Themelimi i tribunalit për krimet serbe të bëhet përmes ligjit

0

 

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt të miratojnë ligjin për themelimin e tribunalit për krimet serbe në Kosovë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se deputetët kanë gabuar kur kanë lejuar formimin e Gjykatës Speciale për shqiptarët, por jo edhe për serbët.

“Ka gjasa që të themelohet tribunali për krimet serbe në Kosovë, prandaj e mbështesim edhe iniciativën e Veselit. Mirëpo kërkojmë që ky tribunal të bëhet përmes ligjit dhe jo me rezoluta. Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumë rezoluta, por gati të gjitha kanë dështuar. U bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt ta miratojnë ligjin për themelimin e tribunalit për krimet serbe në Kosovë”, ka deklaruar Gucati.

Ai ka vlerësuar se institucionet shtetërore janë vonuar për themelimin e këtij tribunali por, sipas Gucatit, më mirë vonë se kurrë.

“Si OVL-UÇK nuk jemi vonuar sepse para tre vjetësh kemi kërkuar që të bëhet një tribunal special për të gjithë ata që kanë bërë krime lufte në Kosovë pa dallim etnie. Ata që kanë bërë krime duhet të dalin para drejtësisë pavarësisht se cilit komunitet i takojnë. Prandaj, ne nuk jemi vonuar dhe gjithmonë e kemi ngritur zërin, por janë vonuar Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka formuar Gjykatë Speciale për shqiptarët, por jo edhe për serbët. Kjo lë të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Dihet botërisht se krimet në Kosovë janë kryer nga policia dhe ushtria e Serbisë. Janë kryer mbi 450 masakra dhe askush nuk është gjykuar dhe dënuar”, është shprehur Gucati.

Ai u ka bërë thirrje ambasadave të vendeve të Quintit që ta mbështesin Kosovën për themelimin e tribunalit për krimet serbe.

Gucati ka theksuar se iniciativa për themelimin e këtij tribunali nuk do të dështojë pasi që, sipas tij, ka ardhur koha që Serbia të ndëshkohet për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Nuk mund të ketë dështim kur janë faktet përpara. Ka shumë dëshmitarë të cilët mund të dëshmojnë për këto krime. Janë mbi 20 mijë gra të dhunuara. Njëra prej tyre është Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila së fundi dëshmoi në Kongresin Amerikan për tmerrin e përjetuar. Në këtë rrugëtim besoj se do ta kemi përkrahjen e ShBA-së dhe të vendeve të Quintit. Por, nëse nuk përkrahet kjo iniciativë, tregon se bashkësia ndërkombëtare është duke luajtur me shqiptarët në Kosovë dhe po tenton ta barazojë krimin me viktimën”, ka thënë Gucati, duke shtuar se nuk do të mund të ketë pajtim ndërmjet dy vendeve përderisa Serbia nuk kërkon falje për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Epoka e re”: Z. Gucati, Organizata e Veteranëve e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare (OVL UÇK) nëpërmjet një letre publike ka kërkuar nga OKB-ja, ShBA-ja dhe BE-ja që ta themelojnë një tribunal për krimet serbe në Kosovë. Pse kjo kërkesë në këtë kohë e jo më herët?
Gucati: OVL-UÇK-ja ka kërkuar edhe më herët themelimin e një tribunali për krimin dhe gjenocidin në Kosovë. Përkatësisht para tre vjetësh shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë kërkuar një tribunal të tillë dhe për këtë kanë qenë në dijeni të gjitha institucionet e Kosovës. Kështu që, themelimi i tribunalit për krimet serbe në Kosovë është i vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Ne dëshirojmë dhe bëjmë thirrje që sa më shpejt të bëhet një tribunal special për krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej thirrjes dhe mbështetjes suaj, sa ka mundësi që të bëhet realitet ky tribunal?
Gucati: Ka gjasa që të themelohet tribunali për krimet serbe në Kosovë, prandaj e mbështesim edhe iniciativën e Veselit. Mirëpo kërkojmë që ky tribunal të bëhet përmes ligjit dhe jo me rezoluta. Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumë rezoluta, por gati të gjitha kanë dështuar. U bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt të miratojnë ligjin për themelimin e tribunalit për krimet serbe në Kosovë.

“Epoka e re”: Janë konsultuar institucionet shtetërore me OVL-UÇK-në për marrjen e iniciativës për themelimin e një tribunali të tillë?
Gucati: Para tre vjetëve kemi biseduar me kryeministrin, kryeparlamentarin, presidentin dhe të gjitha institucionet, kemi pasur takime dhe kemi përkrahur çdo iniciativë që është në të mirë të vendit dhe të qytetarëve të Kosovës. Edhe tani e përkrahim, sepse populli i Kosovës kërkon dënimin e kryerësve të masakrave, vrasjeve, dhunimeve dhe të gjitha krimeve të tjera që kanë ndodhur në Kosovë.

“Epoka e re”: Iniciativa e Veselit dhe thirrja juaj për dënimin e krimeve serbe ka ardhur pas fillimit të punës së Gjykatës Speciale, përkatësisht pas intervistimit të disa ish-luftëtarëve të UÇK-së. Nuk mendoni se jeni vonuar në këtë drejtim?
Gucati: Kjo pyetje duhet t’i drejtohet Kuvendit dhe deputetëve. Si OVL-UÇK nuk jemi vonuar sepse para tre vjetësh kemi kërkuar që të bëhet një tribunal special për të gjithë ata që kanë bërë krime lufte në Kosovë pa dallim etnie. Ata që kanë bërë krime duhet të dalin para drejtësisë pavarësisht se cilit komunitet i takojnë. Gabimi më i madh ka qenë që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë lejuar të formohet një gjykatë speciale e një etnie dhe nuk kanë kërkuar të bëhet gjykata për të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë. Prandaj, ne nuk jemi vonuar dhe gjithmonë e kemi ngritur zërin, por janë vonuar Qeveria, Kuvendi dhe institucionet e Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka formuar Gjykatë Speciale për shqiptarët, por jo edhe për serbët. Kjo lë të mbetet në ndërgjegjen e tyre. Dihet botërisht se krimet në Kosovë janë kryer nga policia dhe ushtria e Serbisë. Janë kryer mbi 450 masakra dhe askush nuk është gjykuar dhe dënuar.

“Epoka e re”: Ju po insistoni që tribunali për krimet serbe duhet të bëhet përmes ligjit. Besoni se kjo legjislaturë ka gatishmëri për ta realizuar këtë?
Gucati: Këta e kanë ndryshuar Kushtetutën për Gjykatën Speciale, prandaj e kanë të gatshëm ligjin, vetëm se duhet të nxjerrin në rend të ditës për votim. Pra, besoj se këta deputetë kanë vullnet dhe gatishmëri për ta themeluar tribunalin. Sidoqoftë, letrën për themelimin e një tribunali për krimet serbe në Kosovë ua kemi dërguar edhe ambasadave të vendeve të Quintit dhe presim që ato ta përkrahin iniciativën për themelimin e këtij tribunali.

“Epoka e re”: Në vazhdimësi keni deklaruar se drejtësia vendore, misionet e huaja në Kosovë, por edhe drejtësia ndërkombëtare ka dështuar për dënimin e krimeve serbe në vendin tonë. Pse tani besoni se e njëjta bashkësi ndërkombëtare mund ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugëtim?
Gucati: Sa iu përket krimeve serbe në Kosovë kanë dështuar të gjithë, UNMIK-u, EULEX-i, gjykatat tona dhe drejtësia ndërkombëtare. Tash gjërat kanë ndryshuar dhe presim që më në fund të dënohen krimet serbe në Kosovë. Iniciativa për themelimin e tribunalit nuk do të dështojë sepse ka fakte të bollshme për të dëshmuar krimin dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Nuk mund të ketë dështim kur janë faktet përpara. Ka shumë dëshmitarë të cilët mund të dëshmojnë për këto krime. Janë mbi 20 mijë gra të dhunuara. Një prej tyre është Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila dëshmoi në Kongresin Amerikan tmerrin që ka përjetuar. Në këtë rrugëtim besoj se do ta kemi përkrahjen e ShBA-së dhe të vendeve të Quintit. Por, nëse nuk përkrahet kjo iniciativë, tregon se bashkësia ndërkombëtare është duke luajtur me shqiptarët në Kosovë dhe tenton ta barazojë krimin me viktimën.

“Epoka e re”: Në rrethanat aktuale ndërkombëtare, mund të ndëshkohet Serbia për krimet e kryera dhe ta paguajë dëmshpërblimin e luftës siç po kërkoni ju?
Gucati: Nuk do të ketë pajtim ndërmjet dy shteteve derisa Serbia nuk kërkon falje për krimin dhe gjenocidin e kryer në Kosovë si dhe nuk e kompenson dëmin e luftës.

Shqipe HETEMI

PËRGJIGJU