Suedi: Rreth 65.5% e nxënësve shqiptarë mësojnë në gjuhën amëtare

0

 

Në Suedi, në Qendrën Kulturore të Kosovës në Malmo i përfundoi punimet seminari dhe konferenca për gjuhën amtare, dygjuhësinë dhe integrimin, të mbajtura nga 16 deri më 19 maj 2019. Këto dy aktivitete u bashkorganizuan nga Ministria  e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, MASHT-i dhe Lidhja e Shoqatave Shqiptare “ILIRIA”, ka njoftuar MDIS, përcjell albinfo.ch.

Në konferencën me të njëjtën temë u paraqitën me diskutime Anders Sorenson, përfaqësues i Drejtorisë së Arsimit në Malmo; Agron Smakiqi dhe Fatmir Rrahmanaj, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Stokholm; profesori Emin Kabashi nga Instituti Albanologjik në Prishtinë; Murat  Koci, kryetar i Lidhjes së shoqatave shqiptare “Iliria”, Nuhi Gashi nga MASHT-i, mësuesit e shkollës shqipe në Suedi, etj.

Në diskutimin e tij, mësuesi Xhevat Isufi, nga shkolla shqipe në Suedi, konfirmoi se në Suedi afro 65.5% e nxënësve shqiptarë e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe. Sipas tij, aktualisht në Suedi janë 150 mësues që punojnë me normë të plotë dhe paguhen nga shteti suedez, përcjell albinfo.ch.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve arsimore ishte rëndësia që ka mësimi i gjuhës amtare, raportet ndërmjet nxënësve, mësuesve dhe prindërve, marrja e përvojave nga shtetet e tjera.

Nga kjo konferencë u falënderua Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për organizimin e aktiviteteve për nxënësit e mësimit plotësues në diasporë, si organizimi i ekskursioneve, shkollave  e kampeve verore etj.

Në fund, për pjesëmarrësit e seminarit dhe të konferencës u dhanë certifikata.

PËRGJIGJU