Të rihapet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

0

 

Profesori i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka kërkuar rihapjen e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës të cilin e ka drejtuar më herët.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se vetëm një institut shkencor mund ta bëjë mbledhjen e fakteve të luftës dhe jo një komision shtetëror.

Ai e ka mbështetur iniciativën e kryeparlamentarit Kadri Veseli për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet serbe, duke thënë se një gjë e tillë është e mundshme.

Sipas tij, kjo arrihet duke u dëshmuar kancelarive të botës prova të forta për krime.

Megjithatë, Salihu ka treguar se, nëse nuk arrihet themelimi i këtij tribunali, atëherë gjykatat tona duhet t’i dënojnë krimet e luftës

“Epoka e re”: Profesor, Kuvendi i Kosovës, ndonëse me vonesë, ka arritur ta miratojë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë?
Salihu: Rezoluta është me vend në aspektin human dhe njerëzor dhe është një lloj satisfaksioni për familjarët e viktimave të kësaj lufte. Miratimi i kësaj rezolute, edhe pse me vonesë, më mirë vonë se kurrë.

“Epoka e re”: Z. Veseli ka ndërmarrë një iniciativë për mbledhjen e provave të luftës në mënyrë që të bëhet krijimi i një tribunali ndërkombëtar për Serbinë. Si e keni parë këtë iniciativë?
Salihu: Kjo iniciativë duhet të mbështetet nga institucionet dhe gjithë të tjerët. Në 20 vjetët e fundit ky është njeriu që më së tepërmi tani ka filluar një punë shumë të rëndësishme dhe serioze, të cilën e bënë çdo udhëheqës i kombeve pas luftës. Kjo është dashur të bëhet më herët, ani pse duket pak ideale me angazhimin e resurseve humane dhe profesionale të cilat i ka Kosova në aspektin profesional. Kjo punë mund të kryhet për katër ose pesë vjet.

“Epoka e re”: Iniciativa e Veselit parasheh që Kuvendi ta formojë edhe një komision shtetëror për krijimin e tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë. Si duhet të jetë ky komision?
Salihu: Në këtë proces duhet të evidentohen, të shënohen dhe të sistemohen së pari të gjitha viktimat njerëzore, vrasjet, torturat dhe kampet e përqendrimit. Sa i përket komisionit, mendoj se urgjentisht duhet të rihapet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Në atë institut të mos punësohen individë në baza partiake, por vetëm individë të ri dhe profesionalë, të cilët do ta kenë detyrë që t’i evidentojnë provat e luftës. Në çdo shtëpi, në çdo fshat, ku ka ndodhur krimi, duhet të shkohet dhe të shënohet emri dhe mbiemri i viktimës, të sigurohet fotografia e tij nëse është e mundshme dhe me tri ose katër fjali të shkruhet se si është vrarë ajo viktimë, ku është vrarë, dhe nëse dihet kush e ka vrarë. Pastaj duhet të bëhen vëllime me emrat e të gjithë të vrarëve gjatë luftës. Kapitull i veçantë i krimeve të luftës duhet të jenë masakrat, ku duhet të evidentohen të gjitha masakrat që kanë ndodhur dhe emrat e të masakruarve. Fjala masakër do të thotë vrasje masive e njerëzve të pafajshëm. Po ashtu, kapitull i veçantë duhet të jenë personat e zhdukur, dëmet materiale, eksodi apo shpërngulja me dhunë që u është bërë shqiptarëve gjatë luftës. Natyrisht se duhet të ndodhë edhe ajo që kam propozuar unë, të themelohet edhe Muzeu i Krimeve të Luftës. Në atë muze duhet të ekspozohen të gjitha faktet dhe fotografitë e luftës. Pastaj, të dhënat e mbledhura në atë institut duhet të publikohen në gjuhën shqipe dhe angleze. Nëse ka nevojë, edhe në gjuhën serbe. Krahas botimit në letër, këto të dhëna duhet të publikohen edhe në mënyrë digjitale. Krahas punës së institutit, duhet që në shtatë regjionet e Kosovës të emërohen nga dy prokurorë për hulumtimin dhe ngritjen e akuzave për krime lufte. Dy prokurorë nuk mund ta kryejnë këtë punë. Në aspektin juridik penal të ndjekjes, gjykatat ndërkombëtare dhe vendore nuk mund të zhvillojnë procedurë dhe ta shpallin dikë fajtor në bazë të fjalëve. Për këtë duhet prova. Pra, krahas punës së institutit për faktimin dhe evidentimin e provave të luftës, duhet të punojnë edhe organet e drejtuesit, policia, prokuroria dhe gjykatat. Duhet të shkohet paralelisht me këtë çështje.

“Epoka e re”: Sa vështirë do të jetë mbledhja e këtyre fakteve, 20 vjet pas luftës?
Salihu: Do të bisedoj edhe me z. Veseli dhe do t’i them se komisioni i cili është propozuar nuk mund t’i mbledhë faktet e luftës. Këtë punë duhet ta kryejë instituti, pra individët profesionalë. Për çdo respekt për përfaqësuesit e shoqatave të të zhdukurve dhe të viktimave, por mbledhja e fakteve të luftës është punë e profesionistëve. Në vitin 1991, me dekret të veçantë ish-kryetari i Bosnjës, Alija Izetbegoviq, e ka themeluar Institutin për Krime të Luftës, i cili ende është duke e vazhduar sot punën. Të dhënat që do t’i mbledh instituti mund t’i  shfrytëzojnë pastaj prokurori dhe policia.

“Epoka e re”: Kosova e ka pasur Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, të cilin e keni udhëhequr ju dhe profesori Zejnullah Gruda. Çfarë keni bërë gjatë asaj kohe?
Salihu: Ai institut është themeluar në qershor të vitit 2011 me propozimin  e profesorit Hajredin Kuçi, i cili ishte edhe ministër i Drejtësisë. Tek një vit pas themelimit kemi arritur të kemi zyrë, për të cilën qira kemi paguar 900 euro në muaj. Aty kemi punuar gjashtë vjet, ndërsa shtatë veta kemi qenë të punësuar. Gjatë asaj kohe kemi bërë pyetësorin për hulumtimin në terren dhe me prioritet filluam t’i mbledhim të dhënat për vrasje, për personat e pagjetur, për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe për shkatërrimin e arkivave. Në këtë drejtim punuam dhe kemi bërë tetë botime në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Brengosëse për neve ka qenë se nuk na është lejuar dhe nuk jemi financuar që të bëjmë hulumtime në terren. Pra, nuk na është lejuar të paguajmë studentë ka 10 – 15 euro në ditë që të mbledhin fakte në terren. Unë mund të dalë një herë në javë apo një herë në muaj në terren, më shumë nuk ma mundëson mosha. Në vitin 2017, me pretekst se Qeveria ka marrë vendim që të mos paguajë qira, ne u larguam prej ndërtesës që i kishim pesë zyra dhe na dërguan në dy zyra te kontejnerët mbrapa ish-“Rilindjes”, ku mezi e kemi akomoduar arkivin. Ndërsa në korrik të vitit 2018, me vendim të këtyre kompetentëve, instituti i cili kishte punuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë shndërrohet në Departament për Drejtësi Tranzicionale. Në këtë departament është paraparë që të punojnë tre veta për krime të luftë dhe tre veta të tjerë për krime të rëndomta. Në këtë mënyrë, faktikisht është mbyllur instituti ende pa e kryer punën e tij. E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris prapë, se nëse nuk e bëjmë evidentimin e saktë të viktimave, do ta bëjmë krimin e sërishëm ndaj viktimave. Për këtë nuk është tash fajtore Serbia, por ne.

“Epoka e re”: Disa deputetë ju kanë kritikuar se instituti nuk ka punuar sa duhet?
Salihu: Në kushtet në të cilat kemi punuar kemi bërë maksimumin në këtë drejtim. Përveç gjërave që thashë më lart, ne kemi organizuar dhjetë ekspozita për krime të luftës. Disa në Prishtinë, dy apo tri të tjera në Shqipëri, pastaj në Turqi dhe Austri.

“Epoka e re”: Qëllimi i gjithë kësaj iniciative është që pas mbledhjes së të dhënave të synohet themelimi i një tribunali ndërkombëtar për krimet e luftës në Kosovë. Sa do të jetë sfiduese kjo?
Salihu: Mbledhja e fakteve nga rithemelimi i institutit dhe puna e institucioneve të drejtësisë duhet të na çojë kah themelimi i një gjykate penale ndërkombëtare. Natyrisht se në këtë drejtim duhet të punojnë edhe gjykatat tona, duhet të punojnë në dënimin e këtyre krimeve. Nëse presim vetë themelimin e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e këtyre krimeve, nuk mund të bëhet ndonjë gjë e madhe. Themelimi i kësaj gjykate do të jetë sfiduese, sensitive, e ndjeshme dhe komplekse por, nuk përjashtohet. Nëse ne punojmë, mbledhim fakte dhe ato ua prezantojmë kancelarive të Evropës dhe botës, atëherë mund të krijohet baza apo platforma e themelimit të kësaj gjykate. Por, nëse nuk mund ta arrijmë këtë, gjykatat tona duhet t’i dënojnë ato krime.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU