VV: Iniciativat e Veselit dhe Tahirit janë për qëllime elektorale

0

 

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media ku iniciativat e fundit nga kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në lidhje me ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë i ka quajtur si mashtrim të radhës.

Veseli paralajmëroi se do t’ju shkruajë letër parlamenteve të vendeve mike, për të kërkuar nga ta hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare të njohin Serbinë si shkaktar të krimeve në Kosovë. Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministri Tahiri njoftuan nismën ligjore që penalizon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Saranda Bogujevci, të cilët u paraqiten në këtë konferencë, i quajtën këto iniciativa të eksponentëve të PDK-së si hipokrizi dhe për qëllime elektorale.

Kurteshi tha se ende pa nisur punën komisioni “ad-hoc” që u ngrit nga Kuvendi i Kosovës për të harmonizuar tekstin e një rezolute për gjenocidin serb, PDK doli me dy iniciativa që sipas tij kanë synim mashtrimin e popullit.

“Për informim të drejtë të publikut mund të konstatojmë se kjo është një përpjekje e radhës për të mashtruar publikun, përpjekje për të hutuar publikun me gjoja angazhimin e PDK-së dhe të qeverisë në lidhje me mohimin e krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit nga forcat serbe në Kosovë. Kjo është thjesht një gënjeshtër e radhës e PDK-së për qëllime krejtësisht elektorale, partiake për hutimin e publikut dhe për shkak të fillimit të punës të Gjykatës Speciale dhe hetimit që është duke i zhvilluar ajo”, deklaroi Kurteshi.

Deputeti i Lëvizjes tha se këta janë të njëjtit njerëz që votuan Gjykatën Speciale duke i mohuar luftën e drejtë të UÇK-së, këta që nuk po i përfshijnë krimet serbe dhe dënimin e tyre në bisedime, ata që nuk e kanë aktualizuar çështjen e të pagjeturve dhe që nuk kanë kërkuar identifikimin e varrezave masive.

Ai deklaroi se këta që po marrin iniciativa të tilla janë të njëjtit që po refuzojnë të krijojnë një gjykatë për krimet e luftës në Kosovë.

Ndërsa, deputetja Saranda Bogujevci tha se që 20 vite pushtetarët i kanë mohuar krimet e Serbisë nga mosveprimi i tyre në këtë drejtim. Ajo shtoi se të përdoresh të kaluarën vetëm për interesa personale është e padinjitetshme.

Ajo pyeti se përse është dashur të kalojnë 20 vite në mënyrë që të bëhet një projektligj që penalizon mohimin e krimeve serbe kur në institucionet kosovare gjithnjë ka pasur serbë që kanë mohuar krimet e luftës, e madje edhe të drejtat themelore të njeriut për shqiptarët me dekada më herët.

Bogujevci kundërshtoi edhe idenë që të kërkohet nga ndërkombëtaret të krijohet një gjykatë për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, duke thënë se ajo është detyrë e shtetit të Kosovës.

PËRGJIGJU