Humori “i bardhë” rus

0

Fadil Lepaja

Është shaka, rreng apo çapkënëri biseda telefonike e “prankerëve” rusë, me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zajev e publikuar në kanalin e tyre në “Youtube”? Sido që të jetë, ajo nxjerr në sipërfaqe shqetësimin e kryeministrit maqedonas, dhe jo vetëm atij, me lojën me territoret, me kufijtë, e cila sipas tij po e rrezikon sërish paqen në Ballkan.

Këtë lojë, duke iu referuar videos që po qarkullon në rrjet, sipas kryeministrit të Maqedonisë Veriore po e bëjnë presidenti kosovar dhe ai i Serbisë, me instruktimin, përkatësisht përkrahjen e Rusisë dhe Turqisë. Interesi rus dhe turk, thotë ai, lidhet me Abhazinë dhe me Qipron, duke përmendur në këtë kontekst emrat e dy presidentëve aktualë të dy ish-perandorive të cilat edhe sot e kësaj dite ende nuk i kanë risjellë kufijtë e vet në linjën e synuar historikisht. Është vetëm histori apo janë interesa reale dhe ambicie aktuale të tyre, kjo është ende çështje që diskutohet ndër njohësit e çështjes. Por, edhe ndër gjithë të shqetësuarit me rifuqizimin dhe rritën e tyre.

Sido që të jetë, “prankerët” rusë, Vovan (Vladimir Kuznecov) dhe Leksus (Aleksej Stolarov) thuhet se kanë zhvilluar së paku tri biseda të improvizuara telefonike me kryeministrin aktual të Maqedonisë Veriore, duke u prezantuar rrejshëm si ish-presidenti i Ukrainës, Aleksandër Poroshenko,

Përndryshe këta të dy, “dyshja gazmore” si i quajnë edhe në disa nga mediat tona, janë të njohur për bisedat e gjata të cilat i zhvillojnë me personalitete publike, duke përdorur identitete të rreme.

Tash është shaka, montim, apo e vërtetë videoja, kjo është pyetja tjetër po aq legjitime kur dimë se edhe më herët, kryeministrit Zaev i ishin montuar lojëra të tilla, sidomos ajo me deklaratën e tij për prejardhjen shqiptaro-ortodokse dhe ortodoksinë gjithëpërfshirëse shqiptare në Ballkan, ku ai e nxjerr tërë Ballkanin me origjinë ortodokse shqiptare.

Se është shaka nuk ka asnjë dyshim, tash dilema se a është shaka me krip apo pa të është çështje e shijes dhe preferencave, por insistimi presidencial serbo-shqiptar (kosovar) gjithsesi nuk është shaka, as çapkënëri, edhe pse mund të jetë rreng, nëse e kemi parasysh kuptimin e pare te fjalës.

Ajo që nuk mund të merret kurrsesi si shaka është po ashtu parada ushtarake e forcave të armatosura të Serbisë, në afërsi të kufirit me Kosovën, në të cilën tash 20 vjet janë të vendosura, në funksion të ruajtjes së paqes (jo vetëm në Kosovë), forcat e aleancës ushtarake veri-atlantike, pra të NATO-s, dhe demonstrimi i forcës dhe aleancës ushtarako-politike të Serbisë me Rusinë nuk mund të futet as nën kategorinë e humorit serb apo rus.

Pra, siç e dimë, para më pak se dy muajsh, me 10 maj 2019, në paradën ushtarake të organizuar me rastin e ditës së fitores mbi fashizmin, në qytetin e Nishit parakaluan 4,000 pjesëtarë të forcave të armatosura të Serbisë, 300 automjete, 40 fluturake përfshirë edhe dy helikopterë luftarak me ekuipazh rus, përfshirë edhe tanket ruse, siç raportojnë mediat, duke e interpretuar këtë si demonstrim force dhe një aleancë gjithnjë më të madhe dhe në përputhje të interesave serbe dhe ruse në rajon.

Pas takimit të delegacionit serb dhe atij kosovar, me kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin e Francës Macron, çështja e kufijve jo vetëm se u hesht dhe u duk se u rrënua, por mbeti edhe në harresë për një kohë, edhe pse herë pas here në deklaratat e dy presidentëve, Vuçiq dhe Thaçi, ajo përmendej sa për të mos u harruar.

Edhe draft-rezoluta presidenciale e para pak ditëve, e iniciuar nga presidenti Thaçi dhe e dërguar në Parlamentin e Kosovës, ishte një iniciativë e cila nuk mori, as në Kosovë, aq shumë publicitet sa do të dëshironte ai, dhe dështoi si përpjekje për të e riaktualizuar idenë – edhe përkundër (keq)përdorimit të emocioneve të qytetarëve nga Lugina e Preshevës.

Prandaj ka shumë gjasë që si arma e fundit, pasi dështuan të tjerat, pra edhe deklaratat dhe iniciativat e dy presidentëve, serb dhe kosovar për të marrë vëmendjen ndërkombëtare, mbeti shakaja, rrengu apo çapkënëria ruse, pra “pranku” dhe “prankistët” e famshëm rusë të cilët depërtojnë aty ku as Putini apo Erdogani nuk arrijnë.

E, përse humori i bardhë, do të pyesni ju, përderisa në Rusi ende nuk ka rënë borë, ende është verë? Verë në Rusi? Në Siberi? Sido që të jetë, i bardhë apo i zi, humori me kryeministrin e Maqedonisë Veriore e aktualizoi sërish në media, së paku në ato pro idesë, çështjen e kufijve, dhe dy presidentët.

Kryeministri Zaev duket se kishte besuar plotësisht në identitetin ukrainas të bashkëbiseduesit, sepse kishte pranuar nga ai edhe këshilla, aspak normale, se si të korruptohet patriarku rus për të njohur autoqefalinë e Kishës Ortodokse Maqedonase, e cila qysh e dimë është në telashe me mosnjohjen nga Kisha Ortodokse Serbe.

Nëse videoja është autentike, duhet pranuar se nuk kemi të bëjmë me humor të zi. Pavarësisht nga vërtetësia, kjo video paraqet gjithsesi vetëm “vazhdim të politikës me mjete të tjera” humoristike në këtë rast.

Sido që të jetë, mbetet të shihet se çfarë formash do të marrë “përplasja e civilizimeve” në oborrin tonë Ballkanik. (Anti)globalizmi është formësuar në hapësirat tona, si çështje e kufijve që (nuk) lëvizin. Përkohësisht apo derisa të shlyhen vetvetiu nga hartat, është çështje që mbetet të shihet se si do të rrjedh.

PËRGJIGJU