Agjencia e OKB-së thotë se rreziku nga armët bërthamore është i lartë

0

 

Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është në nivelin më të lartë që nga Lufta e Dytë Botërore, tha një eksperte e lartë e sigurisë e Kombeve të Bashkuara.

Ajo e quajti atë një çështje “urgjente” që bota duhet ta marrë më seriozisht.

Renata Dwan, drejtore e Institutit të OKB-së për Kërkimin e Çarmatimit (UNIDIR) , tha se të gjitha shtetet me armë bërthamore kanë programe modernizimi bërthamor dhe peizazhi i kontrollit të armëve po ndryshon, pjesërisht për shkak të konkurrencës strategjike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Marrëveshjet tradicionale të kontrollit të armëve gjithashtu janë duke u shkatërruar nga shfaqja e llojeve të reja të luftës, me përhapjen gjithnjë e më të madhe të grupeve të armatosura dhe teknologjive të reja”, u tha gazetarëve ajo në Gjenevë.

Bisedimet e çarmatimit janë pezulluar për dy dekadat e fundit përderisa 122 vende kanë nënshkruar një traktat për ndalimin e armëve bërthamore, pjesërisht nga frustrimi dhe pjesërisht ngase i kanë kuptuar rreziqet, tha ajo.

Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore, u mbështet nga Fushata Ndërkombëtare për Heqjen e Armëve Bërthamore (ICAN), e cila fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2017.

Traktati deri më tani ka mbledhur 23 nga 50 ratifikimet sa duhen për të hyrë në fuqi, duke përfshirë Afrikën e Jugut, Austrinë, Tajlandën, Vietnamin dhe Meksikën. Traktati kundërshtohet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe shtete të tjera me armë bërthamore.

Ekspertja e OKB-së, Renata Dwan tha se bota nuk duhet të injorojë rrezikun e armëve bërthamore, transmeton REL.

“Si mendojmë për këtë dhe si veprojmë ndaj këtij rreziku dhe menaxhimin e tij, më duket një pyetje mjaft e rëndësishme dhe urgjente që nuk reflektohet plotësisht në Këshillin e Sigurimit“, tha ajo.

PËRGJIGJU