Krimi serb në Burgun e Dubravës

0

 

Për krimet e tmerrshme serbe mbi shqiptarë në Kosovë, është shkruar shumë herë nga njerëz joprofesionistë, dhe më shumë herë sa për të bërë emër ndonjë gazetar. Janë dëgjuar shumë rrëfime nga distanca, por shënime me fakte ka pasur pak. Edhe kur ka pasur fakte, ato shumë herë janë anashkaluar me qellim, apo për shkaqe politike.

Duhet pranuar botërisht se politika ndaloi publikimin e shumicës se fakteve të tmerrshme nga lufta e fundit në Kosovë. Gati çdo shënim është shkruar larg nga ngjarja. Kryesisht ishin shënime të improvizuara dhe, në shumë raste, ka pasur jo pak trillime. Në shumicën e shkrimeve nga distanca nuk kanë munguar edhe plot të pavërteta, që jo pak herë kanë dëmtuar rëndë faktet. Edhe kur dikush nga gazetarët e kohës ka pasur rast të shoh viktimat, shumë herë, qoftë edhe me qëllimin më të mirë, nuk ka shënuar faktet relevante, gjë që dëshmon mungesën e profesionalizmit.

Ekzistojnë më shumë se tri organizata të vendit që kishin për detyrë evidencimin e saktë të viktimave të luftës, duke filluar nga Kryqi i Kuq i Kosovës. Nëse dikush interesohet për këtë, do të shohë se asnjëra evidencë e këtyre organizatave nuk përputhet me evidencën e tjetrës. Mospërputhja e numrit të viktimave në këto statistika, qoftë edhe për një viktimë, vë në dyshim edhe numrin real të të vrarëve, e të mos flasim për klasifikimin eventual të viktimave. Këtë mund ta vërtetojë çdo njeri i interesuar edhe nëpër publikimet e shumta të këtyre organizatave. Mospërputhja e statistikave ndonjëherë është e madhe dhe pranohet me rezervë nga çdo organizatë relevante ndërkombëtare.

Është tepër me rendësi të dihet numri i saktë i të vrarëve, pasi krimi duhet dëshmuar me fakte, me numër dhe me emër në rast së flasim për gjykimin e krimeve të luftës. Ndryshe, krejt çka flitet përmendesh, në gjykatë nuk merret parasysh si fakt. Është lehtë të formohen, jo një, po më shumë gjykata, por ato asnjëherë nuk kanë për të bërë diçka me vlerë pa fakte. Sa herë flasim për gjykime, nuk duhet të harrojmë faktet. Sapo harrohen faktet, apo nëse i kemi trilluar ato, gjykimi do të jetë farsë dhe nuk do ketë epilog të duhur asnjëherë.

Sot në Kosovë ka aq shumë gjykata dhe pikërisht njerëzit e dëmtuar, jo pak herë, as nuk dinë cilës t’i drejtohen. Kur kemi ndërmend Gjykatën e Apelit, ata që rastësisht janë dënuar, janë liruar menjëherë. Prandaj, krejt këto zhurma të politikës nëpër medie, në fund dalin shterpë.

Duke shkuar gjurmëve të shkrimeve të gazetarëve për krimin serb në Burgun e Dubrava, gjatë luftës ku u vranë 93 e u plagosën 200 shqiptarë (sipas shënimeve zyrtare serbe), shihet se dikush ka mundur të ketë qasje më të afërt në dokumentet relevante, pasi krimi ishte kryer nga shteti i cili aso kohe ishte përgjegjës për burggjet.

Pasi doli në shesh një padi kundër shtetit serb nga Fondi për të Drejtën Humanitare, dikush nga pushteti kishte lejuar gazetar profesionist serbë, të javores “Vreme”, të shohin edhe dokumente relevante për krimin në Dubravë. Gazetari, megjithëse zë në gojë dy raporte zyrtare për ngjarjen, në asnjërin rast nuk i jep emrat e atyre që i kanë hartuar ato, por nga shënimi kuptohet qartë se kush ishin. Lexuesi normal duhet ta kuptojë këtë fakt, pasi edhe gazetari i përmendur ndjehej i rrezikuar po të publikonte emrat e përgjegjësve. Thjeshtë e qartë: si atëherë, edhe sot gjithçka komandohet nga politika.

Për të zbardhur më mirë ngjarjen dhe përgjegjësit, gazetari shënon shumë gjera, por që të gjitha ua atribuon po atyre raporteve zyrtare të cilat i ka parë vet. Kjo është krejt normale, pasi ai e kupton se spekulimet dhe rrenat nuk i pranon askush. Në këtë raport profesionist, megjithëse fshihen shumë gjëra më rëndësi, mund të nxirren lehtë edhe mjaftë fakte që ka parë gazetari.

Dihet konkretisht se kush u mor nga burgjet e Serbisë dhe u soll në Dubravë, me të vetmin qellim për të vrarë shqiptarët e burgosur. Në raportin e përmendur janë shënuar edhe emrat konkret të kriminelëve serbë, që aso kohe ishin duke vuajtur dënime të rënda në Burgun e Pozharevcit, por pushteti serb i merr prej aty, i armatosi mirë dhe i paguan për vrasjen e shqiptarëve në Dubravë. Pasi kryen detyrën, morën edhe shpërblimet që ua kishin premtuar dhe nuk u kthyen më në burg. Vetëm këto fakte që përmenden në shkrim, kanë qenë të mjaftueshme për ngritjen e cilësdo akuzë. Kriminelet që vranë të burgosurit shqiptarë, Serbia i di me emër e mbiemër, bile edhe armët me të cilat kanë vrarë se për ato ekzistojnë edhe reversët e nënshkruara nga secili prej tyre.

E ashtuquajtura Prokurori e Krimeve të Luftës në Serbi, thuhet se vetëm pas tre vjetësh ka kuptuar për këtë ngjarje dhe ka filluar të merret me rastin. Prokuroria bëri të ditur se në kohën kritike, nga Burgu Korrektues i Pozharevcit, për në Burgun Korrektues Dubrava janë dërguar një grup të burgosurish te dënuar për vepra të renda penale. Nga ky grup, së paku 13 prej tyre ishin të dënuar (shumica jo me më pak se 20 vjet burg të rëndë). Paralel me këta të dënuar, transportohet dërgesa me armë prej 39 pushkësh automatike, 12 mitralozë dhe një sasi e konsiderueshme bombash të dorës dhe municion, të gjitha këto nga rezervat e Pozharevcit, destinuar për rojet e Burgut në Istog. Armët janë evidencuar dhe nënshkruar. Theksohen emrat e trembëdhjetë të dënuarve serbë, por jo të të gjithë atyre që morën pjesë në ketë masakër. Numri i armëve dëshmon për shumë më tepër të armatosur për këtë qellim. Sidoqoftë, thuhet se atyre trembëdhjetë vetave u janë ndare armët e përmendura dhe se ata janë ngarkuar me to, për çka ekzistojnë reversët dhe nënshkrimet. Atëherë ka filluar masakrimi: sipas njohurive të Prokurorisë serbe, së paku 93 të dënuar janë vrarë në vend dhe 200 janë plagosur.

Në çastin e bombardimit të parë të aeroplanëve të NATO-s, sipas raportit të Sigurimit Shtetëror Serb, në burg ishin 1004 të burgosur, 95 për qind të të cilëve ishin të nacionalitetit shqiptar, por askund nuk thuhet se për çfarë akuzash ishin të dënuar.

Kosova zor se mund të merret me gjykimin e krimeve serbe, kur përgjegjës për sigurinë në Kosovë aso kohe ishte shteti serb dhe dihet mirë se për çka u formua Gjykata e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Por, a duhet të themelohen gjykata të reja, të cilat së pari duhet të konstruktojnë ngjarjet që kanë ndodhur para 20 e më shumë vjetësh, kjo sot duket krejt utopi? Mund të themelohen edhe shumë gjykata, por ato veçse do ta dëmtojnë edhe më shumë Buxhetin e Kosovës.

PËRGJIGJU