Feronikeli t’i hapë dyert e ‘Fadil Vokrrit’

0

 

Sadik ZEQIRI

Klubi i Kosovës, Feronikeli, që ende është pjesë e garave evropiane, pra Ligës së Kampionëve, është para një suksesi të madh. Klubi i “Nikli”-t është në prag të kualifikimit në rrethin e dytë, pasi arriti një barazim në katër minutat e fundit të ndeshjes ndaj TNS-së në Uells (2-2) andaj, tash, përveç fitores për kualifikim, i mjafton edhe një barazim pa gola (0-0), ose një barazim me rezultat 1-1.

Siç dihet, pas një loje dhe paraqitje shumë të mirë të ekipit nga Drenasi kundër kampionit të ligës së parë të Uellsit, mundësitë për t’u kualifikuar më tutje janë rritur dukshëm dhe të martën e ardhshme, më 16 korrik, në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45, do të luhet ndeshja e kthimit. Me këtë datë dhe në këtë kohë duhet që të gjithë dashamirët e sportit në përgjithësi dhe të futbollit në veçanti të vijnë dhe t’i mbushin tribunat e “Fadil Vokrrit”.

Asnjë ulëse në stadiumin që e mban emrin e Vokrrit nuk bën të mbetet e zbrazët, pasi këtu nuk luhet vetëm për suksesin e klubit të Feronikelit, por për sukseset e futbollit dhe të shtetit të Kosovës në përgjithësi. Po ashtu, duhet t’ia bëjmë me dije TNS-së, në shkuarje dhe FC Kobenhavn në ardhje, se Kosova, edhe pse është pranuar pak vite më parë në FIFA dhe UEFA, përpos futbollistëve fantastikë, ka edhe shikues dhe dashamirë të flaktë të cilët mbushin stadiumet edhe kur klubet tona nuk arrijnë rezultate pozitive.

Kryetari i Klubit të Feronikelit, biznesmeni i suksesshëm Naser Ramaj, i cili është më meritori për sukseset e këtij klubi, pasi është duke investuar miliona në të, këtë herë nuk do të duhej të kërkonte fitime nga biletat e shitura për këtë ndeshje, e që mund t’i fitojë rreth ose mbi 20 mijë euro, por t’i hapë dyert e stadiumit për dashamirët e futbollit, që të kenë mundësi ta shikojnë ndeshjen falas. Të paktën, të mundësojë që tribunat në pjesën veri-jug t’i lë pa pagesë.

Skuadra e Feronikelit momentalisht është më e mira në vend dhe pjesë e saj janë futbollistët më të mirë që i ka Kosova dhe me plot meritë është fituese e titullit dhe Kupës në edicionin e fundit. Besoj shumë në suksesin historik të saj në Ligën e Kampionëve. Besoj shumë në përkrahjen e dashamirëve të futbollit për këtë ekip tonin historik.

Ejani, më 16 korrik, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45.

Ta gëzojmë fitoren bashkërisht!

PËRGJIGJU