Ra kjo karrige dhe i pamë

0

 

Alban Krasniqi

Ndarja e pushteteve në atë ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor daton prej gati treqind vjetësh, qysh atëherë kur Monteskjë i formuloi parimet e kësaj ndarjeje. Autonomia e këtyre tri pushteteve është edhe kusht i lirisë politike.

Disa nga vendet me demokratike si SHBA dhe Franca, u frymëzuan për kushtetutat e tyre liberale pikërisht nga kjo ndarje pushtetesh, që i bie se vendet me një demokraci të konsoliduar i kanë vënë në pah shumë kohë më përpara këto standarde të shtetit të së drejtës, duke u bërë shembull edhe për ato vende me demokraci të brishtë.

Sigurisht që në jetën e përditshme evidentohen vështirësi në implementimin e elementeve të veçanta të parimeve të shtetit të së drejtës. Kjo vështirësi implementimi qëndron përballë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çka do të thotë se sfidë e parimit të shtetit të së drejtës mbeten pikërisht këto dy dukuri negative.

Në shoqërinë tonë ishte pikërisht shteti (lexo: pushteti), ai që e lindi, e ushqeu, e rriti korrupsionin. Kurrë s’e plaku. Ngjan si paradoks, fatkeqësisht. Duke ngarë pas pushtetit, e harruan shtetin. Në një mjedis të ngjashëm me tonin, edhe ligjet më të mira kundër korrupsionit bëhen të pakuptimta, ashtu si thënia “askush nuk është mbi ligjin” që sot është zhveshur prej çdo ndërtimi semantik.

E tëra kjo ngjan si shkelje e shtetit të së drejtës. Nuk u respektua autonomia e pushteteve të ndara. Presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri e zaptuan Gjyqësorin, vetëm e vetëm për qëllime të veta. Këta kanë krijuar një pushtet absolut dhe “pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute” (thoshte Platoni). Pikërisht kjo trini është më meritorja për katandisjen e shtetit në korrupsion dhe krim të organizuar.

Privatizimet e ndërmarrjeve publike, që para ardhjes së tyre në pushtet cilësoheshin gjigandë ekonomikë, u bënë me çmime simbolike; emërimet e udhëheqësve nëpër borde të ndërmarrjeve publike u bënë në baza të klientelizmit dhe bajraktarizmit e jo në bazë të meritokracisë; punësime e punësime të klientelës partiake e familjare, që figurojnë vetëm nëpër bordero, por jo edhe në zyra; shpenzime enorme të mjeteve të taksapaguesve për seminare e vizita studimore të panevojshme të organizuara jashtë shtetit; shpenzime galopante për karburant dhe telefoni. Të gjitha këto çkodifikohen me emruesin e përbashkët – korrupsion. Siç po shihet, te ne, korrupsioni krijon hapësira për të paktët dhe mbyll hapësira për të shumtët.

Tekefundja nuk është fundi i botës pse punësuan mediokër, se atë e bënë injorantët; nuk është fundi i botës pse punësuan injorantë, se atë e bënë mediokrit; nuk është fundi i botës pse morën përqindje për vete, nga milionat e “investimeve”; nuk është fundi i botës pse shkatërruan ndërmarrje publike. Pra, fundi i botës nuk është pse të rinjve ua vodhën vendin e punës, pse të rinjve ua vodhën paratë, por fundi i botës është që të rinjve ua vodhën ëndrrën, që të rinjve ua vodhën shpresën. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Thellë në zemrat dhe në mendjet e tyre lexohej sllogani: T’i gëzohemi momentit. “T’u gëzohemi përfitimeve të kohës”. Asgjë nuk u mungon atyre për të qenë të burgosur, përveç burgut.

Për ta ndaluar këtë të keqe, të mbjellur prej të këqijve, a mjafton zbatimi i ligjit, a mjafton promovimi i transparencës dhe qasja në informata, a mjafton përfshirja e qytetarëve dhe shoqërisë civile? Po, jo vetëm që janë të domosdoshme, por janë edhe të mjaftueshme (tregohet se në Brazil një kryeprokuror, Moro, pati sukses në një rast në luftën kundër korrupsionit, nga shkaku i mbështetjes qytetare). Mungon vetëm vullneti politik. Ironike dhe abuzuese ndaj qytetarëve deklarimet e tyre kundër korrupsionit.

Deri kur do ta shpërdorosh, o PAN, durimin tonë?

Me gjithë këto shpërdorime, me gjithë këto ironizime, pritet të ndodhë një armiqësi mes pushtetit dhe popullit. “Më e keqja që mund të pritet nga armiqësia me popullin është braktisja nga ana e tij” – konstatonte Makiaveli. E populli ka kohë që ka filluar t’i braktisë “princat” e vet. Braktisja e tij fatkeqësisht nuk po ndodh përmes votës, por përmes migrimit. I madh e i vogël, i ri e i moshuar po marrin atë rrugë, ku përballë kanë mjegullën e prapa zhgënjimin.

Në gjithë këto të këqija, një është e sigurtë: nuk kanë logjikë të kërkojnë votë, nuk kemi arsye t’i votojmë. E largimi i tyre nuk duhet t’i lihet Zotit, por vetë neve, sepse “Zoti nuk dëshiron që t’i bëjë të gjitha vetë, për të mos na e hequr neve vullnetin e lirë dhe atë pjesë të lavdisë që na përket”.

Kjo duhet të jetë detyra jonë – largimi i tyre nga pushteti dhe ngritja e një shteti mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar, pra ngritja e një shteti të së drejtës, një shteti të fortë ekonomikisht e politikisht dhe të ringjallur moralisht.

PËRGJIGJU