Fytyrëvrarë…

0

 

Adem Nimani

Ka shumë nofka Zi Ziu, por për te, më e dashura është ajo që mori si ushtar i dovletit. Më me dëshirë e quan veten Karazi sesa Bardh. Zijoshëve, askush nuk ua imponoi që fshatin Bardhë ta quajnë Zezë, për shekuj me radhë. Vet zijoshët ia ndryshuan emrin fshatit. Zijoshëve iu erdhi dita që t’i përmirësojnë emrat e tyre, që shumë herë ishin shkruar gabimisht nga administrata e huaj. Edhe sot kur shkruajnë gabimisht emrin personal, nuk brengosën fare. Edhe kur i kuptojnë gabimet, nuk i përmirësojnë ato, megjithëse tash mund ta bëjnë këtë.

Rrëfimi si e ndryshoi emrin fshati Bardhë ka origjinë të moçme. Tregimi për emrin e këtij fshati jeton me shekuj. Gjithçka filloi me martesën e një vashe të Bardhës me një ushtar të huaj. Edhe vasha kishte emrin Bardhë. Babi i saj kishte emrin Bardh. Bardha nuk kishte as vëlla, as motër. Shumica e fshatrave përreth, kishin emra bimësh, lulesh, lisash, apo shkurresh që rriteshin aty. Emrat e fshatrave Dardhë, Mollë, Kumbull, Arrë, Lajthi, Krekës, Ahishtë, Thanë, Murriz, Frashër, Shurrëpelë e Shkemzë, njihen moti. Fshati Bardhë kishte marr emrin nga dheu i bardhë i tokës. Edhe fshatarët e Bardhës ishin të bardhë. Ata kishin edhe flokë të bardha. Bardhi, kur u plak, edhe kur iu kishin thinjur flokët i mbeten gjithmonë të bardha. Vetëm rrudhat e fytyrës se tij dëshmonin moshën. Si mori emrin Zezë, ky fshat, rrëfimi kishte nisur pas pushtimit të fshatit nga ushtria e huaj.

Akoma flitet si dikur moti, epidemia e Lisë së Madhe, që u soll nga jashtë, bëri kërdi në Bardhë. Kjo sëmundje ngjitëse shfarosi shumë njerëz të Bardhës.

Edhe kush shpëtoi gjallë, mbeti me të meta të dukshme në fytyrë e gjymtyrë. Bardha, vajza e vetme e Bardhit shpëtoi, por mbeti me shumë vragë në fytyrë. Sëmundja e tmerrshme, ia damkosi fytyrën. Askush nuk e kërkonte për nuse. Bëri goxha moshë pa u martuar. Ndihmonte të atin në çdo punë, pasi atë e verboi Lia.

Ushtarët e huaj shiheshin në Bardhë verë e dimër. Ushtria, herë herë ndalonte në fshat për pushim apo stërvitje. Në radhët e ushtrisë, kishte të rinj të të gjitha racave. Pushtuesi nuk zgjidhte rekrut nga ngjyra, por djem të shëndoshë për artin luftarak.

Një ditë, ushtria ngrehu tendat afër kroit të fshatit. Aty, te kroni, farkonte mjetet e luftës dhe të punës, Zekziu, farkëtari që la emër me nam në këtë anë. Derisa në Zezë, kalëronin shumë ushtarë, vajza fytyrëvrarë nga Lia, kulloste bagëtinë. Bareshës së pavërejtur, një ditë ia kishte tërhequr vëmendjen një ushtar zeshkan. Për këtë shikim magnetik, zor që të ketë menduar dikush asokohe. Kontaktet e syve të vashës dhe ushtarit zeshkan ishin plot zjarr dhe shpresë, dhe nuk kishte fuqi që mund t’i ndalonte. Vasha fytyrëvrarë nga Lia, përherë gjente ndonjë hapësirë mes gjetheve të drunjve të shoh lëvizjet e rrufeshme të ushtarit, që nuk e kishte parë as imagjinuar ndonjëherë me parë. Një dashuri e zjarrtë kishte filluar të lëshojë rrënjë në zemrën e saj.

Në Bardhë, shtëpitë ishin të shkapërderdhura, larg njëra-tjetrës. Përgojimet e thashethemet akoma përhapeshin ngadalë. Derisa u përhap lajmi për dashurinë mes vashës fytyrëvrarë nga Lia dhe ushtarit zeshkan, kishin kaluar shumë ditë të asaj vere të nxehtë. Terreni plot lisa e shkurre mundësonte edhe fshehtësi të madhe për ndonjë takim. Sa ofronte fshehtësi mali, për qiftin e ri, po aq siguri ofronte edhe uniforma ushtrake në çdo hap. Ushtari zeshkan dhe vasha fytyrëvrarë nga Lia, kishin kaluar disa herë çaste të zjarrta dashurie. Asnjëri nuk ishte i ri e i papjekur. Vasha fytyrëvrarë nga Lia kishte mbetur shtatzënë. Kush mund të mendonte për martesën e tyre? Ushtarët pushtues kishin obligime, por edhe privilegje. Pak kush kishte kohë të paramendonte fatin e një ushtari dhe martesën e tij, diku në perandorinë e madhe që shtrihej në tri kontinente. Ushtari zeshkan kishte bërë aq shërbim, sa mund të martohej me leje nga eproret e tij. Për këtë nuk dinin as shokët e tij.

Ai kishte njoftuar edhe eprorin e vet. Pashai, kishte autorizim nga Padishahu, dhe aty për aty, mund t’i lëshonte një vendim-tapi në letër, për zotërimin e cilësdo pjesë të arës apo të malit, që i duhet një ushtari, i cili ka kaluar me sukses shumë beteja dhe nuk ka refuzuar as thyer urdhrat asnjëherë.

Këto martesa, i shikonte dhe vlerësonte me simpati, vet Lartmadhëria. Padishahun synonte të kishte njerëz të tij, kudo në viset e pushtuara. Ushtari u vendos në shtëpinë e vashës, në Bardhë. U bë një martesë pa bujë. Shtëpia e vashës fytyrëvrarë nga Lia, shtatselvi e syshqiponje, ishte bërë me zot. Për këtë u njoftua edhe Padishahu. Ai urdhëroi që ushtarit t’i ndërtojnë shtëpi të madhe e të bukur, që nuk ishte parë asnjëherë më parë në këto anë. Shtëpia e bukur, që u ndërtua për qiftin e ri, bëri aq bujë, sa shumica e vashave të Bardhës kishin shfaqur hapur dëshirë të ishin martuar ato vet me ushtarin e zeshkan, të cilin tashmë e kishte burrë, vasha fytyrëvrarë nga Lia. Jo vetëm që ia ndërtoi shtëpinë Padishahu, por qiftit të ri i dhuroi aq shumë tokë, sa kishin të gjithë bardhasit tjerë së bashku. Mbi njëmijë hektar tokë, me pyje e kullosa, me burime uji, ishin bërë pronë e ushtarit zeshkan, të cilit tash i duheshin edhe shumë argat krahu, për punë në ara e livadhe.

Fshatarët, pa një pa dy, Bardhën filluan ta quajnë, Zezë. Në lindjen e parë, vasha e Bardhës, , polli, dy djem binek, ngjyrë kafeje të pjekur. Qifti melez nuk merrej me thashetheme, të cilat në Zezë ishin krejt të rëndomta, në çdo bisedë. Fshati mori emër të ri. Padishahu, qiftit të ri iu ndau edhe tituj. Ushtari zeshkan mori emër Karaxhozbeg, ndërsa vasha, Emine-hanem. Ata linden shtatë djem e tri vajza. Të gjithë djemtë e tyre u martuan me vajza nga fshatrat për rreth. Edhe, vajzat e beut të ri, u martuan me djem të fshatrave Mollë, Dardhë e Arrë.

Pa kaluar tridhjetë vjet nga kjo martese e përgojuar vetëm tinëz nga zijoshët, më nuk flitej me përbuzje, por me pietet. Sa herë që Karaxhozbeu kërkonte nuse për ndonjërin djalë, vargu i mesitëve nuk ia lëshonte derën. Kështu, në atë shtëpi-saraj, në fshatin Zezë, shërbenin shtatë nuse të reja, të bardha si bora, ndërsa tri vajza ngjyrë çokolate, ishin bëre nuse në fshatrat e afërme. Vajzat e Karaxhozbeut ishin martuar me djem të bardhë. Fshatin Bardhë, më askush nuk e thërriste me emrin e moçëm, por me emrin e ri, Zezë. Mund ta merrni me mend se si u shtuan shtatë nuse në atë shtëpi dhe tri vajza që u martuan në rrethinë. Shumë shpejt, askush më nuk pyeste për ngjyrën e ndonjë vashe apo djali, por vetëm për pasurinë. Pesë djem të Karaxhozbeut i shërbenin Padishahut, ndërsa dy të tjerë, zotërinj, kujdeseshin për pasurinë e madhe që kishin. Sa uji nën urë ka kaluar nga ajo kohë, dhe kush mund të thotë sesa ishte shtuar kjo familje në Zezë, për gjashtë shekuj me radhë? Emri i fshatit përmendej edhe në kryeqytetin perandorak. Zeza bëri emër për respekt. Gjatë pesë shekujve të sundimit selxhuk, ishin ndërruar shumë breza. Nga Zeza, në kryeqytetin e perandorak migruan shumë zijoshë dhe atje ndërtuan saraje, në të cilat shërbenin me qindra njerëz.

Martesa e vashës fytyrëvrarë nga Lia, nuk ishte kontestuar nga asnjëri, kur dihej se, me te nuk donte të martohej askush. Nuk doli dikush ta pengonte këtë martesë, dhe ajo arsyetohej nga të gjithë. Çdo vashë e pjekur, mund të vendoste vet për fatin e saj. Asokohe, çdo prind kishte për detyrë ta çejzonte vajzën me pasurinë e tij dhe ta martonte me shpenzime të veta. Zijoshët kujtonin mënyrën e martesës sipas kanunit, dhe askujt nuk i shkonte mendja të përgojonte vashën fytyrëvrarë nga Lia, të mbetur jetime. Të gjithë e dinin se Lia ia prishi fytyrën vashës. Nuk kishte njeri nga Bardha, por edhe nga shumë fshatra përreth, që nuk e kishte parë bukurinë e saj, derisa nuk e goditi Lia e madhe. Nuk doli djalë nëne të martohej me vashën, bukurinë e së cilës, më parë e kishin njohur të gjithë. Bile, kishte pasur përpjekje për ta martuar me një djalë qorr, nga fshati Shurrëpelë, por as ai nuk kishte pranuar. Zijoshët nuk kishin çka të thoshin tjetër, dhe kështu nga ushtria selxhuke erdhi fati i vashës. Vasha, jo vetëm që u martua, por shpejt u bë një zonjë e madhe, të cilës po i shërbenin shatë nuse të reja, të bardha si bora, që ishin martuar me djemtë e sajë. Nga një hektar tokë buke, që kishte trashëguar nga i ati, vasha e martuar e Bardhës, ishte bërë zotëruese e një fshati të tërë. Qifti i ri, me shumë pasuri, morën edhe shumë rrogëtar për punë. Bardhasit, shumë shpejt, nga inatet e zeza, duke mos pasur tjetër mundësi ia ndryshuan emrin fshatit. Për dy dekada nuk mund të gjeje edhe një fshatar që ta quante fshatin me emrin Bardhë, siç e kishte pasur deri atëherë, por emri Zezë përsëritej kudo. (sic.)

PËRGJIGJU