AKR-ja nuk do ta ketë problem kalimin e pragut zgjedhor

0

 

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik që vjen nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Valdrin Lluka, ka thënë se vendimi për dorëheqje i kryeministrit ishte i papritur për të dhe AKR-në.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se sa më parë duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme që mos të mbesin të bllokuara projektet që e presin Kosovën.

Lluka ka bërë me dije se AKR-ja është e gatshme për zgjedhje të reja, duke theksuar se për këtë parti nuk do të jetë problem kalimi i pragut zgjedhor. Sa i përket bashkëpunimit me parti politike, anëtari i kryesisë së AKR-së ka pohuar se nuk kanë vija të kuqe si parti.

Në këtë intervistë Lluka ka folur edhe për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, për gjendjen në Telekom dhe për ndërmarrjen “Trepça”

“Epoka e re”: Z. Lluka, ju si ministër dhe zyrtar i lartë i AKR-së si e pritët dorëheqjen e Haradinajt nga posti i kryeministrit?
Lluka: Ishte diçka e papritur kur kuptuam lajmin në mbledhjen e qeverisë për dorëheqje, siç tha ai, për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Të shohim tani se cilat do të jenë rrjedhat politike, por duhet të mos krijojmë vakum në qeveri. Pa një qeveri e cila nuk ka të drejtë të marrë vendime, dëmet do t’i pësojnë më së shumti qytetarët dhe bizneset.

“Epoka e re”: A është e gatshme AKR-ja për zgjedhje të parakohshme?
Lluka: AKR-ja gjithmonë është e hapur për bashkëpunim. Ne nuk vendosim vija të kuqe për askënd sepse jemi parti liberale. Për momentin mendojmë se duhet të shkojmë vetëm në zgjedhje. Në bazë të analizave që kemi bërë AKR-ja nuk do ta ketë problem kalimin e pragut zgjedhor, ndërkaq sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera kjo do të varet nga mundësitë e bashkëpunimit dhe qasja e partive të tjera, ku hyjnë edhe ofertat. Ta presim caktimin e datës së zgjedhjeve dhe mandej çdo gjë është përcaktuese. Mendoj se në zgjedhje duhet të shkojmë sa më shpejt të jetë e mundur dhe mos ta lëmë qeverinë pa një statut të qartë. Sot kur po flasim nuk janë të qarta vendimmarrjet tona. Ka mendime të ndryshme. Disa thonë se ka mundësi për të marrë vendimmarrje, disa të tjerë thonë nuk ka mundësi për vendimmarrje. Është e rëndësishme që të kemi sa më parë zgjedhje të reja.

“Epoka e re”: Si rrjedhojë e situatës politike, cilat janë prioritetet që kanë mbetur në mandatin tuaj pa u realizuar?
Lluka: Projekti i termocentralit “Kosova e Re” është në fazën finale të përmbylljes financiare, ku më pas duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim. Këtu mund ta kemi një problem, por me ardhjen e Kuvendit të ri duhet të trajtohet menjëherë kjo çështje. Projektet e tjera që kërkojnë vëmendje është ai për “Trepçën”, pasi çdo përpjekje e çfarëdo aseti të “Trepçës”, qoftë për shitje apo çfarëdo investimi, kërkon aprovimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo është edhe në bazë të Ligjit për “Trepçën”. Është procedurë pak e tepërt dhe burokratike por, sidoqoftë, për ta respektuar legjislacion në fuqi, çfarëdo që dëshirojmë të bëjmë për “Trepçën”, duhet aprovimi final në Kuvendin e Kosovës. Si projekt jo më pak me rëndësi kemi edhe Telekomin, që është në një situatë të vështirë. Kemi bërë kërkesë për një garanci shtetërore për ta ndihmuar Telekomin për të pasur një qasje në kredi, sidomos për investimet që i duhen tani në sistemin e mirëmbajtës së kontrollit dhe formës për pagesën e licencave që skadojnë më 31 korrik dhe ku vazhdon me tjetër licencë për 15 vjetët e ardhshëm. Garancia shtetërore kërkon përfshirjen e Kuvendit, në këtë rast kjo mund të jetë pengesë serioze për Telekomin. Prandaj, janë disa gjëra që Kuvendi i Kosovës na shkakton probleme. Tek pjesa e garancisë jemi duke shikuar meqë është investim brenda Kosovës dhe meqenëse qeveria është aksionare 100 për qind, ndoshta nuk ka nevojë për Kuvendin fare. Këtë çështje jemi duke e shtjelluar bashkë me Ministrinë e Financave, kurse për pjesët e tjera varet nga vendimmarrja e Kuvendit.

“Epoka e re”: Në rast se do të dështojë Termocentrali “Kosova e Re”, meqë ka kundërshtime të shumta qoftë nga shoqëria civile dhe analistët, cilat do të jenë pasojat për Kosovën?
Lluka: Pasojat do të jenë të mëdha nëse dështon projekti i termocentralit ‘Kosova e Re’. Ne jemi dëshmitarë që bizneset kanë humbje të mëdha për shkak të energjisë jostabile, qytetarët kanë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe kjo ndodh për shkak të paparashikueshmërisë së energjisë elektrike nga termocentralet aktuale. Termocentrali ‘Kosova A’ është ndërtuar në vitin 1962 dhe ai termocentral duhet të jetë një muzë dhe jo termocentral operues, sepse është jashtëzakonisht i vjetër. Punëtorët që punojnë në këtë termocentral janë heronj pasi e mbajnë gjallë atë termocentral. Bazuar në të dhënat e prodhimit të këtij termocentrali shihet se prodhon vetëm për gjysmën e kohës, 40 deri në 50 për qind është aktiv dhe nuk ka mundësi më shumë. Ky termocentral nuk ka stabilitet në prodhim dhe normalisht ndodh shpesh të ndalet dhe mos të operojë, pra shkakton ndërprerje të menjëhershme të energjisë derisa të gjendet mundësia e importimit. Ne kemi nevojë për zëvendësim të kapaciteteve energjetike në vend, pra mbylljen e Termocentralit ‘Kosova A’ dhe aktivizimin me kapacitete të reja që janë më fleksibile dhe shumë më ekonomike dhe efeciente. Termocentrali ‘Kosova e Re’ i harxhon një ton thëngjill për një megavat prodhim, kurse ‘Kosova A’ rreth 1.8 ton. Nga kjo mund të kuptohet se sa mund të ketë kursime sa i përket konsumit të thëngjillit. Mendoj se termocentrali ‘Kosova e Re’ duhet të vazhdojë. Nuk do të ishte problem numri i votave për ta kaluar në Kuvend, pavarësisht situatës aktuale politike.

“Epoka e re”: A do të ketë rritje të çmimit të energjisë siç kanë parashikuar disa organizata të shoqërisë civile deri në 50 për qind?
Lluka: Sot kur po flasim për ndikimin në tarifa të energjisë elektrike, kemi parashikime të ndryshme nga shoqëria civile. Fillimisht kishim një të dhënë për rritje çmimi 44 për qind, mandej 60 për qind dhe deri tash së fundi në 90 për qind. Pra, as vetë shoqëria civile nuk ka ndonjë të dhënë të saktë. Të gjitha këto janë spekulime në bazë të disa kritereve që ende nuk dihen. Për t’u kuptuar saktë rritja e tarifave të energjisë elektrike ne duhet ta dimë saktë koston e ndërtimit të termocentralit si dhe koston e financimit, tek pastaj ato hyjnë në modelin financiar dhe kuptohet se sa do të jetë kostoja e prodhimit të energjisë elektrike për megavat. Në momentin që paketa e garancive dërgohet në Kuvend, deputetët do të dinë saktë ndikimin në tarifa para se të vendosin. Natyrisht se çdo investim në sektorin energjetik reflekton edhe në tarifa. Edhe energjia e ripërtëritshme, turbinat me erë, panelet solare, investimet në transmision, rrjetë dhe çfarëdo tjetër reflekton në tarifa të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, edhe investimi në Termocentralin ‘Kosova e Re’ do të reflektojë dhe ndikojë në tarifa. Por rritja nuk do të jetë siç po pretendohet nga shoqëria civile. Në fund të fundit, është e rëndësishme që qytetarët dhe bizneset do të kenë furnizim stabil dhe kualitativ të energjisë elektrike, kjo pastaj do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rritjen ekonomike. Pa energji stabile nuk mund të ketë as investitor serioz në vend.

“Epoka e Re”: Z. Lluka, si i përgjigjeni paralajmërimit të Sindikatës së “Trepçës” për grevë për shkak të vonesave në paga dhe deri ku ka shkuar me punë grupi punues për çështje sociale?
Lluka: Gjiganti ‘Trepça’ tani e ka të rregulluar infrastrukturën ligjore pasi në këtë mandat ka kaluar draft-statuti i cili ka mundësuar hapjen e rrugës së zhvillimit të ‘Trepçës’. Kam pasur takime me përfaqësues të ‘Trepçës’ sa herë që ka qenë e nevojshme dhe i kam vizituar ata. Po ashtu, e kemi subvencionuar ‘Trepçën’ me 5 milionë euro për paga dhe investime, por në tërësi nuk mund t’i subvencionojmë edhe pagat, sepse nuk mund të marrim buxhet nga qytetarët për subvencionim pagash kur dihet se paga mesatare aty është 770 euro. Megjithatë, kjo duhet të bëhet në bazë të procesit të prodhimit. Sindikata duhet të ulët së bashku me menaxhmentin dhe të koordinohen dhe ta gjejnë mënyrën e rritjes së prodhimit. Në të kaluarën nuk ka pasur problem për sigurim të pagave, andaj natyrisht që menaxhmenti duhet të jetë më agresiv dhe ta rrisë procesin e prodhimit.

“Epoka e Re”: Kemi deklarata nga bordi dhe menaxhmeti se prodhimi është i limituar për shkak të teknologjisë së vjetruar. Sa ka interesim për të investuar në “Trepçë”?
Lluka: Teknologjia është vjetruar, por menaxhmenti dhe punëtorët duhet ta bëjnë punën maksimale dhe ta rrisin nivelin e prodhimit në mënyrë që të mund t’i mbulojnë pagat. Interesimi për ‘Trepçën’ është i vazhdueshëm. Kudo që kam shkuar më kanë përmendur ‘Trepçën’. Patëm edhe vizitën në Kanada, ku u shpreh interesim për investime. Po ashtu, kemi edhe një investitor arab që është i interesuar të investojë në ‘Trepçë’. Janë diku shtatë investitorë të cilët janë të interesuar për ‘Trepçë’-n. Fillimisht është e nevojshme që të bëhet matja e resurseve, pasi që nga viti 1974 nuk ka pasur matje dhe kur të dihet edhe vlera e saktë e resurseve dhe pasurive, atëherë më lehtë do të fillohet me procesin e investimeve të huaja.

“Epoka e re”: Ministër, si është gjendja aktuale në Telekomin e Kosovës dhe kur pritet të fillojë procesi i privatizimit?
Lluka: Gjendja në Telekom është rënduar dhe ka probleme financiare. Ne tashmë jemi në proces të ristrukturimit të Telekomit të Kosovës në bazë të marrëveshjes që kemi me BERZh-in dhe besoj se pas gjashtë muajve Telekomi do të jetë në fazën e privatizimit.

“Epoka e re”: A mund të ketë infiltrime politike meqë e kemi dhe rastin e “Z-Mobile”-s?
Lluka: Jo. Arsyeja kryesore pse kam insistuar në angazhimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të na ndihmuar në procesin e ristrukturimit dhe privatizimit të Telekomit është pikërisht rritja e kredibilitetit të procesit si dhe konkurrueshmëria nga kompani me brende ndërkombëtare. Vetë fakti që një institucion kredibil është i përfshirë në këtë asistencë, përçon mesazh serioz dhe pozitiv drejt aktorëve të ndryshëm.

“Epoka e re”: Si e keni parë paralajmërimin e IPKO-s për largim nga Kosova?
Lluka: IPKO është një ndër investitorët më të mëdhenj të huaj në Kosovë. Normalisht, vendimmarrjet strategjike janë të kompanisë dhe një gjë e tillë mund edhe të jetë pozitive për Kosovën, varësisht se kush është blerësi i telefonisë mobile. Unë pres që çmimi i investimit është jashtëzakonisht i madh, që vetëm investitorë të huaj seriozë do të tregojnë interesim. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë edhe mund të kemi brende të mëdha ndërkombëtare në Kosovë si rrjedhojë e këtij transaksioni. Kjo, po ashtu, do të ndikojë pozitivisht në rritje të investimeve të huaja direkte pasi që çmimi i shitjes së këtij aseti pritet të jetë shumë më i madh se investimi i realizuar dhe neto vlera është përfitim për brutoproduktin vendor të Kosovës.

(Albulena S. MAVRAJ)

PËRGJIGJU