Rritja e pagës minimale është e domosdoshme

0

 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se ministria që drejton ka ndërmarrë reforma ligjore në fushën e marrëdhënies së punës, fushën pensionale, atë sociale dhe familjare si dhe të aftësisë së kufizuar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se niveli i lartë i papunësisë, me shkallën rreth 30 për qind, është një nga brengat më të mëdha të qeverisë.

Reçica ka thënë se vetëm në vitin e kaluar kanë arritur të përfshijnë në punësim dhe aftësim profesional mbi 12 000 punëkërkues.

Sa i përket një numri të madh të lëndimeve dhe vdekjeve në vendin e punës, Reçica ka thënë se MPMS-ja do të jetë e pakompromis ndaj atyre që nuk respektojnë masat e sigurisë dhe të shëndetit në punë.

Ndërkaq ka theksuar se rritja e pagës minimale në vend është e domosdoshme dhe tejet e rëndësishme për shkak të rritjes së kostos jetësore në vend.

Albulena S. MAVRAJ

“Epoka e re”: Z. Reçica, ka kaluar kohë më shumë se një vit qëkur keni marrë postin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale. Sa keni arritur të gjeni zgjidhje për fushat të cilat janë të parapara të kryhen nga kjo ministri?
Reçica: Pasi kam marrë mandatin, në shtator të vitit 2017, kemi nisur identifikimin e fushave në të cilat është dashur ndërhyrje në aspektin legjislativ, po dhe në të ofrimit të shërbimeve. Ndryshimet ligjore kanë qenë të nevojshme në pothuajse të gjitha fushat që mbulojmë. Në MPMS vitin e kaluar kemi ndërmarrë reformë ligjore në fushën e marrëdhënies së punës, fushën pensionale, atë sociale dhe familjare, si dhe të aftësisë së kufizuar. Reformat që kemi ndërmarrë dhe ndryshimet e nevojshme ligjore janë bërë duke marrë parasysh problemet për zbatimin e legjislacionit aktual në fushat e lartpërmendura. Ndryshimet e nevojshme dhe të domosdoshme janë bërë duke marrë për bazë rrethanat socio-ekonomike të vendit, duke traspozuar një sërë direktivash të Bashkimit Evropian në legjislacionin aktual të Kosovës, si dhe duke marrë për bazë praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara.

“Epoka e re”: Gjatë kohës së fushatës partia në të cilën jeni dha premtime se çdo familje do të ketë të punësuar nga një anëtar. Sa keni arritur ta përmbushni këtë premtim?
Reçica: Niveli i lartë i papunësisë me shkallën rreth 30 për qind është një nga brengat tona më të mëdha dhe që po e përcjell si shqetësim shtetin tonë tash e sa vite. Andaj, rritja e mundësive për punësim ka qenë një nga objektivat kryesore të Nismës Socialdemokrate dhe që nga marrja e mandatit është pikë programore e qeverisë dhe dikasterit që unë drejtoj. Rritja e mundësive në masa aktive të tregut të punës (vetëpunësim, subvencionim në pagë, trajnim në punë) si dhe fuqizimi dhe rritja e mundësive për aftësim profesional kanë qenë dy drejtimet kryesore ku ne jemi fokusuar. Është e rëndësishme të përmendim se vetëm në vitin e kaluar kemi arritur të përfshijmë në punësim dhe aftësim profesional mbi 12 000 punëkërkues, duke u dhënë mundësi posaçërisht të rinjve dhe grave, si dy kategori që prijnë në listat e të papunëve. Sa i përket projektit “Çdo familje nga një të punësuar”, projekt ky i lansuar nga kryetari i Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj, e që ka të bëjë me kategorinë e dytë përfituese të skemës së ndihmës sociale, që bëjnë pjesë ato familje përfituese të asistencës sociale që, të paktën, kanë një anëtar të aftë për punë, ne bashkërisht me kryetarin Limaj, përkatësisht zëvendëskryeministrin e vendit, vitin e kaluar kemi nisur takimet në disa komuna të Kosovës me këto familje, ku kemi diskutuar për mundësinë e përfshirjes së tyre në masa aktive të tregut të punës dhe aftësim profesional. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë përfshirë në masa aktive të tregut të punës.
Sa i përket kategorisë së dytë të përfituesve të asistencës sociale, kjo kategori do të trajtohet në reformën për asistencë sociale që ne e kemi ndërmarrë, ku parashihet të rishikohen kriteret për përfitim të asistencës dhe një prej këtyre kritereve do të jetë që përfituesit do të lejohen të punojnë dhe të marrin asistencë sociale në të njëjtën kohë derisa ta përmirësojnë qëndrueshëm pozitën financiare të tyre.

“Epoka e re”: Kohët e fundit kemi parë se ka pasur vdekje të punëtorëve në vendet e punës. Çfarë hapash konkretë keni ndërmarrë për avancimin e të drejtave të punëtorëve? A do të duhej që MPMS-ja të jetë aktive me vizita në vendpunishte të cilat nuk i përmbushin masat e sigurisë dhe shëndetit në punë?
Reçica: Situata e krijuar në sektorin e ndërtimit të lartë, me një numër të madh të lëndimeve e, fatkeqësisht, edhe të vdekjeve në vendin e punës, përbën shqetësim për ne. Me përgjegjësi të plotë them se nuk kemi qëndruar duarkryq përballë kësaj situate. Kemi shtuar përpjekjet për rritje të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës nëpërmjet ndërmarrjes së një sërë veprimesh konkrete. Ndër veprimet e para ka qenë krijimi i një baze të re ligjore në fushën e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, nëpërmjet transpozimit të një sërë direktivave të BE-së, nëpërmjet hartimit të Projektligjit të ri të punës i cili është shqyrtuar në lexim të parë në Kuvend, hartimit të Projektligjit për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror, si dhe plotësim-ndryshimit të Ligjit për Inspektoratin e Punës, i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.
Krahas këtyre ndryshimeve ligjore, në vitin e kaluar bashkë me Inspektoratin e Punës ndërmorëm një aksion që konsistoi me shtimin e inspektimeve në sektorin e ndërtimit të lartë, aty ku numri i aksidenteve dhe lëndimeve është më i madh. Në kuadër të këtij plani në nëntor të vitit të kaluar zbarkuam në Prishtinë pothuajse tërë kontingjentin e inspektorëve, me qëllim që të sigurohemi për respektim të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, të përcaktuara me legjislacionin aktual. Gjatë këtij aksioni u është pezulluar puna mbi 100 vendpunishteve të cilat nuk kanë respektuar masat minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe brenda një kohe të shkurtër, shumica prej tyre kanë arritur t’i plotësojnë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ky aksion që ne e kemi ndërmarrë ka bërë që në sektorin e ndërtimtarisë në Prishtinë të ndërrojë pamja dhe pothuajse në secilën vendpunishte të respektohen masat për siguri dhe shëndet në punë. Ky aksion ka vazhduar dhe është duke u realizuar edhe në komuna të tjera.
Krahas këtij aksioni, edhe vitin e kaluar dhe para pak ditësh kemi lansuar fushata vetëdijësuese me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për respektim të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
E kam potencuar disa herë dhe po e theksoj edhe në këtë intervistë, do të jemi të pakompromis ndaj atyre që nuk respektojnë masat e sigurisë dhe të shëndetit të përcaktuara me ligjet në fuqi, andaj ftoj punëdhënësit, ashtu edhe punëmarrësit, t’i respektojnë këto masa në mënyrë që t’i shmangim lëndimet dhe vdekjet në vendin e punës.

“Epoka e re”: Në fushën e marrëdhënies së punës, sfidë mbetet trajtimi jo i barabartë i personave me aftësi të kufizuara, pastaj financimi dhe ndarja e përgjegjësive për shërbime sociale dhe familjare, si dhe rreth skemave pensionale të financuara nga shteti. Sa keni arritur të ndryshoni diçka në këto tema?
Reçica: Siç përmenda krejt në fillim të kësaj interviste, në vitin e kaluar kemi nisur reformat në pothuajse të gjitha fushat, përfshirë atë pensionale, sociale dhe familjare, si dhe të aftësisë së kufizuar. Duke parë problemet e sistemit aktual pensional, me një mori ligjesh që rregullojnë të drejtat e përfituesve dhe në mungesë të një ligji bazik, shoqëruar me probleme të tjera rreth përfitimit të së drejtës në pension me të cilat ballafaqohen pensionistët tanë, në vitin e kaluar kemi hartuar koncept-dokumentin për reformë të sistemit pensional i cili është miratuar nga qeveria e vendit. Sa i përket reformës pensionale, tashmë kemi një situatë të re ngaqë Kuvendi i Kosovës ka krijuar një komision ad-hoc i cili është mandatuar të krijojë kodin e ri pensional. Si ministër, unë jam ftuar në takim nga ky komision, në të cilin takim kam kërkuar nga komisioni përkatës që ta marrë për bazë koncept-dokumentin e hartuar nga MPMS-ja, i cili u përshtatet më së miri rrethanave socio-ekonomike dhe i cili është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë ndërkombëtarë. Komisionit, gjithashtu, ia kam ofruar gatishmërinë e plotë të stafit të MPMS-së për të ndihmuar në hartimin e kodit të ri pensional.
Sa i përket fushës sociale dhe familjare, me qëllim të ndarjes së duhur të përgjegjësive, qartësimit të formave të financimit dhe avancimit në përgjithësi të shërbimeve sociale dhe familjare, ne kemi hartuar koncept-dokumentin për fushën sociale dhe familjare dhe në plan të punës për këtë vit kemi hartimin e Projektligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare për të cilin grupet tona punuese janë duke punuar.
Kategorizimi i drejtë dhe trajtimi i personave me aftësi të kufizuara ka qenë sfidues tash e një kohë dhe ne kemi konsideruar të domosdoshme që të ndërmarrim veprime konkrete edhe në fushën e aftësisë së kufizuar. Vitin e kaluar ne kemi hartuar koncept-dokumentin për trajtimin dhe kategorizimin e personave me aftësi të kufizuara i cili është miratuar nga qeveria e vendit dhe këtë vit në plan legjislativ kemi hartimin e Projektligjit për Persona me Aftësi të Kufizuara i cili do të sigurojë trajtim të barabartë të të gjitha kategorive të personave me aftësi të kufizuara si dhe kategorizim të drejtë.

“Epoka e re”: Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me organizatat e ndryshme, si ajo me GIZ-in, ka hapur panaire të punës. Panairet e tilla sa kanë arritur ta zbusin papunësinë në vend? Si dhe a keni arritur të bëni ndonjë marrëveshje si ministri me vende të ndryshme për t’u ofruar punëtorë nga Kosova?
Reçica: Para pak ditësh ne hapëm në Prishtinë Panairin Nacional të Punës dhe Karrierës, i cili erdhi pas organizimit të panaireve të punës në nivel lokal në shtatë qendrat rajonale, në bashkëpunim me Qeverinë e Gjermanisë, nëpërmjet GIZ-it. Kam qenë në hapje të pothuajse të gjitha këtyre panaireve dhe vazhdimisht kam vënë theksin në atë se panairet e tilla janë një mundësi e jashtëzakonshme si për punëdhënësit, që të takojnë fuqinë punëtore që iu nevojitet si dhe për punëmarrësit, që ta takojnë punëdhënësin e tyre potencial dhe të bëhen pjesë e tregut të punës. Gjatë vizitave në këto panaire kam takuar shumë punëdhënës të interesuar për punëtorë si dhe interesim të punëtorëve për t’i vizituar këto panaire dhe për t’u njohur me mundësitë për punësim. Panairet e tilla janë të rëndësishme dhe në shërbim të gjithsecilit punëmarrës dhe punëdhënës dhe një pikë takimi që lehtëson mundësinë për t’u bërë pjesë e tregut të punës për punëkërkuesit si dhe për t’i gjetur punëtorët e kualifikuar për punëdhënësit e interesuar. Sa iu përket marrëveshjeve për punësim sezonal në vendet e Bashkimit Evropian, Kosova aktualisht nuk ka një marrëveshje të tillë me asnjë shtet. Në shumë nga takimet që kam pasur me përfaqësues diplomatikë të shteteve të huaja në Kosovë, por edhe në vizitat zyrtare që kam pasur në shtete të BE-së, kemi diskutuar mundësinë për lidhjen e marrëveshjeve për punësim sezonal, si një mundësi e mirë për qytetarët tanë që nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale ta kenë mundësinë e punësimit sezonal në vendet e BE-së.

“Epoka e re”: Jeni deklaruar edhe për rritje të pagës minimale. Sipas jush, sa ka kapacitete buxhetore për këtë?
Reçica: Menjëherë pas marrjes së mandatit në vitin 2017 kemi rifunksionalizuar Këshillin Ekonomiko-Social dhe kemi funksionalizuar komisionet profesionale. Ndër temat e para të trajtuara në KES ka qenë paga minimale. Në fund të vitit 2017, KES ka nxjerrë propozimin për rritje të pagës minimale në vlerë 250 euro, propozim të cilin ia kemi dërguar për miratim qeverisë në janar të vitit 2018, por që nuk është vënë asnjëherë në rend ditë për miratim nga qeveria dhe rrjedhimisht nuk është miratuar nga qeveria. Pak ditë më parë, bazuar në Ligjin për KES-in, ne kemi konstituar KES-in me anëtarë të rinj, ku edhe kemi mbajtur mbledhjen e parë pas konstituimit. Së shpejti ne do ta kemi për diskutim edhe rritjen e pagës minimale, ku do të dalim me një propozim të ri. Natyrisht se gjatë nxjerrjes së propozimit të ri për pagë minimale do të merren për bazë kriteret e përcaktuara me ligj sa i përket caktimit të pagës minimale dhe natyrisht duhet të nxirret propozim që do të jetë i përballueshëm nga buxheti i Republikës së Kosovës. Megjithatë, ritheksoj se rritja e pagës minimale në vend është e domosdoshme dhe tejet e rëndësishme për shkak të rritjes së kostos jetësore në vend. Mos të harrojmë të përmendim se që nga viti 2011 nuk ka pasur asnjë propozim për rritje të pagës minimale, përkatësisht as rritje të pagës minimale deri në vitin 2017-n, ku ne si KES kemi propozuar rritje të pagës minimale.

“Epoka e re”: Rritja e pagës minimale, a mund të jetë shkas për pakënaqësi të pensioneve të veteranëve?
Reçica: Sa iu përket pensioneve të financuara nga shteti dhe të cilat menaxhohen nga MPMS-ja dhe ndërlidhjes së tyre me propozimin që KES ka nxjerrë në fund të vitit 2017 për rritje të pagës minimale, ka pasur hezitime se ky propozim mund t’i afektojë skemat pensionale. Para se KES ta nxjerrë propozimin për pagë minimale në fund të vitit 2017 dhe t’ia përcjellë qeverisë për miratim, ka konsultuar këtë propozim me zyrtarët ligjorë të MPMS-së, por edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe opinioni ligjor që ne kemi marrë nga të dyja zyrat ligjore është se ky propozim nuk prek asnjërën prej skemave pensionale të financuara nga shteti dhe të menaxhuara nga MPMS-ja.

“Epoka e re”: Meqenëse pushimi i lehonisë mbeti jashtë Projektligjit të Punës, si parashihni ta zgjidhni këtë çështje dhe deri ku keni shkuar me punët në këtë drejtim?
Reçica: Vitin e kaluar kemi hartuar Projektligjin e ri të Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Pushimin Prindëror, të dyja projektligje këto që kanë buruar nga koncept-dokumenti për rregullimin e fushës së marrëdhënies së punës. Vlen të theksohet se për herë të parë është hartuar një projektligj i veçantë që do t’i rregullojë të drejtat e nënave lehona si dhe për herë të parë është përfshirë edhe pushimi prindëror, si e drejtë e garantuar edhe e nënës edhe e babait. Projektligji i Punës tashmë është shqyrtuar në lexim të parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërkaq Kuvendi së shpejti do ta ketë për miratim edhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindëror, i cili do ta plotësojë fushën e marrëdhënies së punës.

“Epoka e re”: Sa është numri i personave që kanë aplikuar për njohjen e statusit të dhunës seksuale gjatë luftës?
Reçica: Deri më tani Komisioni Qeveritar për Verifikim dhe Njohje të Statusit të të Dhunuarve gjatë luftës së fundit në Kosovë ka pranuar 1 002 kërkesa, prej tyre janë aprovuar 336, janë refuzua 130, në proces janë 44, ndërkaq në pritje për trajtim janë 492.

PËRGJIGJU