Kosova nuk e shfrytëzon potencialin e diasporës për investime

0

 

Diaspora për çdo vit dërgon në Kosovë miliona euro. Por, këto para, sipas njohësve të çështjeve ekonomike duhet të shihen mundësitë e tërheqjes së kapitalit të bizneseve të diasporës në formë të investimeve.

Sipas tyre, rritja e investimeve të diasporës do të kishte rëndësi të madhe edhe për investitorët e huaj, meqë do të ishte indikator i sigurisë së investimeve që ofrohet në Kosovë.

Që nga paslufta investimet e diasporës kanë qenë kryesisht në patundshmëri dhe janë shfrytëzuar nga familjet e tyre për konsum të përditshëm.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovë (BQK), Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se diaspora gjatë vitit 2018 në Kosovë ka kontribuar me 1 miliard e 800 milionë euro.

“Sipas të dhënave të vitit 2018, 800 milionë euro ka qenë vlera e remitencave që kanë hyrë në Kosovë, me një rritje vjetore prej 5.5 për qind. Një ndër faktorët kryesor për rritjen ekonomike janë remitancat. Përveç linjës zyrtare që kanë ardhur, ne e kemi edhe një zë që quhet shpenzimet e udhëtimit që kryesisht realizohen prej jorezidentëve, që në këtë rast janë realizuar nga bashkatdhetarët tonë që është rreth 1 miliard euro, që do të thotë janë 1 miliard e 800 milionë euro për vitin 2018”, ka thënë Mehmeti.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomikë Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Telegrafin se duhet të shikohen mundësitë e tërheqjes së kapitalit të bizneseve të diasporës në formë të investimeve.

“Tash e disa vite diskutohet lidhur me atë se si të ndryshohet destinimi i remitencave të diasporës dhe orientimi i tyre për investime. Këto dërgesa, pavarësisht shumës së lartë të shprehur në shifra kumulative, për shumë familje përbëjnë burimin e vetëm të të hyrave, në lartësi të një page mesatare. Mirëpo, ajo çfarë duhet të bëhet është që të shihen mundësitë e tërheqjes së kapitalit të bizneseve të diasporës në formë të investimeve, për çka ka munguar një angazhim dhe ofertë konkrete”, tha Zeka.

Sipas tij, rritja e investimeve të diasporës do të kishte indikator në rritjen e sigurisë së investimeve që ofrohet në Kosovë.

“Nëse i analizojmë ofertat financiare për privatizimin e Brezovicës, ose projekte të tjera të ngjashme të rëndësisë strategjike, atëherë mund të konkludojmë se me një ofertë konkrete nga ana e shtetit, kemi mundur të mobilizojmë kapitalin e bizneseve të diasporës, meqë në Evropë dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës operojnë biznese të fuqishme në pronësi të diasporës kosovare. Kjo duhet të jetë në fokus të institucioneve të vendit për vitet në vijim. Rritja e investimeve të diasporës do të kishte rëndësi të madhe edhe për investitorët e huaj meqë do të ishte indikator i sigurisë së investimeve që ofrohet në Kosovë”, tha për Telegrafin drejtori i OEAK-ut, Arian Zeka.

Kurse ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, tha për Telegrafin se potenciali financiar i diasporës është duke u rritur, por Kosova nuk është duke i shfrytëzuar mundësitë e tërheqjes së investimeve nga diaspora.

“Potenciali financiar i diasporës është duke u rritur, por që Kosova për disa arsye nuk është duke i shfrytëzuar mundësitë e thithjes së investimeve nga diaspora. Këto remitanca janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e mirëqenies sociale në Kosovë. Nuk është faktor vendimmarrës i zhvillimit ekonomik të vendit, por është një mirëqenie që në afat të gjatë në të ardhëm do të shkoj duke u zvogëluar. Shpenzimet që bënë diaspora brenda Kosovës është mjaftë e rëndësishme për mirëmbajtjen e këtij niveli të ekonomisë, sidomos gjatë muajve të verës edhe një pjesë gjatë dimrit”, tha Murati.

Ai shtoi se Kosova duhet t’i gjej modelet që ta shfrytëzoj këtë potencial të diasporës. “Duhet të gjinden modelet më të mira që ta shfrytëzojmë këtë potencial që diaspora që mos të jetë vetëm dërguese e remitancave, shpenzuese, por duhet të shfrytëzohet parimi ‘fito-fito’ ku ajo të vjen këtu dhe të fitoj por të fiton Kosova dhe të kemi një zhvillim ekonomik”, tha ish-ministri Murati.

Kurse, sipas BQK-së, remitencat që pranohen në Kosovë kryesisht vijnë nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen 39.9 për qind, përkatësisht 21.3 për qind e gjithsej remitancave dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre është pranuar edhe nga SHBA-ja, gjegjësisht 6.5 për qind e tyre. /Albert Spahiu/Telegrafi/

PËRGJIGJU