Nishani dhe Jahjaga u shpallën qytetarë nderi të Komunës së Vitisë

0

 

Komuna e Vitisë me rastin e 20 vjetorit të ditës së Çlirimi, sot në sheshin e këtij qyteti ka shpallur qytetarë nderi ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin dhe ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti në ceremoninë e shpalljës së dy ish-presidentëve qytetarë nderi në veçanti ka folur për rëndësinë që ka 14 Qershori-Dita e Çlirimit të Komunës së Vitisë.

“14 Qershori i vitit 1999, ishte dita kur qytetarët e Komunës së Vitisë, përfundimisht frymuan lirshëm nga dhuna dhe agresioni pushtues serb. Kjo ishte dita kur qytetaret e Komunës sonë pas përpjekjeve gati shekullore e realizuan aspiratën e vet nacionale për liri e demokraci. Në këtë ditë të lavdishme, duke kujtuar të kaluarën dhe historinë, ne ia kujtojmë vetës obligimet që kemi ndaj të gjithë atyre që ranë, u sakrifikuan dhe kontribuuan për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, në këtë ditë të rëndësishme, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se obligohemi para brezave të ardhshëm që të punojmë dhe ta ndërtojmë një vend prosperues, i cili do të jetë atdheu i sigurt i qytetarëve tanë”, u shpreh kryetari Haliti.

Ndërkaq, Bujar Nishani, ish-president i Republikës së Shqipërisë i cili që nga mëngjesi mori pjesë në aktivitet për nder të Ditës së Çlirimit u shpreh se ai është i nderuar që sot u shpall qytetar nderi të kësaj komune në veçanti, pasi siç theksoi, ai këtë titull e ka pranuar bashkë me ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ish-presidenti i shtetit shqiptar, Bujar Nishani pos që ju ka uruar qytetarëve vitias 20-vjetorin e çlirimit, u shpreh se në këtë vit Kosova po shënon 20 vjetorin e rezistencës popullore mbi barbarinë serbe dhe 20 vjetorin e nisjes së një partneriteti të rëndësishëm me vendet perëndimore.

Ndërkaq biografitë e dy ish-presidenteve i ka lexuar kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Naim Pira.

Përndryshe sot në sheshin e qytetit të Vitisë, është mbajtur edhe një defile me mekanizmat institucionale, grupeve kulturore-artistike e sportive të kësaj komune. Kurse në orët e pasdites është mbajtur edhe një aktivitet ku atdhetari vitias, Xhelil Musa është nderuar me mirënjohje për vepër jetësore nga kryetari Haliti.

Në këtë takim pos që ka marrë pjesë ish-presidenti Nishani i cili ju drejtua edhe të pranishmeve për punën e z. Musa aty kanë marrë pjesë edhe shumë personalitete të tjera të cilët e kanë çmuar lartë kontributin e tij për shqiptarët.

Ndërkaq në qendër të qytetit të gjithë vullnetarët kanë pasur mundësinë të bëjnë dhurimin vullnetar të gjaku./GJILANI.INFO/

 

PËRGJIGJU