Valdrin Mustafa, talenti i ri që i bashkohet Dardanëve

0

 

Pas Florent Muslijajt një tjetër talent i skuadrës gjermane, Hannover 96 ka vendosur t’i bashkohet ekipeve tona kombëtare. Bëhet fjalë për talentin e madh Valdrin Mustafa, i cili është pjesë e ekipit të dytë të Hannoverit. Ai luan si qendërsulmues dhe deri tani ka qenë pjesë e Kombëtares U19 dhe U21 të Shqipërisë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka mirëpritur vendimin e futbollistit dhe njëherësh ka falënderuar ambasadorin Beq Cufaj dhe stafin e ambasadës në Berlin, pastaj Fekmi Kongjelin e Besim Zenelin që kanë ndikuar që ky futbollist të vendos që tash e tutje ta bartë fanellën e Dardanëve.

“Mbi të gjitha vlerësoj dëshirën e Valdrinit për të qenë kontribuues për vendin e rrënjëve të tij, për familjen dhe popullin e tij.  Po ashtu, një falënderim i veçantë edhe për familjen e këtij futbollisti që e ka rritur atë në frymën patriotike”, ka thënë Ademi.

Ndërkaq, vetë futbollisti në profilin e tij në Instagram e ka shprehur gëzimin që është bërë pjesë e Kosovës.
“Me shpirt dhe zemër shqiptar. Me Kosovën do luaj për të gjithë. Ne jemi një”, ka shkruar Valdrin Mustafa, duke e vendosur edhe flamurin kombëtar dhe atë të Kosovës.

Valdrini fillimisht do t’i bashkohet Kombëtares U21 dhe pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Rafet Prekazi qysh në ndeshjet e shtatorit.

PËRGJIGJU