Liria e shprehjes

0

 

Ndue Ukaj

Sot, në ditën kushtuar lirisë së shprehjes, këshillat e mira, sidomos ato që vijnë nga njerëz të ditur, duhet t’i shfrytëzojmë si terapi për shëndetin e ligështuar kombëtar. Dhe, në këtë rast, na vjen në mendje Albert Camy, shkrimtar jashtëzakonisht i ditur dhe dritëdhënës, i cili për lirinë kështu shkruante:
“Liria pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve”.

Nëse e marrim për bazë këtë që thotë Camy dhe e analizojmë jetën tonë kombëtare, e shohim se në shumë fusha, liria te ne nuk ka kufi.

Në një shoqëri ku ftohet për ‘debate’ historike soji i Jazexhiut ose fundërrina të llojit të tij, e ku për punë të shtetit dhe të politikës flasin të tillë që s’e dinë as domethënien e termit politikë, aty nuk mund të flitet për liri të shprehjes, por për kontaminim të gjuhës, për helm dhe urrejtje. Aty nuk mund të flitet për dinjitetin e njeriut që mendon, flet dhe shkruan. As për ligjërim publik të kultivuar dhe human. Një shoqëri e tillë, siç thotë një i ditur, shndërrohet në “gërmadhë njerëzish të çorientuar” dhe aty lehtësisht promovohet shthurja morale dhe intelektuale.

Në një shoqëri ku intrigat, thashethemet, përgojimet, bëhen tema publike të pëlqyeshme, aty nuk ka kuptim të flitet për liri të shprehjes, sepse aty mungojnë standardet themelore profesionale dhe morale.
Sepse, nuk ka liri të shprehjes aty ku krijohen karagjozë dhe autoritete të rreme që flasin pa pra dhe për çdo gja.

Shoqëria jonë, ka kohë që e ka bjerrë lirinë e brendshme, lirinë e ndërgjegjes, atë lirinë fondamentale, prandaj sorollatet andej e këndej, pa e ditë nga vjen dhe ku shkon.
Pa e fituar lirinë e brendshme, nuk mund të ketë liri të shprehjes. Mund të ketë vetëm vetëmashtrim të madh.

Shoqëria jonë, më shumë vuan nga liria e pakontrolluar e fjalës, sesa nga mungesa e saj. Dhe këtë e kemi provuar tash e sa kohë.
Vitet e rritës sonë demokratike janë dëmtuar nga abuzimi me pushtetin e gjuhës, sepse ky pushtet ëshrë përdorë jo për qëllime mirëbërësi, por për agjenda të fshehura, klanore, klienteliste dhe egoiste.

Gjuha është pushteti që kemi, kurse mënyra sesi shkruajmë dhe sesi flasim, tregon vërtet kush jemi dhe çka përfaqësojmë. Tregon identitetin tonë. Në përkim me këtë, Martin Heidegger, shkruante se, gjuha është shtëpia e qenies. Pra, në gjuhë banon njeriu dhe bota e tij shpirtërore. Mendimet dhe dëshirat e tij. Në fakt, niveli i emancipimit dhe i kulturimit të një individi apo të një populli, më së miri kuptohen nëpërmjet gjuhës.
Shoqëria jonë topitur, e dërmuar dhe e ligështuar, ka vite prej kur nuk e ka përfill asnjë standard etik të komunikimit publik. Përkundrazi, përgjatë këtyre viteve të lirisë dhe të rritës së shtetit tonë, ajo çka kemi promovuar dhe lejuar të promovohet, është murtaja e gjuhës dhe e abuzimit, e intrigave dhe mashtrimit. Gjuha e urrejtes dhe e frikës. E angarisë së plotë dhe injorancë me tonelata. Dhe, kjo amulli, ka krijuar hapësira për profetë të rremë, liderë të pjerdhur, karagjozë e mediokër, të cilët, kanë vërshuar në sferën publike, si ushujza…

3 maj 2018.

Image result for albert kamy

PËRGJIGJU