Thaçi: Koordinimi BE-ShBA mund të rezultojë me marrëveshjen Kosovë-Serbi

0

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se një koordinim maksimal i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mund të rezultojë me sukses për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.

Këto komente Thaçi, i bëri në Tiranë, ku edhe ka dekoruar shumë personalitete të cilat kanë dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se storia e Kosovës është storie e suksesit të plotë vendor dhe ndërkombëtar, pasi është njohur nga 116 shtete dhe anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare

“Shteti i Kosovës ka partnerët dhe mbështetësit e vet, ka miqtë e vet por ka edhe oponentët në rrugëtimin euro-atlantil, një gjë është e sigurt, Kosova e ka të ardhmen e saj në NATO në Bashkimin Evropian, po ecë me hapa të ngadalta por dhe të sigurt“, tha Thaçi.

Kurse, i pyetur për Samitin i Parisit, ai tha se e vlerëson iniciativën franko-gjermane.

“Dialogu duhet të zhvillohet i pa kushtëzuar, duhet të zhvillohet në suaza të barabarta si dy vende të pavarura dhe sovrane. Unë vlerësoj iniciativën franko-gjermane në të njëjtën kohë jam jashtëzakonisht inkurajuar edhe me mbështetjen e plotë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj një koordinim maksimal i Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve do të mund të rezultojë me sukses për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke”, tha ai.

Thaçi është pyetur edhe për zhvillimet në Shqipëri.

“Unë nuk jam këtu për të dhënë vlerësime për zhvillimet e brendshme në Shqipërinë, e dua Shqipërinë, i gjithë kombi e donë Shqipërinë stabile, unike, respektim të institucioneve, të Kushtetutës, ligjeve, të demokracisë, të pluralizmit, ndërsa i mbetet vet popullit të vlerësojnë zhvillimet”,  tha ai.

Thaçi është pyetur edhe për deklaratat e ish kryeministrit, Sali Berisha për të. Për këtë Thaçi tha se në Shqipëri ka fushatë elektorale , prandaj është e pamoralshme që të inkorporohet në këto debatet e brendshme.

PËRGJIGJU