplikacioni duhet të kaloj pikët mbi 65 sosh në bazë të kritereve që ka paraqitur Ministria dhe donatori nga Banka Botërore./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU