Jeta dhe vepra e Bukowski Jeta dhe vepra e Bukowski

0

 

Charles Bukowski ka lindur në Andrenach (Gjermani) më 16 gusht të vitit 1920. Dy vjet pas lindjes së tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Vendoset në Los Anxhelos dhe aty Bukowski qëndroi gjithë jetën. E gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë e thërrisnin Henk. Ka vdekur më 9 mars të vitit 1994 nga leukemia në San Pedro.

Është autor i 34 vëllimeve poetike, i tre romaneve dhe i një skenar filmi. Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik. Shumë vepra të tij janë përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe.

NJËRËS QË E KAM NJOHUR

Nga të gjithë shtretërit e hekurt në parajsë

i yti qe më i pamëshirshmi

e unë isha tym në pasqyrën tënde

dhe i ke shpëlarë flokët me ngjyrë të gjelbër,

por ti ishe grua e unë

çun, por çun tamam për një shtrat të hekurt

e tamam burrë për verë dhe

për ty.

 

Tash jam rritur,

mashkull tamam për të gjitha,

e ti je, ti

je

plakë

 

nuk je më aq e pamëshirshme,

tash shtrati yt i hekurt është

bosh.

 

ÇFARË HALLI KENI, ZOTËRINJ?

Shërbimi qe i dobët

e shërbyesi i sillte peshqirët gjithnjë

në kohë të gabuar.

I dehur, më në fund, ia dhashë një flakaresh

kresë.

Ishte shtatpaktë dhe ra

si gjethe tetori,

bash qetë,

e kur filloi belaja

e vura sofën në derë

dhe vura zinxhirin,

ishte akti 2 i Simfonisë së Parë të Brahmsit

e duart gati i kisha në vithet e

një dame plakë që mund të ishte gjyshe imja

e ata e shkallmuan derën e hamamtë,

e shtynë sofrën mënjanë;

ia futa shpullë sherrakes ulëritëse

u ktheva dhe i pyeta,

çfarë halli keni, zotërinj?

E një çunak që ende s’i kishte rënë fytyrës brisk

ma puthiti kresë shkop

e në mëngjes isha në spital burgu

i lidhur për krevati

dhe bënte vapë,

djersa depërtonte nëpërmjet çarçafëve

të bardhë të pakuptimtë,

më shtronin turlifarë pyetjesh të budallenjta

e unë e dija se do të vonohesha në punë,

e bëhesha merak pak si tepër.

 

ATYRE QË MA BAJNË GAJLEN

Nëse martohesh kujtojnë se e pat

puna jote

e nëse je pa grua kujtojnë se

je i mangët.

 

Një pjesë e madhe e lexuesve të mi kërkojnë nga unë

të vazhdoj së shkruari mbi shkërdhyerjen me gra të krisura e

me prostituta –

po ashtu, mbi të qenit në burgje dhe spitale, ose

duke vdekur urie apo

duke i nxjerrë zorrët

jashtë.

 

Pajtohem se vetëkënaqësia zor që sjell

letërsi të pavdekshme

por këtë s’e bën as

përsëritja.

 

Për ata lexues tash

me zemër të sëmurë

që besojnë se jam njeri i

vetëkënaqur –

ju lutem gëzohuni

pakëz: agonia ngandonjëherë ndryshon

formën

por

ajo kurrë s’ndërpritet për

askënd.

RRETH KONFERENCËS SË PEN-it

 

Largojeni shkrimtarin nga makina e tij e shkrimit

dhe e gjitha çka do të mbetet

është

sëmundja

e cila e pat shtyrë

të shtypë

fillim.

(Përktheu nga anglishtja: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)

 

PËRGJIGJU