Takimi i Berlinit do ta orientojë zgjidhjen brenda kufijve që ekzistojnë

0

 

Politologu Belul Beqaj beson se takimi i Berlinit, i cili do të mbahet në fund të këtij muaji, do ta orientojë zgjidhjen definitive të Kosovës brenda kufijve ekzistues të Republikës.

Ai ka treguar se procesi i dialogut në mes të dy vendeve për marrëveshjen përfundimtare është larg qëllimeve të paralajmëruara.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të mosunitetit të faktorëve politikë vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Realisht dialogu është shumë larg qëllimit të paramenduar. Së pari, nuk ka unanimitet brenda faktorit kosovar. Së dyti, situata në Serbi është komplikuar, ndonëse fuqia e kryetarit serb nuk është dëmtuar. Dhe, së fundi, nuk ka unanimitet të plotë ndërkombëtar për qëllimin përfundimtar të dialogut në mes të Gjermanisë dhe ShBA-së. Takimi i prillit besoj se do ta orientojë zgjidhjen definitive brenda kufijve ekzistues ngaqë pasojat e gabuara dhe pozitive të zgjidhjes do të reflektohen, para së gjithash, në Evropë”, ka thënë Beqaj.

Ai ka bërë me dije se pozita dhe opozita në vend duhet të bëhen unike për gjetjen e formulës së pranueshme që do t’i akomodojë serbët brenda kufijve të shtetit të Kosovës.

“Besoj se takimi i radhës në Berlin do ta përforcojë orientimin se zgjidhja domosdoshmërisht duhet të kërkohet brenda kufijve ekzistues. Pozita dhe opozita e Kosovës duhet të bëhen unike për gjetje të formulës së pranueshme që do t’i akomodojë serbët brenda kufijve të shtetit të Kosovës. Kosova ka marrë obligime të cilat nuk i ka përmbushur (pavarësisht prej arsyetimeve) për themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova duhet të kujdeset edhe për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këtë proces. “Lidershipi kosovar duhet të kujdeset edhe për reciprocitet të standardeve. Zgjidhja për serbët brenda Kosovës duhet të reflektohet me vendosjen e standardeve të drejtave edhe për shqiptarët në Serbi”, është shprehur ai.

Beqaj nuk e ka mohuar mundësinë që Fuqitë e Mëdha ta kenë një plan për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi.

“Plane, gjithsesi se, pas tetë vjetësh të bisedave, ka. Por, e vetmja gjë reale që mund të ndodhë ndërlidhet me mundësinë e kompromisit për të vazhduar dialogu, duke kërkuar zgjidhjen definitive brenda kufijve ekzistues. Plani nënkupton gatishmërinë e qeverisë Haradinaj për ta vazhduar dialogun duke suspenduar tarifat në kompensim me largimin e temës së dialogut që ka për synim korrigjimin e kufirit. Përndryshe, takimi nuk do ta arsyetonte veten”, ka thënë ai.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, në fund të këtij muaji do të mbahet takimi i Berlinit ku, përveç liderëve të rajonit, do të marrin pjesë edhe liderët e Kosovës dhe të Serbisë. A mund të presim ndonjë takim në mes të zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë?
Beqaj: Nuk janë me rëndësi takimet, por përmbajtja e tyre. Përmbajtja e dialogut pas platformës, rezolutës, ekipit negociator… në fazën përfundimtare do të varet më shumë nga mbështetja e faktorëve ndërkombëtarë që po ia ndryshojnë kahun e marrëveshjes të dy kryetarëve që kanë pretenduar se me ndryshimin e kufijve normalizohen raportet?!

“Epoka e re”: Presidenti Thaçi ka mohuar se në këtë takim do të ketë ndonjë agjendë të fshehur, por në medie të ndryshme është raportuar se mund të propozohet një plan për marrëveshjen Kosovë – Serbi. Sa janë gjasat që të ndodhë kjo?
Beqaj: Presidenti Thaçi me veprimet e deritanishme ka dëshmuar se është i pabesueshëm. Ta rikujtojmë vetëm iniciativën e tij tinëzare për shfuqizimin e Ligjit të Speciales, që i çmendi edhe miqtë ndërkombëtarë?!! Plane, gjithsesi se, pas tetë vjetësh të bisedave, ka. Por, e vetmja gjë reale që mund të ndodhë, ndërlidhet me mundësinë e kompromisit për të vazhduar dialogu, duke kërkuar zgjidhjen definitive brenda kufijve ekzistues. Plani nënkupton gatishmërinë e qeverisë Haradinaj për ta vazhduar dialogun, duke suspenduar tarifat në kompensim me largimin e temës së dialogut, që ka për synim korrigjimin e kufirit. Përndryshe, takimi nuk do ta arsyetonte veten!

“Epoka e re”: Pothuajse nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë është përmendur se muaji qershor është momentumi i duhur për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi. A është e mundshme të ndodhë kjo?
Beqaj: Vitet e fundit kanë qenë vazhdimisht vite historike për arritjen e marrëveshjes. Edhe qershori këtij viti po trajtohet njëjtë. Por, realisht, dialogu është shumë larg qëllimit të paramenduar. Së pari, nuk ka unanimitet brenda faktorit kosovar. Së dyti, situata në Serbi është komplikuar, ndonëse fuqia e kryetarit serb nuk është dëmtuar. Dhe, së fundi, nuk ka unanimitet të plotë ndërkombëtar për qëllimin përfundimtar të dialogut mes Gjermanisë dhe ShBA-së. Takimi i prillit besoj se do ta orientojë zgjidhjen definitive brenda kufijve ekzistues, ngaqë pasojat e gabuara dhe pozitive të zgjidhjes do të reflektohen, para së gjithash, në Evropë.

“Epoka e re”: Serbia sërish po pretendon se pa e hequr taksën nuk do të negociojë me Kosovën. Taksa e ka bllokuar vërtet këtë proces apo Serbia këtë po e përdor vetëm si pretekst për ta vonuar këtë proces?
Beqaj: Tarifa është alibi, pretekst, instrument manipulimi, por ajo e ka arsyetuar veten politikisht, ngaqë kërkesa publike e kryetarit serb, për të hequr atë, e ka sjellë me (pa)vetëdije procesin e dialogut në bllokadë. Realisht, procesi është ndërprerë (sa më kujtohet, nga nëntori i vitit të kaluar), pasi paraprakisht doli nga nëntoka ideja e Thaçit dhe Vuçiqit për ndarje të Kosovës. Pra, tarifa është alibi për t’i rishikuar pozicionet paraprake të cilat hasën në rezistencë serioze.

“Epoka e re”: Në Kosovë ende nuk ka ndonjë kompromis në mes të pozitës dhe opozitës për dialogun me Serbinë. Si e parashihni një marrëveshje të mundshme në mes të këtyre dy vendeve?
Beqaj: Jo. Formalisht kompromisi ekziston, por ai përcillet me dyshimin se PDK-ja do ta mbështesë idenë e ish-kryetarit të vet nëse do të ketë hamendje. Besoj se takimi i radhës në Berlin do ta përforcojë orientimin se zgjidhja domosdoshmërisht duhet të kërkohet brenda kufijve ekzistues. Pozita dhe opozita e Kosovës duhet të bëhen unike në gjetje të formulës së pranueshme që do t’i akomodojë serbët brenda kufijve të shtetit të Kosovës. Kosova ka marrë obligime të cilat nuk i ka përmbushur (pavarësisht prej arsyetimeve) për themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Lidershipi kosovar duhet të kujdeset edhe për reciprocitet të standardeve, meqë zgjidhja për serbët brenda Kosovës duhet të reflektohet me vendosjen e standardeve të drejtave edhe për shqiptarët në Serbi.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU