KUR “ANALISTËVE” U INJEKTOHET GUXIMI

0

Shkelzen Halimi

Vetëm pushtetin nuk e zë gjumi. Në fakt, edhe nëse kotet pak, njërin sy gjithmonë e ka të hapur. I vetëdijshëm për vlerat e demokracisë, pushteti (pjesa shqiptare) kundërshtarët e vet do t’i luftojë me “metoda demokratike”, përmes shërbimeve manipuluese partiake, të cilët, veç marifeteve tjera, do të gjejnë vullnetarë (të etur për pushtet) që do të pranojnë t’u injektohet guximi intelektual për t’u vetëshpallur si “analistë”, gjithnjë duke mbrojtur midis rreshtave pushtetin, por edhe duke bërë përpjekje që ta turbullojnë mendimin opozitar.

Në fakt, këta do të jenë të ashtuquajtur “analistë”, të cilët në esencë nuk kishin as njohuri elementare për ABC-në e politikës, por që kryesisht ose përsërisnin mendime të të tjerëve që i huazonin nga mediumet në Prishtinë e Tiranë, ose vetëm jepnin konstatime për diçka që edhe fëmijët ishin në gjendje ta konstatojnë.

“Analistët” e guximshëm të elitave politike që do të vihen në shërbim të politikës ditore dhe që do të kenë hapësirë të mjaftueshme për t’i paraqitur mendimet e mësuara përmendësh, për ta dëshmuar besnikërinë e qenit, fare nuk do të hezitojnë që të nënshkruhen në tekstet e gatshme, të cilat, në prapaskenë, për paga simbolike, i shkruanin larot ose hyzmeqarët e pendës, të cilët gjithnjë ishin në gjendje gatishmërie.

Një nga format tjera të joshjes dhe krijimit të grupimeve (pseudo)intelektuale, që në fakt do të tregohen si grupime të mbyllura, sepse potenca e tyre intelektuale nuk premtonte ndonjë vlerë të qëndrueshme, ishte pozicionimi i tyre në disa vende të kontrollueshme, të cilët kishin vetëm një detyrë: t’u shprehin merita atyre që i pozicionin në ato vende.

Nga këto grupime (që do të gëzojnë të mira materiale) do të dalin disa biçim njerëz që do të thonë: “ne jemi njerëz të kulturës”. Dhe, ata i kënduan partisë, thurën vargje partiake, aktruan për partinë, pikturuan për partinë dhe çka nuk bënë për partinë, vetëm e vetëm që t’i japin identitet kulturës partiake.

Pra, ky ishte profili i përfaqësuesve të grupimeve të mbyllura partiake, që u bënë rrethojë e mbyllur e partisë, duke u përpjekur që nga ky rreth mos të arrijë të përvijohet turpi që e kishte katandisur shoqërinë shqiptare.

Pararoja e këtillë (pseudo)intelektuale, duke rënë në trans për shkak të ekzaltimit nga faktorizimi i saj, në të vërtetë do ta marrë rolin e cirkut, ku palaçot do të jenë të vetmit që do ta argëtojnë publikun, edhe ashtu të manipuluar nga marrja e biletave falas për ta përcjellë një “program” me të gjitha nishanet e një cirku të vërtetë.

Por, a kishte vdekur shpirtëroja?

PËRGJIGJU