Karateisti Elhami Shabani, sportisti më i mirë i Gjilanit 2018/2019

0

 

Elhami Shabani, karateist i Klubit të Karatesë Drita nga Gjilani, ka marrë epitetin e sportistit më të mirë në Gjilan për vitin 2018/2019.

Përzgjedhja e më të mirëve në sport është bërë në kuadër të Ditëve të Çlirimit të Gjilanit. Ai mori epitetin e më të mirit në një konkurrencë të fortë.

Fillimisht, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka përgëzuar sportistët për rezultatet e arritura. Ai tha se ish-sportistët dhe ata të sotmit, Gjilanin e kanë kthyer në qendër të sportit, duke arritur rezultate kulmore në sportet individuale dhe ato kolektive.

“Meqë prej janarit të ardhshëm kulturën po e ndajmë prej sportit, do të jemi më të relaksuar dhe sportit do t’i kushtojmë një vëmendje krejt tjetër financiare”, ka thënë Haziri, që ka shtuar se pavarësimi i kulturës, në të njëjtën kohë, do të thotë edhe pavarësim i sportit, pra do të lirohet mundësia për investime në sport.

Haziri, tha se djemtë dhe vajzat tona po na bëjnë krenarë në ndeshjet ndërkombëtare, por edhe në ligat vendore po na bëjnë krenarë.

“Po vazhdojmë të jemi kampionë me volejbollistet, futbollistët po ashtu janë shumë të fortë në Superligë, kurse në sporte individuale po na vijnë shumë medalje. Po na bënë krenarë, karateja, volejbollistët që janë të pathyeshme, basketbolli i djemve që dikur ishte sport shumë popullorë dhe që tashti po mëtojnë kthimin në elitë”, tha ai.

“Këtu kemi sportistë, që janë shpallë krenaria e qytetit, andaj urime Dita e Lirisë së Qytetit, e nga shpresat olimpike presim që të na bëjnë krenarë në të ardhmen”, ka thënë Haziri, që nuk la pa përmendur edhe pedagogët e sportit, sponsorët, donatorët dhe të tjerët.

Ndër sportistë më të dalluar u shpallën: Nysret Haziri – badibilding, Ramush Shkodra – klubi Alpin Gjilani, Ermir Kryeziu – futsall, Yll Sllamniku – hendboll, Edonis Maliqi – boks, Flamur Grabovci – bodi bilding, Edison Kqiku – futboll, Ardian Limani – futboll, Vesa Shabani – volejboll, Linda Zeqiri – pingpong.

Në përzgjedhjen e më të mirëve në sportin gjilanas, komisioni në përbërje: Malazog Hoxha, kryesues, Arben Maliqi, Veton Xhemaili, Agim Latifi dhe Drilon Sylejamani. Ky komision, shpresa për vitin 2018/2019 ka përzgjedhur këta sportistë:

 Tringa Nevzati, futbolliste e KFF Intelektualet.

Aris Ismajli, futbollist i KF Shkëndija

Enea Miftari, gjimnaste në Klubin e Gjimnastikës “Halil Alidema”.

Erzana Sylejmani, Klubi i Karatesë “Dardania”.

Dian Maksuti, Klubi i Basketbollit Drita.

Endi Surdulli, Klubi i Boksit Drita.

Ky komision, juniorët më të mirë për vitin 2018/2019 ka përzgjedhur këta sportistë:

Vesa Ibrahimi, Klubi i Karatesë Drita

Blerim Maliqi, Klubi i Karatesë Katana

Hatixhe Zejnullahu, Klubi i Karatesë As

Adonit Isufi, Klubi i Hendbollit Zhegra

Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani  edhe sivjet ka marrë epitetin e klubit më të mirë në komunën e Gjilanit.

Një çmim i tillë vashave të Dritës i është ndarë këtë të premte, kur janë shpallë më të mirët në sportin gjilanas.

Arben Maliqi, pedagog i kulturës fizike i ka ndarë mirënjohjen Lorik Ilazit, kryetrajner i KV Drita, i cili njëkohësisht është shpallë edhe trajneri më i mirë në Gjilan.

Në këtë ceremoni janë shpallë edhe klubi më i mirë për pionierë. Ky epitet i ka takuar Klubit të Hendbollit Zhegra, që edhe sivjet u shpall kampion në këtë kategori.

Në komunën e Gjilanit, referi më i mirë është shpallë Mervan Bejtullahu, gjyqtar i Superligës.

Punëtori më i mirë sportiv: Armend Misini e janë nderuar edhe veteranët e futbollit të Gjilanit.

Qendërsulmuesi i ri Mirlind Daku, është nderuar me një çmim të veçantë në qytetin e tij të lindjes në Gjilan. Daku ka marrë mirënjohjen nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Pos Mirlind Dakut, post mortum janë nderuar edhe sportistët Durgut Abdullahu dhe Muharrem Halili. Për kontributin e madh në zhvillimin e sportit gjilanas janë nderuar me mirënjohje Elmaz Bajrami, ish trajner i njohur i boksit dhe Rifat Shabani, trajner i hendbollit, i cili në këtë manifestim pati një porosi për sportistët e rinj, që të merren me sport, ngase sporti është në të mirën e shëndetit të tyre, në zhvillimin e personalitetit dhe në njohjen ndërkombëtare të vendit./GJILANI.INFO/

PËRGJIGJU