Sidheri: Romani i shekullit XXI përçon nektarin e epokës

0

 

Poligloti, përkthyesi letrar dhe poblicisti Elvi Sidheri, vjen për lexuesin me romanin e radhës “Dy botë”, në të cilin tema kryesore është ajo universalja, dashuria. Sidheri është shqipërues i rreth pesëdhjetë librave nga gjuhë të ndryshme.

Romani paraprak i tij titullohet “Emigrantja”. Në intervistë për Radio Kosovës, duke folur rreth  përdorimit të cilësimeve roman dhe dashuri e shekullit XXI në romanin “Dy botë”, dhe çfarë domethënë për autorin Sidheri romani i shekullit XXI dhe dashuri e shekullit XXI, ai thotë ndër të tjerat se: ” Romani i shekullit XXI për mua, është një roman që sheh, frymëzohet, shkruhet dhe përçon te lexuesi nektarin e epokës në të cilën frymojmë, dashurojmë, punojmë, krijojmë e ku na formësohen karakteri, bindjet e mendësitë tona”!

Përse pikërisht titulli DY BOTË?

Është një titull që ngërthen mirëfilli edhe thelbin e këtij romani, prandaj nuk është aspak rastësor apo përgjithësues. “DY BOTË” nënkupton e ravijëzon dy botët fizike, mendësore, kulturore, por, mbi të gjitha, edhe dashurore mes të cilave jeton, ndien, vepron, rritet shpirtërisht, mendërisht e profesionalisht personazhi kryesor i këtij romani.

Cili është personazhi kryesor i këtij romani, në vazhdë të asaj që e thatë më lart?

Personazhi kryesor i këtij romani është një vajzë e re nga Tirana, e bukur, lozonjare, e mençur dhe tejet e vendosur në jetë, në çdo fushë e çdo kuptim; që ndjek ëndrrat dhe synimet e saj krejt paepur, që dashuron fort dhe ngulmueshëm, që arrin realizimin e saj vetjak në dashuri e profesion, duke kaptuar jo vetëm shtetet e ndryshme dhe kulturat përkatëse, por duke ditur të kapërcejë edhe oqeanin gjer në një tjetër kontinent.

A është ky një roman dashurie, rrjedhimisht?

Është një roman i shenjuar dhe që ka padyshim si fill kryesor përçues dashurinë. Kjo është e vërtetë. Por, dashuria është sigurisht fuqia kryesore shtytëse që e shpie personazhin (femëror) kryesor të këtij romani, të eksplorojë territore të panjohura, për zemrën, mendjen dhe botëkuptimin e saj, duke kërkuar të gjejë vetveten nëpër shtigje krejtësisht të panjohura për një vajzë shqiptare që përballet me botën e madhe, me këto DY BOTË.

Si do ta cilësonit këtë roman?

Meqënëse ky roman mendoj se mishëron njëkohësisht një pasqyrim të dashurisë së shekullit XXI, po edhe të romanit të ngjizur sipas kohës që jetojmë, pra, sërish shekullit XXI; atëherë do ta cilësoja si një roman bashkëkohor, që i trajton, sheh dhe shtjellon ngjarjet me ngjyrimet, këndvështrimet e përvojat e ngjizura pikërisht me frymën e kohës së sotme.

Kështu pra, dashuria e përshkruar nëpër faqet dhe ngjarjet e këtij romani, në tërë nuancat jokonvencionale të saj dhe mënyrës si sendërtohet e ravijëzohen marrëdhëniet dashurore mes personazheve që lexuesi do të hasë në këtë roman, mund të cilësohet përsëri si një dashuri e shekullit XXI.

Përse përdorni pikërisht këto cilësime, dhe çfarë domethënë për ju romani i shekullit XXI dhe dashuri e shekullit XXI?

I përdor këto cilësime ngaqë kështu ndihem kur mendoj për këtë roman e dashurinë që përshkruhet në faqet e tij. Romani i shekullit XXI për mua, është një roman që sheh, frymëzohet, shkruhet dhe përçon te lexuesi nektarin e epokës në të cilën frymojmë, dashurojmë, punojmë, krijojmë e ku na formësohen karakteri, bindjet e mendësitë tona. Jo duke zhbërë të shkuarën, por duke nxjerrë mësimet e duhura nga e kaluara dhe jetuar e shkruar në të tashmen; pa u krahasuar domosdo e artificialisht me shkrimtarët e mëdhenj, apo jo, të së shkuarës, por duke u matur veç me bashkëkohësit tanë e vetveten, gjithmonë me vështrimin nga e sotmja drejt të ardhmes.

E njëjta gjë vlen edhe për dashurinë e shekullit XXI, që lind në një epokë globale, ku largësitë zvogëlohen, ku njerëzit njihen lehtësisht, ku barrierat bien dhe njohuritë shtohen, ashtu siç pakësohen e vjetërohen botëkuptimet, normat e ashtuquajtura të moralit apo shtresëzimet e tjera si reminishenca.

Cili është sipas jush thelbi i këtij romani?

Është fakti thelbësor që gjithsesi personazhi kryesor, një vajzë shqiptare, arrin të jetojë krejt natyrshëm në mënyrë tejet kozmopolite përgjatë rrugëtimit të saj drejt lartësimit shpirtëror e profesional, drejt gjetjes së vetvetes, pa humbur asnjëherë qenësinë e saj shqiptare, duke u mbrujtur me të mirat e kulturave të ndryshme që has gjatë udhës, por duke ruajtur gjithnjë identitetin, si një qytetare shqiptare e botës.

Çfarë mund të vini tjetër në dukje si diçka të veçantë në këtë roman?

Praninë shumë kuptimplote të arbëreshëve në romanin tim,që jam orvatur fort të mos i trajtoj si specie në rrezik zhdukje, si arsye për të ngjallur interesin e gjindjes, siç rëndom trajtohen këta njerëz të mrekullueshëm të gjakut tonë shpeshherë kur kemi të bëjmë me ta. arbëreshët në këtë roman, janë trajtuar si pjesë themelore përbërëse e ngjarjeve në këtë libër, duke bashkëvepruar me personazhet e tij dhe duke shpërfaqur tiparet, karakterin, doket e patriotizmin e tyre të pakrahasueshëm. Janë përmendur ngulimet e panjohura arbëreshe të Jugut të Italisë (përtej Kalabrisë, që njihet gjerësisht), gjer te arbëreshët e mërguar në Brazil.  Besoj rasti i parë që një autor shqiptar i përfshin në letërsinë e tij. Jo rastësisht, presidenti aktual i Brazilit, Jair Bolsonaro, një degë të familjes e ka Arbëreshe, nga Spezzano Albanese.

Jeni gjithashtu përkthyes shumëgjuhësh letrar, flisni dymbëdhjetë gjuhë, cilat janë përkthimet tuaja të fundit?

Porsa ka dalë në treg përkthimi im i fundit, “Si të mposhtësh shqetësimin dhe stresin” nga Dale Carnegie, pjesë e një vazhde prej pesë botimesh të këtij shkrimtari dhe lektori frymëzues amerikan të shekullit të shkuar, të ripunuara dhe përditësuara për kohën e sotme. Pritet gjithashtu të dalë shpejt në botim përkthimi im i romanit të njohur të Zhyl Vernit, “Dy vjet pushime”.

PËRGJIGJU