Zgjedhjet e parakohshme çojnë drejt një kthese shpresëdhënëse politike

0

 

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se dorëheqja e kryeministrit dhe zgjedhjet e parakohshme çojnë drejt një kthese shpresëdhënëse politike.

Ai ka theksuar se zgjedhjet do të duhej ta këndellnin shoqërinë dhe pushtetin e çorientuar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka deklaruar se në këto zgjedhje duhet të dalim me vetëdijen se shtetësia e Kosovës nuk është ende punë plotësisht e kryer.

Sipas tij, pa njohjen universale, anëtarësimin në OKB, nuk mund të kemi zhvillim normal dhe më të përshpejtuar.

Maliqi ka thënë se në këto zgjedhje do të ishte më mirë nëse partitë garojnë veç e veç, megjithatë ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicioneve.

Mirëpo ai ka thënë se posti i kryeministrit do të krijojë probleme për arritjen e këtyre koalicioneve

“Epoka e re”: Z. Maliqi, si i komentoni zhvillimet në skenën politike që nga dorëheqja e kryeministrit Haradinaj e deri te caktimi i seancës për shpërndarjen e Kuvendit?
Maliqi: Shpresoj shumë se dorëheqja e kryeministrit dhe zgjedhjet e parakohshme çojnë drejt një kthese shpresëdhënëse politike. Ka ardhur koha për korrigjimin e gabimeve dhe zënkave të pakuptimta që shkaktuan bllokada dhe ngecje dhe që nga viti 2014, penguan zhvillimin normal të Republikës së Kosovës. Dy legjislaturat e Kuvendit dhe dy qeveritë e fundit komprometuan rëndë aftësitë e politikës kosovare që të përballet me sfidat e shtetndërtimit. E gjithë elita politike nuk gjente gjuhë të përbashkët për çështjet vitale dhe prioritare të vendit, që nuk iu nënshtrohen interesave partikulare të partive dhe liderëve. Për më shumë, dështuam edhe në kultivimin e raporteve të koordinuara me faktorët ndërkombëtarë, si partnerët strategjikë të pavarësisë së Kosovës. Ky trend negativ kulmoi me kokëfortësinë e kryeministrit Haradinaj në refuzimin e pezullimit të taksës për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, që pa reshtur kërkohej nga ShBA-ja, BE-ja dhe të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë, aleatë të Kosovës. Pasoja nuk ishte vetëm bllokada e dialogut me Serbinë, por edhe zhgënjimi dhe ftohja serioze e raporteve me aleatët. Të tregohesh arrogant ndaj sugjerimeve të ShBA-së dhe sponsorëve evropianë të pavarësisë, me arsyetimin se taksa po e mbrojtka sovranitetin e Kosovës, është e pajustifikueshme. Kosova duhet të dalë urgjentisht nga qorrsokaku aktual. Zgjedhjet do të duhej ta këndellnin shoqërinë dhe pushtetin e çorientuar. Në zgjedhje duhet të dalim me vetëdijen se shtetësia e Kosovës nuk është ende punë plotësisht e kryer. Pa njohjen universale, anëtarësimin në OKB, mbetemi të gjymtë nuk mund të kemi zhvillim normal dhe më të përshpejtuar. Andaj zgjedhjet tona nuk janë thjesht një matje e re e forcës së partive, se a do të fitojë Kadria, Isa, Albini etj. Si asnjëherë më parë prejse jemi duke ndërtuar sistemin demokratik, kur votojmë partitë, duhet ta vlerësojmë orientimin e tyre bazë, a po angazhohen sinqerisht për arritjen e sovranitetit real të koordinuar me aleatët perëndimorë, apo po përhapin iluzionin se mund ta bëjmë shtetin vetë pa koordinim me aleatët.

“Epoka e re”: Në rast se më 22 gusht shpërndahet Kuvendi do të ketë zgjedhje të parakohshme, prisni që subjektet e mëdha politike të garojnë të vetme apo me koalicione parazgjedhore?
Maliqi: Do të ishte më mirë nëse do të garonin veç e veç, por ligji lejon koalicionet parazgjedhore dhe listat e përbashkëta, andaj koalicionet nuk mund të pengohen. Pastaj, koalicionet parazgjedhore janë bërë garë në vete paraprake për ta maksimalizuar votën të subjektit më i votuar, që parapërcaktonte ndarjen e pushtetit. Në vitin 2017 kjo krijoi nervozen dhe frustrimet e subjektet e mëdha, që disa parti të vogla i shfrytëzuan duke kërkuar shpëtimin jo vetëm nga shpata e cenzusit të paarritshëm prej pesë përlindësh, e pastaj edhe për të shantazhuar dhe manipuluar procesin duke kërkuar deputetët dhe pushtet shtesë të pamerituar. Më e paskrupullt ka qenë loja e AKR-së që fillimisht bëri koalicion parazgjedhor me LDK-në, ku menjëherë reaguan, në momentin e fundit PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma dhe krijuan koalicionin PAN. Më pastaj, kur doli se PAN-i ishte subjekt i parë me vota, por nuk kishte deputetë të mjaftueshëm për krijimin e qeverisë, AKR-ja iku nga LDK-ja dhe u lidh me PAN-in, duke e shantazhuar për favore të jashtëzakonshme të pushtetit absolutisht të pamerituara. Mendoj se kësaj here partitë e mëdha do të kujdesen që të dalin vetëm në zgjedhje që të mos bëhen pre e partive e në rastin tonë edhe të grupeve dhe individëve që pa fituar vota, vetëm duke ‘ndërmjetësuar’ për kuotat e munguara të votave, sigurojnë poste dhe përfitime të larta. Mbase kjo dukuri nuk mund të eliminohet tërësisht por, të paktën, nuk duhet t’i zihet më besë AKR-së së Behgjet Pacollit.

“Epoka e re”: Kush më kë prisni se do të bëjë koalicion?
Maliqi: Tendenca kryesore publike është eliminimi i PDK-së nga pushteti. Vetëm ndaj PDK-së pothuajse të gjithë kanë shpallur publikisht ‘vijat e kuqe’. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë më aktivja, edhe para disa muajve, me planin e bërjes së koalicionit me LDK-në, por me kërkesa kushtëzuese që besoj se këtë koalicion e bëjnë të parealizueshëm. Kësaj here LV-ja nuk flet për koalicion programor, por vetëm për numrat dhe ndarjen e posteve kyçe të pushtetit, ku për vetën kërkojnë kryeministrinë. Por, kryeministrin e do edhe LDK-ja për vete, duke e përqeshur propozimin e LV-së si naiv, sepse ata publikonin edhe emrin e deputetes nga përbërja e LDK-së për ta udhëhequr Kuvendin e Kosovës. LDK-ja, PDK-ja, LV-ja dhe AAK-ja gjithsesi do të përpiqen të garojnë si të vetme, ose me ndonjë parti të vogël që ua sjell disa mija ose qindra vota shtesë. AKR-ja, Nisma Socialdemokrate e, mbase, edhe PSD-ja e Shpend Ahmetit, do të kërkojnë partnerë për koalicion për ta siguruar mbijetesën dhe eventualisht kapjen e ndonjë grimce të pushtetit.

“Epoka e re”: Posti i kryeministrit do ta vështirësojë arritjen e këtyre koalicioneve?
Maliqi: Absolutisht. Nëse e keni vërejtur, asnjë parti nuk flet për koalicione programore, por vetëm për ndarjen e posteve. Po i kujtuam zgjedhjet e vitit 2017 LV atëherë garoi si subjekt unik dhe befasoi sepse mori më së shumti vota, e kalonte vetëm PAN-i që garonte si koalicion. Por edhe për LV-në unike kandidati për postin e kryeministrit u pat bërë mollë e sherrit dhe i përçarjes. Një palë e donte Albin Kurtin për kryeministër, tjetra Shpend Ahmetin, dhe kjo edhe i ndau pak më vonë në dy subjekte. LV-ja e Kurtit do të ishte racionale dhe pragmatike, sot do të kërkonte koalicion jo me LDK-në, por me PSD-në, sepse janë më të afërta me synime dhe programe sociale. Sa kam kuptuar, PSD-ja për këtë mundësi tregohet më e arsyeshme, nuk i vë vijën e kuqe LV-së.

“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni nga këto zgjedhje, kush do të fitojë e kush do të humbë?
Maliqi: Nga viti 2017 nuk kam bërë sondazhe dhe nuk e kam idenë e saktë nëse ka lëvizje të mëdha në disponimin e elektoratit dhe sa ndikon largimi i një numri bukur të madh të votuesve në Perëndim. Nga ato anketat e instituteve të tjera që i kam parë, nuk jam i sigurt për metodologjinë dhe saktësinë e tyre, kam përshtypjen se do të ketë disa forcime dhe dobësime të partive kryesore, por jo edhe ndryshime decidive, që ndonjë parti të dalë fituese e pastër ose me përparësi të madhe që ia mundëson diktimin e kushteve të koalicioneve pas zgjedhjeve. Do të ishte sukses nëse konfiguracioni i ri i forcave do të lejonte që ndonjëri prej subjekteve të ketë mundësinë e sigurimit të mazhorancës së thjeshtë (61 deputetë) pa deputetët e Listës Serbe. Nëse përsëritet skema e përimtësimit të votave dhe e animoziteteve mes subjekteve të mëdha, sidomos ndaj PDK-së, do të mund të përsëritet zhargitja dhe gjendja djerrakohëse e amullisë që i kemi përjetuar nga viti 2014. Për depërtimet dhe punët e mëdha është dashur të kihet ndërgjegjja e lartë për interesat vitale të shtetit. Edhe pas zgjedhjeve në vitet 2014 dhe 2017 ka qenë e udhës krijimi i koalicionit të madh. Unë i kuptoj vijat e kuqe dhe reagimet ndaj dredhive dhe tradhtive, por ato janë të shpeshta në politikë dhe kur bëhet fjalë për interesa madhore, duhet të tejkalohen ndasitë që vetëm vonojnë proceset. Kjo vlen edhe për koalicionin e paprovuar LDK-LV nëse këto dy subjekte gjejnë pajtimin rreth interesit madhor pa diktate se kush do ta udhëheqë qeverinë. Mendoj se vetëdijesimi për këtë do të shfaqet më natyrshëm pasi që të shpaloset vullneti i shumicës në zgjedhjet që me gjasa do të organizohen në tetor. Nëse garohet ndaras ai subjekt që ka më shumë vota dhe deputetë do të jetë më meritori për ta përfaqësuar vullnetin e sovranit.

Shqipe HETEMI

 

PËRGJIGJU