Të jemi vigjilentë dhe të matur me situatën në veri

0

 

Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka ftuar institucionet e Kosovës që të jenë vigjilente dhe të matura ndaj situatës në veri të vendit. Ajo ka deklaruar se nuk duhet të bien në provokime të rrejshme të Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka deklaruar se Serbia përmes simulimit të krizës humanitare në veri po mundohet ta destabilizojë veriun e vendit.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente dhe të matura në mënyrë që të ruhet qetësia në veri të vendit. Nuk duhet të lejohen provokimet e rrejshme për një krizë humanitare në veri, në mënyrë që të mos jepet asnjë pretekst për ndonjë konflikt eventual, sepse kjo do të kishte pasoja për Kosovën dhe gjithë rajonin”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka bërë me dije se edhe faktorët ndërkombëtarë duhet të reagojnë ndaj këtyre provokimeve të rënda të Serbisë.

“Apeli im shkon jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për faktorin ndërkombëtar, aleatët e Kosovës, ShBA-në dhe anëtarët e BE-së që ta mbështesin Kosovën dhe të mos lejojnë që Serbia, e cila ka bërë tri gjenocide në Ballkan, t’i kthehet të kaluarës”, është shprehur ajo.

Tahiri ka folur edhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi.

Ajo ka thënë se ky proces nuk duhet të vazhdojë derisa të ndërrohet lidershipi i BE-së.

“Ky dialog nuk duhet të vazhdojë derisa të ndryshojë lidershipi i BE-së i cili është në ndryshim e sipër. Vetë znj. Mogherini si ndërmjetësuese e dialogut ka shkelur parimet evropiane të procesit, duke lënë hapësirë që të bisedohet për ndryshimin e kufijve dhe dëmtimin e Kosovës. Pra, duhet të pritet shkuarja e Mogherinit dhe e atyre që ishin në vijën e lojërave të rrezikshme për ndryshim të kufijve, pastaj kur të konsolidohet liderishpi i ri i BE-së duhet të rinisë dialogu. Kjo i bie se mund të ndodhë diku kah muaji tetor”, është shprehur Tahiri.

Sipas saj, gjatë kësaj kohe Kosova duhet të bëjë përpjekje për ta ndërtuar një ekip serioz të unitetit për këtë proces, i cili do të duhet t’i përfaqësonte pozitën dhe opozitën.

 “Epoka e re”: Znj. Tahiri, Serbia po bën përpjekje për të simuluar një katastrofë humanitare në veri të vendit duke i shtyrë serbët lokalë t’i mbyllin të gjitha dyqanet. Çfarë do të thotë për ju një veprim i tillë?
Tahiri: Ky veprim apo intervenim i Serbisë është me prapavijë djallëzore. Serbia ende nuk ka hequr dorë nga lojërat për kufij dhe i gjithë synimi i saj është hegjemonist. Ajo po tenton që në mënyrë artificiale të krijojë situatë destabilizuese për të përdorur si argument për ta ndarë Kosovën. Ne të gjithë jemi dëshmitarë se ka pasur disa lojëra kohën e fundit për ndryshim të kufijve. Serbia ishte në një angazhim dhe pritje të madhe që do të mund ta ndajë Kosovën, por ne nuk e lejuam një gjë të tillë. Ne, themeluesit e shtetit, dhe partitë politike u ngritëm me vendosmëri dhe u thamë jo këtyre lojërave. E dimë të gjithë se pjesë e këtyre lojërave ishin edhe presidenti Thaçi, kryeministri Rama, presidenti serb, dhe Rusia e cila ishte kryesponsorja e destabilizmit të kufijve.

“Epoka e re”: Cili duhet të jetë reagimi i institucioneve të Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar karshi kësaj situate?
Tahiri: Institucionet e Kosovës duhet të jenë vigjilente dhe të matura në mënyrë që të ruhet qetësia në veri të vendit. Nuk duhet të lejohen provokimet e rrejshme për një krizë humanitare në veri, në mënyrë që të mos jepet asnjë pretekst për ndonjë konflikt eventual, sepse kjo do të kishte pasoja për Kosovën dhe gjithë rajonin. Siç e kam thënë edhe më herët, prekja e kufijve ekzistues të Kosovës nuk mund të mbetet e izoluar. Një veprim i tillë do të përshkallëzohej në ndryshim kufijsh për të gjithë Ballkanin. Pra, jemi në një situatë të rëndë të provokimit nga ana e Serbisë, e njohur si faktor destruktiv në Ballkan edhe sot e kësaj dite. Apeli im shkon jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për faktorin ndërkombëtar, aleatët e Kosovës, ShBA-në dhe anëtarët e BE-së që ta mbështesin Kosovën dhe të mos lejojnë që Serbia, e cila ka bërë tri gjenocide në Ballkan, t’i kthehet të kaluarës.

 “Epoka e re”: Pas mbylljes së dyqaneve në veri, Qeveria e Kosovës, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, ka hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset. Ka qenë veprim i duhur ky?
Tahiri: Ky veprim ishte jashtëzakonisht i mirëseardhur. Kjo jep një mesazh për qytetarët e Kosovës në veri, sidomos për ata të komunitetit serb, se ata janë pjesë e barabartë e shtetit të Kosovës dhe ky shtet interesohet për ta. Siç e dimë të gjithë, për shtatë vjet sa kam udhëhequr bisedimet e Brukselit ne kemi arritur ta vëmë kufirin në veri me Serbinë. Me marrëveshje kemi shuar strukturat paralele në atë pjesë, ka filluar integrimi i serbëve të veriut në institucionet e Kosovës dhe funksionimi i shtetit të Kosovës. Ky zhvillim shtatëvjeçar ka qenë jashtëzakonisht pozitiv. Më herët është kritikuar dialogu i Brukselit dhe jam kritikuar edhe unë, por tani secili po e sheh se kemi pasur arritje të mëdha për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit. Mirëpo po e përsëris se loja për ndryshimin e kufijve ka krijuar një situatë jo të mirë, por e rëndësishme është se këtë çështje e kemi mbyllur me ndihmën edhe të aleatëve tanë. Veçmas Samiti i Berlinit dhe kancelarja Merkel ka qenë e qartë që nuk ka ndryshim të kufijve në mes të dy vendeve. Të gjithë duhet ta dinë se kjo çka po bën Serbia tani është një rikthim në politikë të agresionit për ta marrë veriun e Kosovës. Prandaj, kjo duhet të kundërshtohet nga ne dhe nga faktori ndërkombëtar.

 “Epoka e re”: Ky skenar i Serbisë erdhi nga dështimi i Samtit të Parisit?
Tahiri: Nuk do të thosha se ky reagim ka ardhur vetëm për shkak të dështimit të Samtit të Parisit. Kjo po vjen nga mentaliteti hegjemonist i Serbisë, ku të gjithë po e shohin se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga Serbia e madhe. Pavarësisht se po kërkon të bëhet anëtare e BE-së, ajo nuk i respekton parimet evropiane për Ballkanin, ku kanë lindur disa shtete të reja, e të cilat janë anëtarësuar në BE ose janë në rrugë të anëtarësimit. 23 vende të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mendoj se ky është një mesazh mjaft i qartë për Serbinë se ky shtet nuk mund t’i prekë kufijtë dhe të krijojë Serbinë e madhe. Serbia ka një mbështetje nga Rusia, e cila ka interesa që duke destabilizuar Ballkanin ta rrisë influencë në Ballkan sikurse ka bërë me intervenimin në Ukrainë dhe vende të tjera. Pra, kemi të bëjmë me skenarë ndërkombëtarë të ndikuar nga Rusia, ku Serbia është satelit i Rusisë në Ballkan për gjëra të këqija.

 “Epoka e re”: Si e shihni vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi? Kur mund të ndodhë rinisja e këtij procesi?
Tahiri: Së pari ky dialog nuk duhet të vazhdojë derisa të ndryshojë lidershipi i BE-së i cili është në ndryshim e sipër. Vetë znj. Mogherini si ndërmjetësuese e dialogut ka shkelur parimet evropiane të procesit, duke lënë hapësirë që të bisedohet për ndryshimin e kufijve dhe dëmtimin e Kosovës. Pra, duhet të pritet shkuarja e Mogherinit dhe e atyre që ishin në vijën e lojërave të rrezikshme për ndryshim të kufijve, pastaj kur të konsolidohet liderishpi i ri i BE-së duhet të rinisë dialogu. Kjo i bie se mund të ndodhë në muajin tetor. Mendoj se deri atëherë Kosova duhet të ndërtojë një ekip serioz të unitetit për këtë proces, sepse nuk mund të shkohet në bisedime për njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë me një ekip që ka qenë me legjitimitet të pamjaftueshëm dhe sot ai është ekip jokushtetues. Dihet që dialogu me armikun nuk është i thjeshtë dhe ata që do të jenë pjesë e këtij procesi duhet ta dinë se kjo është një detyrë shumë e rëndësishme dhe vetëm një ekip i duhur i unitetit krijon legjitimitet. Pra, ekipi duhet ta përfaqësojë spektrin e gjerë të pozitës dhe opozitës.

Muhamet KOCI

PËRGJIGJU