7.6 C
Gjilani
Friday, July 19, 2019
Nigeri, 3.500 ushtarë fëmijë të rekrutuar

Nigeri, 3.500 ushtarë fëmijë të rekrutuar

0

 

“Në vitin 2018, përveç këtyre fëmijëve, në veri dhe në lindje të Nigerisë 432 fëmijë u vranë dhe u gjymtuan, 180 të tjerë u rrëmbyen dhe 43 vajza u abuzuan seksualisht”, tha UNICEF.

Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka bërë të ditur se midis viteve 2013 dhe 2017 mbi 3.500 fëmijë, shumica e të cilëve të moshës 13-17 vjeç, janë rekrutuar nga grupe militante të armatosura dhe janë përdorur në konfliktin e armatosur në vazhdim në verilindje të Nigerisë.

Njoftimi i UNICEF-it vjen para përvjetorit të pestë të rrëmbimit të rreth 276 nxënësve në qytetin verilindor nigerian Chibok. Të paktën 100 vajza mbetën në robëri.

Agjencia e OKB-së tha se shifrat nuk përfaqësojnë numrin e saktë të përdorimit të fëmijëve si ushtarë nga grupet e armatosura, veçanërisht nga grupi Boko Haram.

“Në vitin 2018, përveç këtyre fëmijëve, në veri dhe në lindje të Nigerisë 432 fëmijë u vranë dhe u gjymtuan, 180 të tjerë u rrëmbyen dhe 43 vajza u abuzuan seksualisht”, tha UNICEF.

Sipas UNICEF-it, rrëmbimi në Chibok, i ndjekur nga një tjetër rrëmbim masiv i 110 vajzave të tjera në Dapchi, është një kujtim i zymtë se rrëmbimet e përhapura të fëmijëve dhe shkeljet e rënda të të drejtave të fëmijëve vazhdojnë të ndodhin në veri dhe lindje të vendit.

Në njoftimin e UNICEF-it citohet përfaqësuesi i kësaj agjencie në Nigeri, Mohamed Malick Fall, i cili thekson se fëmijët në çdo vend duhet të ndihen të sigurt në shtëpi, në shkolla dhe në terrenet e lojërave të tyre.

“U bëjmë thirrje palëve në konflikt që të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar që t’u japin fund shkeljeve ndaj fëmijëve dhe të mos vënë në shënjestër infrastrukturën civile, duke përfshirë edhe shkollat”, tha Fall.

Siç thekson UNICEF-i, që nga viti 2012, grupet e armatosura jo-shtetërore në verilindje të Nigerisë kanë rekrutuar dhe përdorur fëmijët si luftëtarë dhe jo-luftëtarë, kanë përdhunuar dhe detyruar vajzat të martohen si dhe kanë kryer shkelje të tjera të rënda ndaj fëmijëve.

Agjencia e OKB-së tha se disa nga vajzat mbeten shtatzëna në robëri dhe lindin pa ndonjë kujdes mjekësor ose vëmendje.

PËRGJIGJU

-->