A mundet shteti i Kosovës ta shpëtojë Telekomin nga falimentimi?

0

 

Telekomi i Kosovës është në krizë financiare tash e sa kohë për shkak të borxheve.

Borxhi prej 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë “Z-Mobile”, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit.

Data e fundit kur Telekomi kishte kohë të kthente këtë borxh ishte 26 prilli – por kjo datë është shtyrë për dy javë, shkruan lajmi.net.

Kjo ka ndodhur dje në një takim të përbashkët te komitetit ndërministror për ndërmarrje publike, bordit të Telekomit dhe përfaqësuesve të kompanisë Z-Mobile.

“Kërkesa e komitetit ndërministror ishte që të krijohet një mundësi e re për të dyja palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre dhe pa presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës palë. Borxhi ndaj kompanisë në fjalë është vendosur nga arbitrazhi ndërkombëtar dhe është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga Gjykata e Apelit, prandaj në këtë moment edhe është i pakontestueshëm”, thuhet në komunikatën e përbashkët të lëshuar pas takimit.

Gjatë takimit, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit Bedri Istrefi dhe kryetarja e Bordit Besa Shatri janë zotuar që të dalin më një plan konkret të shlyerjes së këtyre detyrimeve ndaj Z-Mobile.

Më këtë propozim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Z-Mobile, të cilët në mënyrë që t’i jepet kohë Telekomit, kanë pranuar që procesi i përmbarimit të detyrimeve të shtyhet deri më datën 15 qershor të këtij viti.

Lajmi.net gjithashtu merr vesh se janë krijuar ekipi i ekspertëve ligjor dhe financiar për të ndihmuar procesin e shlyerjes së borxheve të Telekomit.

Gjithashtu, është marrë vesh se Qeveria e Kosovës është zotuar se do të ndihmoj Telekomin që të tejkalojë këtë situatë, duke marrë parasysh se janë edhe ligjërisht aksionarët kryesorë të këtij aseti.

Ndërkohë që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ditë më parë kishte thënë se pagesa e menjëhershme vlerës prej 25 milionë euro do ta falimentonte Telekomin dhe kishte kërkuar qe pagesat ndaj kompanisë “Z-Mobile”, të bëhen më këste.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Musa Limani në një prononcim për lajmi.net tha se Telekomi duhet të shpëtohet nga falimentimi dhe se nuk duhet të ndodh privatizimi i këtij aseti.

“Në aspektin ekonomik unë jam marrë shumë më procesin e privatizimit dhe është dështim i plotë dhe gjithmonë kam thënë së ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbime të veçanta për qytetarët nuk duhen të privatizohen”, tha Limani.

Limani ka theksuar faktin se Telekomi ka ardhur në këtë gjendje është menaxhimi i keq, por sipas tij, Qeveria duhet ta shpëtojë këtë ndërmarrje profitabile.

Sipas tij, duhet të gjinden format dhe të shpëtohet nga falimentimi dhe të mos privatizohet.

“Unë mund të them nga aspekti se si ka ardhur deri këtu dhe  është menaxhimi i keq, por unë mendoj se Qeveria duhet ta shpëtojë Telekomin si ndërmarrje shumë profitabile dhe duhet të gjinden mënyra për ta ringjallur. Besoj se po. Unë nuk kam kompetenca të flas më shumë. Po flas nga aspekti profesional, nuk mendoj se Telekomi duhet të privatizohet, por duhet të gjinden forma dhe mënyra të shpëtohet nga falimentimi dhe të mos privatizohet”, tha Limani për lajmi.net.

Vlen të theksohet se Kuvendi i Kosovës ka ngritur komision hetimor për gjendjen e krijuar në Telekomin e Kosovës dhe më 14 maj është paralajmëruar seancë e jashtëzakonshme ku do të shqyrtohet gjendja dhe do të kërkohet zgjidhje eventuale për shpëtimin e kësaj kompanie nga falimentimi. /Lajmi.net

PËRGJIGJU