Tensionet me Iranin: SHBA përgatit trupa shtesë?!

0

 

Pentagoni po analizon një kërkesë ushtarake të SHBA-së për të dërguar 5,000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, për shkak të tensioneve në rritje me Iranin, raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dy zyrtarë amerikanë.

Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti, thanë se Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara e ka bërë kërkesën, porse “nuk është e qartë nëse Departamenti i Mbrojtjes do ta miratojë atë”.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe SHBA-së janë tensionuar nga viti i kaluar, kur presidenti amerikan, Donald Trump, e ka tërhequr Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Me këtë marrëveshje, që është arritur në vitin 2015, Republika Islamike e ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

Që atëherë, Uashingtoni e ka ashpërsuar retorikën dhe i ka rikthyer sanksionet kundër Iranit.

Shtetet e Bashkuara, këtë muaj, e rritën praninë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, duke përmendur “kërcënime të menjëhershme” nga Irani.

Një gjë e tillë nxiti shqetësime për konflikt të mundshëm ushtarak midis dy vendeve.

​Pentagoni rregullisht pranon – dhe refuzon – kërkesa për trupa dhe pajisje shtesë nga komandat amerikane në gjithë botën. Një nga zyrtarët tha se forcat e kërkuara do të ishin mbrojtëse.

Pentagoni nuk i komentoi këto deklarata.

“Ne nuk diskutojmë apo spekulojmë mbi planet dhe kërkesat potenciale për trupa”, tha zëdhënësja Rebecca Rebarich.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ka kërcënime të besueshme nga Irani kundër forcave dhe interesave amerikanë në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar publikisht prova që i mbështesin këto pretendime.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, tha më 21 maj se administrata Trump po përpiqet të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm.

“Kjo ka të bëjë me parandalimin, jo me luftën, nuk duam të shkojmë në luftë”, tha Shanahan për gazetarët.

Burime të Qeverisë amerikane thanë javën e kaluar se besojnë se Irani i inkurajoi militantët Huthi në Jemen ose milicitë shiite të bazuara në Irak për të kryer sulme ndaj anijeve cisterna të Emirateve të Bashkuara Arabe.

​Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, tha më 22 maj se rinia iraniane do të jetë dëshmitare e shkatërrimit të civilizimit izraelit dhe amerikan.

Trump paralajmëroi se Irani do të përballet me “forcë të madhe” nëse i sulmon interesat e SHBA-së në Lindjen e Mesme./REL

PËRGJIGJU