Shqiptarët në veri të dëshpëruar me gjendjen ekonomike

0

 

Shqiptarët në komunat veriore të Kosovës, janë shprehur të dëshpëruar me gjendjen ekonomike e sociale e cila po mbizotëron aktualisht në këtë pjesë të vendit.

Të intervistuar nga Radio Kosova, banorët shqiptarë të kësaj pjese të banuar me shumicë serbe, thanë së nuk presin përmirësim të gjendjes as pas zgjedhjeve që pritet të mbahen së shpejti në katër komunat veriore. Ata bëjnë thirrje tek institucionet e Kosovës për kujdes më të madh.

Qytetarët shqiptarë në katër komunat veriore të vendit, kanë mbetur pak në numër dhe pa kujdes nga institucionet e Kosovës.

Gjatë deklarimeve për Radio Kosovën, ata shprehen të zhgënjyer me gjendjen aktuale dhe të pashpresë për të ardhmen.

Artan Jusufi, i cili punon në një lokal në Lagjen e Boshnjakëve tash e shtatë vite, thotë se aktualisht gjendja është stabile, por shton se gjendja ekonomike është shumë e rëndë.
Artani nuk pret përmirësim të saj as pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen së shpejti në këto komuna.

“Kurrfarë ndryshimi, absolut, të njëjtit njerëz janë, të njëjtit njerëz kanë me qenë, kurrfarë ndryshimi nuk ka. Diçka që në shekullin 21 as nuk paguan rrymë, as bërllok, as asgjë. Çka pret njeriu këtu?! Kjo nuk është asgjë, qysh ka qenë kështu do të vazhdojë.”

Njëjtë mendon edhe Mustafë Ramadani nga Suhodolli. Ai thotë se edhe kryetarët e rinj të këtyre komunave do të jenë vazhdimësi e të kaluarës, pasi, sipas tij, të njëjtit njerëz do të zgjedhën, vetëm me uniforma të tjera.
Ramadani thotë se edhe gjendja ekonomike e sociale është kaotike.

“Sidomos komunat në veri të banuara me shqiptarë, është gjendja katastrofë, me mbijetesë, mundohemi të mbijetojmë, sepse nuk interesohet askush, janë tri komunat në Leposaviq atje ku kanë edhe pengesa, as nuk u siguron askush udhëtimin, as nuk investon kush asgjë, vetëm me iniciativa të vetë qytetarëve, sidomos edhe ka ne në Suhodoll, e Zhazhë.”

Ndërsa, Jashar Sadiku, i cili në Lagjen e Boshnjakëve, e ka edhe një shitore, thotë se biznesi i tij është dëmtuar edhe nga vënia e taksës për produktet serbe. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve lokale, nuk shpreson se mund të fitojnë kandidatët shqiptarë në komunat e veriut.

“Prej që e ka vendos këtë 100 për qindëshin, neve na ka dëmtuar shumë. Të fitojnë shqiptarët është më mirë, por shqiptarët nuk kanë shans të fitojnë e as të kandidojnë.”
Edhe Faik Haziri, i cili jeton dhe punon në Lagjen e Boshnjakëve, thotë se nuk pret asgjë të mirë për veriun e vendit.

“Unë nuk pres kurrgjë të mirë për momentin. Jo vetëm në veri, por as në jug as në veri. Pse aq kemi shkuar në kahe të gabuar sa shpresoj vetëm Ai lart të na ndihmojë. Në pjesën veriore është më së keqi, kur e llogarit nga të gjitha anët këtu është më së keqi. Këtu është, siç thonë gjithmonë, fitili, thonë si fitili i bombës, mund të kërcasë në çdo moment edhe të bëhet diçka.”

Ai thotë se është i zhgënjyer edhe me mungesën e investimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës për komunat në veri.
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve, Haziri thotë se pavarësisht zgjedhjes së kryetarëve të rinj, gjendja do të vazhdojë të mbetet e njëjtë.

“Mund të ketë zgjedhje, do të zgjidhen, vetëm se a do të kenë sukses ato zgjedhje. Jam i dyshimtë jo 90, por 100 për qind që nuk do të ketë. Pse? Këta kështu e kanë politikën, nuk e lëshojnë këta politikën e Beogradit, nuk e lëshojnë. Si vjen e fundit nuk e di, por si Lista Serbe, si këta të tjerët nuk e lëshojnë, edhe pse ka qytetarë lojalë që dëshirojnë të bëhet mirë për Kosovën, por nuk munden.”

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë i shpalli zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës, pas dorëheqjes së katër kryetarëve serbë të cilët kanë udhëhequr me këto komuna.
Të drejtë vote në këto katër komuna kanë mbi 58 mijë qytetarë.

PËRGJIGJU