Kurteshi: Kosova po zbrazet

0

 

Muri i Schengenit nuk po i pengon të rinjtë kosovarë të ikin nga vendi. Derisa vite më parë rreth 100 mijë kosovarë ikën ilegalisht nëpërmjet Hungarisë, tashmë shumë të tjerë po arrijnë legalisht në Evropë, duke u pajisur me viza pune në Prishtinë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, anëtar në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane, Ismail Kurteshi, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se në rrethanat aktuale Kosova mund të konsiderohet e zbrazur. Duke folur për mundësitë e shfrytëzimit të liberalizimit të vizave për emigrim ilegal, Kurteshi u shpreh se deri në heqjen e vizave ekziston rreziku që rinia të largohet.

“Vendin tashmë mund ta konsiderojmë të zbrazur, sepse Kosova asnjëherë nuk do të mbesë pa asnjë njeri, por pjesa më vitale që është rinia po ikën shumë dhe natyrisht se liberalizimi i vizave do të shërbejë vetëm për atë arsye për çka edhe liberalizohen vizat, pa pasur rrezik që të shfrytëzohet për emigrime ilegale. Qytetarët e pakënaqur me të drejtë po ikin, por është koha e fundit që Qeveria të ndërmarrë hapa për ta parandaluar këtë dukuri”, theksoi Kurteshi, shkruan Gazeta “Zëri”.

Kurteshi numëroi disa nga arsyet që e kanë sjellë Kosovën në këtë situatë. “Ikja në këtë masë kaq të madhe është rezultat i politikave të gabuara dhe i keqqeverisjes, i korrupsionit, i privatizimit skandaloz, i sistemit shumë të keq të shëndetësisë dhe të arsimit, pra gjendja e rëndë në vend dhe nevoja për vende të reja të punës po bëjnë që qytetarët të largohen dhe gjithashtu të jepen vizat me lehtësi nga disa shtete të Bashkimit Evropian”, potencoi ai./ZËRI

PËRGJIGJU