Vulgariteti nuk është gjë tjetër pos mbrojtje nga ndjenjat

0

 

Mirishahe Limani Hiler

Ju faleminderoj të gjithëve që debatuat në frymë të shëndoshë në lidhje me artikullin që kam publikuar në faqen time të Facebook-ut e më pas edhe në disa media, më 2 korrik. Ata që kanë qenë të vëmendshëm kanë mundur ta kuptojnë se titulli i shkrimit është vënë nga redaksia, e cila e ka këtë të drejtë dhe mbanë përgjegjësi ashtu siç mbaj unë përgjegjësi për çdo rresht që kam shkruar.

Fatkeqësisht, arktikullit tim, nga disa individë, me apo pa dashje, iu dha kahje tjetër.

Mirëpo, megjithatë jam e lumtur që pjesa më e madhe e lexuesve, qoftë në mërgatë apo në atdhe, janë të hapur dhe vetëkritikë ndaj dukurive tona negative në shoqëri, edhe pse botërisht mund të them se nuk e kemi ende guximin e duhur për ta bërë këtë.

Artikulli im i është dedikuar vetëm atyre që e gjejnë veten në të, me shpresë që të ndikojë në sensibilizimin e tyre ndaj kësaj dukurie, sado sporadike qoftë.

Nga këndi sociologjik, artikulli im nuk pretendon të përqeshë mërgatën, por vë në dukje dukurinë dhe u jam adresuar individëve të caktuar që identifikohen me sjellje të tilla.

Më vjen keq që po të njëjtit janë shprehur në mënyrë vullgare dhe i kanë ikur përmbajtjes së tekstit, gjë që ndikon drejtpërsëdrejti jo vetëm në cënimin e lirisë së shprehjes së mendimit dhe privatësisë sime, por edhe frymës dhe zhvillimit të institucionit të familjes, në të cilin ndodhen nënat, bashkëshortet dhe vajzat e tyre.
«Vulgariteti nuk është gjë tjetër pos mbrojtje nga ndjenjat».

Të debatojmë dhe të luftojmë dukuritë negative në shoqëri, nuk jemi të parët e me siguri jo as të fundit. Këtë para nesh e kanë bërë shumë popuj të mërguar: italianët, spanjollët, portugezët…

Të gjithë i dimë dhe kemi plot e përplot raste që ilustrojnë mosrespektimin e institucioneve tona shtetërore apo private në Kosovë. Ata janë çfarë janë dhe nuk ndihmohen duke i injoruar apo njollosur.

Përderisa forcave të rendit jashtë atdheut iu bindemi përplot elegancë, pse forcave të rendit në Kosovë marrim të drejtën t’iu themi «jeni bërë më zi se shkijet» përplot arrogancë?!

Në asnjë moment nuk kam vënë në dyshim ndihmën financiare të mërgatës siç është pretenduar të devijohet nga disa lexues. Tek e fundit, këtë e kemi obligim ndaj familjeve tona që jetojnë në atdhe.

Mbetem me shpresë që Kosova jonë të zhvillohet sa më shpejt e varësia financiare e askujt nga ne atje, të mos ndjehet sikur «lëkura e ujkut e varur në tra», ne pra si shoqëri e saj të jemi sa më dinamikë e vetëkritik në luftimin e dukurive negative që na rrethojnë.

Jo rastësisht po e përmend kancelaren gjermane Angela Merkel e cila para pak javësh, në Universitetin e Haward-it iu drejtohet të pranishmëve me porosinë «Luftoni muret e injorancës dhe mendjen e ngushtë».

 

PËRGJIGJU