Skenës politike pritet t’iu shtohen edhe tre parti politike

0

 

Skenës politike kosovare sot pritet t’iu shtohen edhe tre parti politike. Këtë e bëri të ditur për Radio Kosovën zëdhënësi i Komisionit qëndror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Sipas tij, aktualisht janë të regjistruara 52 parti politike, ndërkohë që, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare janë çregjistruar 10 parti politike.

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe caktimit të 22 gushtit si datë për shpërndarjen e Kuvendit, më së voni, në javën e parë të tetorit pritet të mbahen zgjedhjet e parakohëshme parlamentare në vend, nëse Kuvendi shpërndahet në datën e caktuar.

Në zgjedhjet që pritet të mbahen, mund të marrin pjesë vetëm partitë që certifikohen për pjesëmarrje në to, thotë për Radio Kosovën, zëdhënësi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai shtoi se në KQZ, sot pritet të vendoset edhe për regjistrimin e disa partive të reja.

“Sipas Regjistrit të Partive Politike, aktualisht janë 52 parti politike të regjistruara në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Gjatë muajëve të fundit, kemi pasur tri kërkesa për regjistrimin e partive politike dhe në mbledhjen e KQZ-së që do të mbahet të enjten me 8 gusht, do të votohet për regjistrimin e tyre ”, tha ai.

Tri partitë për regjistrimin e të cilave do të vendos sot KQZ janë: Partia Euroatlantike e Kosovës, e deputetit Milaim Zeka. Partia Demokratike e Diasporës dhe Partia Balliste e Pajazit Podrimçakut.

Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, përvec regjistrimeve të partive të reja, nga qershori i vitit 2017, ka edhe disa çregjistrime të partive.

“Që nga zgjedhjet e  fundit parlamerntare, numri i partive politike të çregjistruara është dhjetë. Gjashtë prej tyre janë çregjistruar në viti 2018 dhe katër këtë vit. Disa nga partitë janë çregjistruar për mos respektim të afateve të cilat janë përcaktuara me ligj”, tha ai.

Në mesin e partive të çregjistruara janë: Fronti Demokratik për Bashkim Kombëtar, Partia e Fortë, Partia Konservatore e Kosovës dhe Lëvizja Islame Bashkohu. E nga 52 partitë që aktualisht janë të regjistruara në KQZ, 24 janë parti shqiptare, 8 boshnjake, 7 serbe, 4 gorane, nga dy parti i kanë  romët, ashkalinjt, egjiptianët dhe malazezët, kurse një parti është e kominitetit turk.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se partitë parlamentare nuk kanë obligime financiare ndaj institucionit që organizon zgjedhjet në vend dhe se asnjë parti që ka obligime ndaj KQZ-së nuk mund të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhje.

PËRGJIGJU