LDK kërkon mobilizim për përmirësimin e jetës së shqiptarëve të Luginës

0

 

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi i Kosovës dhe institucionet përkatëse të marrin hapa konkret për përmbysjen e situatës në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kështu bëri të ditur deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, i cili tha se është fatkeqësi që sot në vitin 2019, në këtë pjesë të Ballkanit, dhe të Serbisë, të një shteti që aspiron të jetë pjesë e BE-së, shqiptarët e Luginës jetojnë në një gjendje të paperspektivës totale, diskriminimit etnik, kulturor dhe social.

Në seancën e sotme që po mbahet pikërisht për këtë çështje, Abrashi bëri të ditur se LDK do të mbështet çfarëdo rezolute që do të nxjerrë Kuvendi i Kosovës e që zotohet ta zbatojë.

“Sot Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse, duhet të mobilizohen për një plan afatshkurtër dhe afatgjate. Dhe këtë nisme, ne duhet ta fillojmë sot këtu, në Kuvend, duke kërkuar nga ekzekutivi t’i përmbushë obligimet, sikurse dhe t’i tejkalojë ato, duke marrë nisma të reja sistematike, duke mbështetur një plan konkret që tejkalon mandatet qeveritare dhe politikat ditore. Ne, sot duhet të krijojmë mekanizma e projekte konkrete, sikurse plane afatgjate me njerëz përgjegjës për realizimin e tyre në funksion të përmirësimit të jetës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe në ruajtje të identitetit të tyre kombëtar”, tha Abrashi.

PËRGJIGJU